E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia, mbytet në kovën e ujit foshnja 10-muajshe

ELBASAN - Një foshnje 10-muajshe është gjetur nga familjarët e mbytur në një kovë uji në një nga dhomat e shtëpisë, ndërkohë që policia e Elbasanit po heton shkaqet e tragjedisë. Nga hetimet e para dyshohet që rasti të jetë vetëmbytje aksidentale, por ende policia nuk ka dhënë versionin zyrtar të ngjarjes. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjolenë, komuna Kajan e rrethit të Elbasanit. "F.Bako, i mituri 10-muajsh, është gjetur një ditë më parë nga prindërit me kokën në një kovë uji në një nga dhomat. Pas njoftimit, nisëm hetimin e ngjarjes", - shtojnë burime të policisë së Elbasanit. Ndërsa familjarët Bako japin detaje më të hollësishme rreth ngjarjes. Mësohet se foshnja 10- muajshe e seksit mashkull, ishte fëmija i vetëm i çiftit Bako. Dy vëllezërit jetonin prej kohësh në të njëjtën banesë. Kohët e fundit, vëllai më i vogël dhe njëkohësisht babai i viktimës, kishte ndërtuar një shtëpi tjetër jo larg shtëpisë së trashëguar nga prindërit. Pikërisht ditën e tragjedisë ata po çonin plaçkat në shtëpinë e re, ku do të kalonin dhe natën e parë si familje në të. E ndërkaq, punët e shumta sollën që foshnjën ta vinin në gjumë. Por në një moment dyshohet që ajo të jetë zgjuar dhe i është afruar kovës me ujë që ishte në dhomë. Kacavirrja e të voglit ka bërë që të bjerë me kokë brenda dhe të mbytet. Burimet policore shtojnë se ende hetimet janë në proces.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›