ERE nuk pranon kërkesën e OSSH-së për çmimin e energjisë
Rritja e çmimit të energjisë elektrike që pritet të miratohet ka përfshirë në konflikt çekët e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe qeverinë shqiptare. Enti Rregullator ka hedhur poshtë kërkesën e OSSH-së, e cila pretendonte se humbjet teknike në rrjet janë në nivelin e 35.7%, një shifër kjo 3.7% më e lartë se niveli zyrtarë i pranuar. Humbjet në rrjet janë pjesë përbërëse e çmimit të energjisë elektrike, çka do të thotë, sa më të larta të jenë ato, aq më shumë duhet të rriten tarifat. Entela Çipa, përfaqësuese e Entit Rregullator të Energjisë thotë se, “bordi i komisionerëve konstatoi se shifrat e paraqitura nga kompani OSSH-së ishin jo realiste dhe të ekzagjeruar. Ndaj ky bord mori vendimin që të mos pranojë kërkesën e kompanisë”. Në këtë mënyrë mbetet në fuqi niveli prej 32% i humbjeve në rrjet. Vendimi i bordit të Entit Rregullator është ankimuar nga OSSH-ja dhe kjo situatë rrezikon të përfundojë në gjykatë. Pesë ditë nga publikimi i vendimit të bordit, kompania ka ankimuar rezultatin. Tashmë ajo duhet të gjejë argumente të reja për të bindur Entin që të miratojë shifrën prej 35.7%. Sipas Çipës, “në rast se kompania nuk përputhet edhe me vendimin e dytë të Entit atëherë, OSSH-ja ka të drejtë ti drejtohet gjykatës”. Me këtë vendim Enti Rregullatorë del në mbrojtje të konsumatorëve të cilët nga 1 janari i vitit 2010 do të përballen me një çmim të ri të energjisë. OSSH-së ka kërkuar që tarifat aktuale të rriten me mbi 20%, por enti pritet të vendosë në muajin dhjetor se sa do të jenë ato.
Itali-Turqi-Rusi, aleancë e re për burimet e energjisë
Një aleancë e re mes Italisë, Rusisë dhe Turqisë kërcënon të jetë vendimtare në përcaktimin e rrugëve dhe në kontrollin e flukseve të naftës e gazit në zonën e detit Kaspik, bëhet e ditur nga agjencitë e specializuara të lajmeve. Më 19 tetor, një grup i madh zyrtarësh dhe biznesmenësh nga tri vendet u mblodhën në Milano dhe nënshkruan marrëveshjen që mund t‘i hapin rrugën realizimit të disa projekteve të rëndësishme naftësjellësish dhe gazsjellësish. Gazsjellësi i Rrymës së Jugut "South Stream" duhet të kalojë përmes detit të Zi në ujërat territoriale turke para se të mbërrijë në Bullgari, Greqi e Itali. Në këmbim, një konsorcium turko-italian, që ka në plan të ndërtojë një naftësjellës nga Samsun (bregu turk i Detit të Zi) deri në Ceyhan (bregu turk i Egjeut), mori garanci që Rusia do të furnizojë me naftë këtë projekt. Konsorciumi italian “ENI”, i cili kontrollohet nga qeveria italiane, është përzier në të dyja projektet falë marrëdhënieve të ngushta që Kryeministri Berluskoni ka me Moskën. Lëvizjet e Turqisë dhe Italisë janë shumë të debatueshme, për shkak se shkojnë në kundërshtim me politikën e Bashkimit Europian për krijimin e Korridorit të Jugut, një seri projektesh energjetike që fillojnë në Azinë Qendrore dhe mbërrijnë në Europë përmes Turqisë dhe Ballkanit. Thelbi i Korridorit të Jugut është projekti i gazsjellësit "Nabuco" dhe synon të shmangë dominimin e tregut europian të gazit nga Rusia. Por, gjatë vitit të fundit, Moska ka arritur të “përçajë” aleancën europiane përmes marrëveshjeve të veçanta me Gjermaninë, Austrinë dhe së fundmi, me Turqinë dhe Italinë.
3 Nentor 2009