Banorët bllokojnë rrugën për dritat, CEZ: Janë debitorë
CEZ ka pohuar se transformatori për banorët e fshatit Dërmënas do të vihet kur banorët të paguajnë faturat e prapambetura të dritave
FIER Qindra banorë të fshatit Dërmënas, në komunën me të njëjtin emër, në rrethin Fier kanë bllokuar për rreth një orë e gjysmë aksin rrugor Fier-Seman. Protesta nisi rreth orës 08:30 të mëngjesit të ditës së dielë. Në vendin e quajtur lagja Ndërmënas, burra, gra dhe fëmijë, tubuan fillimisht në qendër të fshatit. Ndërsa më pas, turma e njerëzve u vendos në shtratin e rrugës nacionale Fier-Seman. Objekti i kësaj proteste ishte energjia elektrike. Sipas banorëve, prej më shumë se një jave, në familjet e tyre mungon energjia elektrike. Pavarësisht se ata kanë kontaktuar me drejtues të Filialit të CEZ në Fier, kanë marrë prej tyre përgjigjen se është djegur një transformator, i cili bën të mundur furnizimin e rreth 200 familjeve me energji elektrike dhe kanë marrë premtimin se transformatori do të vendosej atëherë kur banorët të paguanin edhe detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike. Ndërkohë, deri në paraditen e së dielës, asnjëra palë nuk ka plotësuar kërkesat e palës tjetër. Përballë situatës së krijuar, banorët zgjodhën rrugën e protestës duke bllokuar rrugën.
Bllokimi
Në të dy anët e rrugës nacionale Fier-Seman u krijuan radhë të gjata automjetesh. Lëvizja e mjeteve të llojeve të ndryshme, përfshi autobusë dhe autovetura u bllokua. Mjaft plazhistë fierakë u detyruan të prisnin në rrugë deri në sqarim të situatës. Ndërsa irritimi i banorëve shkoi deri atje sa prej protestuesve u deklarua se, aq ditë sa kishin qëndruar pa energji elektrike, aq ditë do të mbanin edhe rrugën automobilistike të bllokuar. Policia Rrugore, e pafuqishme të zhbllokonte situatën, kërkoi ndihmën e Policisë së Rendit. Dhjetëra forca policie zbarkuan në vendin e ngjarjes. Por rruga sërish nuk u zhbllokua. Përballë irritimit të protestuesve, policia nuk ndërhyri. Forcat e policisë u stacionuan dhe mbajtën nën vëzhgimin situatën, e cila për hir të së vërtetës, ishte tepër e ndezur. Banorët kërkonin në shkëmbim të zhbllokimit të rrugës, ardhjen e drejtuesve të Kompanisë CEZ dhe rilidhjen e energjisë elektrike. Rreth orës 10:00 të paradites, drejtues të operacionit të policisë në vendngjarje, u futën në bisedime me protestuesit. Vetëm këto bisedime krijuan më pas precedentin e zhbllokimit të rrugës. U desh më shumë se 30 minuta të normalizohej situata dhe të riniste qarkullimi normal i qindra automjeteve të drejtuara për në plazhet Seman dhe Darëzezë. Si dhe në drejtim të qytetit Fier. Banorët pretendojnë se janë ndëshkuar me të padrejtë nga kompania CEZ. Gati në një zë, ata shpreheshin se prej një jave nuk kanë energji elektrike në shtëpitë e tyre. Përveç ndriçimit iu janë dëmtuar pajisjet elektro-shtëpiake, njësitë shitëse kanë shkuar drejt falimentimit, për shkak të shkatërrimit të produkteve frigoriferike. Sipas tyre, e vetmja rrugë përballë gjendjes së krijuar ishte bllokimi i rrugës nacionale për të sensibilizuar qeverinë dhe opinionin me atë çfarë po ndodh realisht në zonën e tyre me energjinë elektrike. Ndërkohë që drejtues të kompanisë CEZ në Fier, si dhe zëdhënësja e kësaj kompanie në kryeqytet, kanë pohuar se janë në dijeni të kësaj ndërprerje të energjisë, për shkak të djegies së një transformatori. Por, kanë shtuar ata, lidhja e energjisë dhe vendosja e transformatorit të ri për këtë fshat do të bëhet atëherë kur gjithë abonentët e CEZ, banues në Dërmënas, të paguajnë detyrimet që i kanë kësaj kompanie.