E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “Zgjedhja e Nikolin Jakës është e pavlefshme”



Ervin KOÇI

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifiti, shpall të pavlefshëm vendimin e 24 tetorit të këtij viti, sipas të cilit në krye të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës zgjidhet i kryetar, Nikolin Jaka. Sipas kreut të METE-s, zgjedhja e Nikolin Jakës në krye të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë është e parregullt dhe nuk mund të merret si e mirëqenë. Një fakt të tillë ministri Prifti e ka deklaruar përmes një letre dërguar këtij institucioni. Në radhët e saj, ai sqaron sesi Nikolin Jaka nuk ka qenë anëtar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e si i tillë, nuk meritonte të zgjidhej në krye të saj. Në letrën e pavlefshmërisë së zgjedhjes së Jakës në krye të DHTI-së, thuhet ndër të tjera se, “pasi organi mbikëqyrës shqyrtoi vendimin e marrë për zgjedhjen e Jakës, vuri re sesi ky fakt nuk ishte fare në rendin e ditës së mbledhjes kur ai është zyrtarizuar”. Në të tilla kushte, METE rithekson edhe njëherë se zgjedhja e Jakës nuk është aspak e rregullt dhe prandaj, ajo nuk qëndron e cilësohet e pavlefshme. Me këto argumente, ministri i Ekonomisë Prifti kërkon që të rishikohet vendimi për zgjedhjen e kryetarit si dhe të zbatohet saktë statuti duke përsëritur zgjedhjet.

Letra

Në letrën drejtuar Asamblesë, Kryesisë dhe Sekretarit së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, kreu i dikasterit të Ekonomisë argumenton se, “mbledhja e 24 tetorit është zhvilluar duke shkelur statusin dhe procedurat ligjore në fuqi për Dhomën e Tregtisë”. Sipas Priftit, “një shkelje e rëndë është fakti që Nikolin Jaka nuk ka qenë anëtar i Asamblesë së Dhomës së Tregtisë, pra nuk plotëson një prej kritereve bazë për tu zgjedhur kryetar”. Një tjetër argument i risjellë nga ministri Prifti është se, “në rend të ditës së asaj mbledhje nuk ka qenë e përfshirë zgjedhja e kryetarit dhe vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri është vendosur gjatë mbledhjes”. Gjatë asaj mbledhje kanë marrë pjesë 74 anëtarë, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë qenë prezent, ndërkohë që duhet të ishin njoftuar më parë. Letra mbyllet me konstatimin se, “këto zgjedhje janë zhvilluar në kundërshtim të plotë me statusin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë”. Reagimi i ministrit Prifti erdhi dje në ditën kur Nikolin Jaka, thirri në cilësinë e kryetarit të porsazgjedhur mbledhjen e parë të Dhomës. Nuk dihet ende se çfarë është diskutuar në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, por për ministrin Prfiti, Jaka nuk mund të zgjidhej kryetar në kushtet kur ndaj tij është në vazhdim një procedim gjyqësor në nivele të larta, ku prokuroria ka kërkuar anulimin e pafajësisë së dhënë nga Gjykata e Apelit për konsumim të veprës penale të korrupsionit. Jaka ka vuajtur dënim për mbi një vit burg për këtë vepër.

Zgjedhja

Nikolin Jaka, ish-zëvendësministri i Transporteve, është zgjedhur në postin e kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës më datën 24 tetor 2009. Asambleja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e ka zgjedhur atë me 60 vota pro, ndërsa në votim morën pjesë 75 anëtare të Asamblesë. Në garë kanë marrë pjesë edhe Edmond Rusmali dhe Sami Çelaj, por shumicën e votave e ka marrë ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka. Zgjedhjet për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë u zhvilluan pasi ish-kreu Gjok Uldedaj që mbante këtë post dha dorëheqjen pas marrjes së mandatit të deputetit në zgjedhjet e 28 qershorit. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është një institucion i cili përfaqëson interesat e biznesit shqiptar brenda dhe jashtë vendit dhe ka si të anëtarësuar në përbërje të saj me dhjetëra subjekte private nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Nikolin Jaka ka qenë ish-zëvendësministër i Punëve Publike kur u arrestua nga policia me argumentin se ishte përfshirë në afera korruptive me tenderët publikë që zhvilloheshin në drejtorinë e rrugëve.

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›