E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi në Kavajë, vetëvriten nënë e bijë

Irma Daullja dhe vajza dy vjeçe janë hedhur nga kati i tetë i pallatit teksa bashkëshorti ndodhej në gjumë. Mister shkaqet

KAVAJË- Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në orët e para të mëngjesit në Kavajë, kur një nënë e re është vetëvrarë bashkë me vajzën e saj dy vjeçe duke u hedhur nga kati i tetë i pallatit ku ata banonin.

Irma Daullja, 22 vjeçe, dhe vajza e saj me inicialet V. D janë gjetur të vdekura në trotuarin para banesës së tyre në lagjen nr. 5 të qytetit të Kavajës, nga banorët e lagjes.

Burimet zyrtare të Policisë së Kavajës pohuan dje se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 06. 00 të mëngjesit të ditës së djeshme, ku nëna e re dyshohet se është hedhur nga pallati bashkë me foshnjën e saj me qëllim për t'i dhënë fund jetës.

Disa minuta pas ngjarjes, banorët që kanë parë të vdekur dy personat kanë lajmuar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje për të nisur hetimet për shkakun e vetëflijimit të gruas së re.

Sipas burimeve të Policisë, nga hetimet paraprake lidhur me ngjarjen mësohet se Irma Daullja është hedhur nga tarraca e katit të tetë të pallatit në kushtet e gjendjes së rëndë psikologjike, pasi dyshohet se 22- vjeçarja vuante nga depresioni.
Çifti Daullja kishte vetëm pak kohë që kishte hyrë për të banuar në pallatin e ri, ende të papërfunduar të lagjes nr 5 të Kavajës.

Ata kishin një apartament në katin e katërt. Nga dëshmitë e para mësohet se viktima bashkë me vajzën e saj është ngritur nga gjumi duke folur në mënyrë të çrregullt në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Gjatë këtyre momenteve Irma Daullja telefonon kunatën e saj duke i thënë që do të vetëvritet bashkë me vajzën, por edhe pse ka paralajmëruar të afërmit e saj për veprimin që do të kryente nuk ka qenë e mundur që akti i vetëvrasjes të parandalohet.

Pas këtij momenti nëna e re pa u diktuar nga i shoqi, ka marrë vajzën e saj të moshës dy vjeçe dhe është ngjitur në tarracën e katit të tetë të pallatit, duke u hedhur në lartësinë 22 metra.

Nga ekspertiza mjeko-ligjore që iu është bërë dy viktimave nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e tyre, vetëm dëmtimet që kanë ardhur si pasojë e përplasjes së fuqishme me tokën. Kjo i ka bindur hetuesit e ngjarjes se nëna bashkë me vajzën janë vetëvrarë.

Policia ka marrë në pyetje bashkëshortin, i cili ka thënë se në momentin e ngjarjes ai ndodhej në gjumë. Ai ka pohuar se është zgjuar nga alarmi i fqinjëve dhe se kur ka zbritur poshtë ka gjetur gruan dhe vajzën e vogël, e cila kishte ende shenja jete.

Daullja ka marrë vajzën në krahë dhe e ka nisur për në spital por ajo ka ndërruar jetë rrugës.
Në reagimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Tiranës lidhur me ngjarjen thuhet se po hetohet në pistën e vetëvrasjes.

Oficerët e hetimit të krimit në Komisariatin e Policisë së Kavajës kanë marrë në pyetje bashkëshortin e gruas që u vetëflijua dhe mësohet të ketë rrëfyer se gruaja e tij vuante nga depresioni. Mësohet se Irma Daullja nuk ka tentuar raste të tjera që t'i japë fund jetës.

Ndërkohë burimet e rezervuara të policisë pohuan dje se bashkëshorti i 22- vjeçares vuante nga epilepsia dhe mendohet që kjo sëmundje të jetë një nga arsyet e vetëvrasjes së gruas bashkë me vajzën.

Ndërkohë ngjarja do të vazhdojë të hetohet edhe nga Prokuroria e Kavajës për të zbardhur shkaqet e vërteta të vdekjes së të resë dhe vajzës së saj. Çifti Daullja kishte vetëm vajzën që mbeti e vdekur me nënën e saj mëngjesin e djeshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›