E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB: Opiumi në Afganstan po shkakton shumë të vdekur

Kombet e Bashkuara thonë se opiumi i prodhuar në Afganistan po shkakton një numër të madh vdekjesh në mbarë botën. Në një raport të Agjensisë së OKB-së për Luftën Kundër Drogës dhe Krimit thuhet se Afganistani prodhon 92% të opiumit në shkallë botërore. Në raport bëhet e ditur se në botë më shumë njerëz vdesin nga opiumi që vjen nga Afganistani, se nga çdo lloj tjetër droge. Sipas raportit, opiumi i Afganistanit shkon tek 15 milionë përdorues të rregullt droge duke shkaktuar rreth 100 mijë vdekje në vit. Sipas OKB-së, numri i personave që vdesin çdo vit nga mbidozat e heroinës në vendet e NATO-s, është pesë herë më i lartë se numri i ushtarëve të NATO-s që janë vrarë në Afganistan gjatë tetë vjetëve të fundit. Raporti bën të ditur gjithashtu se në Afganistan sekuestrohet vetëm 2% e sasisë së opiumit, në Iran kjo shifër është rreth 20%, në Pakistan 17%, ndërsa Rusia dhe disa vende europiane arrijnë të zbulojnë vetëm 5% të sasisë së opiumit që futet në territorin e tyre. Shefi i Zyrës së OKB-së për Luftën Kundër Drogës dhe Krimit, Antonio Maria Costa, tha se bashkësisë ndërkombëtare do t'i kushtonte më pak nëse problemi do të trajtohej që në Afganistan. Ai tha, gjithashtu, se tregtia e opiumit po financonte veprimtarinë e militantëve në Afganistan, Pakistan dhe në Azinë Qendrore. Zyrtari i OKB-së i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të koordinojë përpjekjet për të vepruar mbi të gjitha hallkat e zinxhirit të drogës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›