E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në Tissa, plot mister e dyshime

PRISHTINE-Autoritetet e Kosovës nuk janë në gjendje ende të konfirmojnë se çfarë me saktësi ka ndodhur në lidhje me këtë rast. Kjo për faktin se zyrtarët hungarezë nuk janë në gjendje të gjejnë asnjë shenjë se në lumin që ndan Serbinë dhe Hungarinë janë mbytur rreth 15 persona.

Autoritetet hungareze përveç Blerim Rames dhe dy fëmijëve të tij, nuk kanë gjetur asnjë varkë të mbytur, apo trup të pajetë.

Krejt çfarë mund të konfirmojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashte të Kosovës është lajmi se babai i dy fëmijëve është dërguar në qendrën e azilit në Hungari.

Këtë informacion autoritete e Kosovës e kanë marrë nga ambasada e Hungarisë në Prishtinë.

Ndërkohë, vazhdimisht para MPJ-së në Prishtinë shkojnë qytetarë të cilët pretendojnë se në atë udhëtim ka të afërm të tyre, por që të njëjtit i kanë humbur kontaktet me ta që nga koha kur janë nisur.

Gjatë pasdites se sotme, ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari, pritet të mbërrijë në Budapest.

Ai është autorizuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, që të udhëtojë dhe të marrë vesh për aq sa është e mundur se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

Pavarësisht lajmit se atje janë mbytur rreth 15 persona, autoritetet në Prishtinë ende këtë rast e quajnë si ngjarje të dyshuar meqë nuk ka asnjë provë që konfirmon se tragjedia ka ndodhur.

Tani me këtë çështje janë duke u marrë edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, Policia e Kosovës dhe ambasadat e shteteve respektive.

Mediat kanë raporuar se ngjarja ka ndodhur në lumin Tisa, mes qytetit Segedin dhe Subotica, ndërsa lajmi është mbështetur në informacionet e qytetarit Agron Rama nga Kosova, i cili është arrestuar nga policia hungarez e dhe dyshohet për kontrabandë me njerëz.

Shtetasi Rama, i arrestuar, ka deklaruar të ketë qenë në barkë së bashku edhe me 18 apo 19 persona tjerë, kur ajo ka filluar të fundoset.

(d.b/GazetaExpress/Balkanweb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›