Tragjedia në Berat, bashkia u kërkon bizneseve të ndihmojnë
Mitat Kajo, vëllai i kryefamiljarit Artur Kajo, banesa e të cilit u përfshi nga flakët mëngjesin e së dielës, ka hapur dyert e shtëpisë së tij për mortin që ka pllakosur familjen e të afërmit të tij. Banesa e Mitatit ndodhet vetëm pak metra larg shtëpisë së Arturit, i cili bashkë me të birin, Ylsionin 12 vjeç, ndodhen ende të shtruar pranë Repartit të Djegieve dhe Plastikës në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. Dhimbja ka përfshirë gjithë familjarët, të afërmit, por dhe banorët e lagjes "Muzakaj", në hyrje të qytetit të Beratit. Banesa e Mitatit, që pas tragjedisë është tejmbushur me njerëz, të afërm e miq, nxënës të shkollës ku mësonte 15- vjeçarja Kelima, por nuk kanë munguar dhe vizitat për ngushëllime të pushtetarëve lokalë e deputetëve të këtij qarku. Kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, i ka qëndruar pranë familjes Kajo në këtë tragjedi, duke i vizituar disa herë, madje duke mos munguar as në ceremoninë mortore. "Jemi munduar t‘i qëndrojmë pranë familjares për këtë ngjarje të rëndë, duke u munduar të zbusim sado pak dhimbjen e tyre. Bashkia do të shikojë të gjitha hapësirat e saj ligjore, në bashkëpunim me këshillin bashkiak, të krijohen mundësi financiare për të ndihmuar familjarët Kajo, për ta bërë sa më të lehtë dhimbjen e tyre. Unë gjej rastin t‘u bëjë thirrje gjithë bankave që operojnë në këtë qytet, gjithë bizneseve që të ndihmojnë sa të munden këtë familje", tha kryetari i bashkisë, Nasufi. Ndërkaq ai ka shtuar se shpresohet që banesa e familjares Kajo të kthehet sa më shpejt në gjendjen e mëparshme. Ndërkohë, për ngushëllim pranë kësaj familjeje kanë shkuar dje edhe deputetët e Qarkut të Beratit, Erjon Braçe, Ferdinant Pone dhe Mehmet Xheka, si dhe drejtues të degës lokale të PD-së.