Tragjedia në superstradë, 4 persona humbin jetën
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Përplasja e dy makinave në kryqëzimin e Tales, në superstradën Milot-Lezhë shkakton 4 të vdekur. Dy prej tyre ishin shtetas italianë, ndërsa dy të tjerët banorë të Shkodrës. Aksidenti tragjik, ndër më të rëndët e ndodhur këtë vit në “rrugën e vdekjes” u shënua rreth orës 12:25 të ditës së djeshme. Mësohet se dy të huajt, pronarë të një firmë këpucësh, të shoqëruar dhe nga Edmir Vorfa, 35 vjeç po udhëtonin me një makinë tip “BMW” me targë TR 9943 R nga Shkodra në drejtim të Rinasit. Në vendin kur superstrada kryqëzohet me rrugën e Tales, vetura ka ndaluar, në pritje për të hyrë në të. Por, ky moment ka qenë fatal, pasi një furgon që dilte nga rruga dytësore me qëllim të hynte në superstradë, ndërsa ishte me shpejtësi e ka përplasur ballazi veturën. Sipas njërit prej dëshmitarëve okularë të ngjarjes, Aleksandër Noka pas përplasjes dy automjetet kanë dalë menjëherë nga rruga. Gjatë lëvizjes së mjetit, shoferi i furgonit, Sokol Mema ka dalë prej tij, duke përfunduar mbi asfalt. Ndërsa pasagjeri që ndodhej në furgon dhe tre udhëtarët e BMW-së, bashkë me makinat janë rrëzuar nga ura në kanalin që ndodhet buzë rrugës. Një tjetër banor i zonës, që ndodhej pranë vendit të aksidentit tregoi se, kishte dëgjuar një zhurmë të fuqishme pas përplasjes së mjeteve në superstradë. “Dolëm nga lokali menjëherë e u drejtuam nga ura. Pamë një njeri të gjakosur mbi asfalt dhe dy makina në kanal. Fillimisht kujtuam se personi në rrugë ishte ndonjë kalimtar i rastit, por nuk e njihnim si banor të zonës. Shkuam te makinat dhe tentuam t’u jepnim ndihmën e parë personave që ndodheshin brenda tyre. Por, ishte e kotë se të gjithë kishin vdekur”, tregon dëshmitari, i cili u fut vetë në kanal për të nxjerrë viktimat. Tre prej tyre u nxorën nga vetura, ndërsa pasagjeri i furgonit nuk mund të shkëputej dot nga pjesa e makinës. Është dashur ndërhyrja e forcave të policisë për të nxjerrë dhe viktimën e katërt. I mbijetuari i vetëm u transportua për në spitalin ushtarak, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Për policinë, shkaktar i aksidentit është furgoni, i cili lëvizte me shpejtësi të madhe. Nëpër xhamat e makinës ishin të vendosur mbishkrimet elektorale “Shqipëria po ndryshon”. Për shkak të plagëve të shumta, vetëm pas disa orësh është bërë i mundur identifikimi i 4 viktimave. Dy italianët, mësohet se ishin bashkëpronarë në një firmë prodhimi këpucësh në Shkodër dhe po udhëtonin drejt aeroportit.
Viktimat
Të vdekur
Antonio Cazzato 45 vjeç, Leçe
Ignazio Magno 40 vjeç, nga Leçe
Edmir Vorfa, 35 vjeç nga Shkodra
Enver Hallvadori, 60 vjeç nga Shkodra
I plagosur
Sokol Mema