Vrau veten pasi u nda nga e dashura, në telefon thirrja e fundit për vajzën
Korçë- Ndahet nga e dashura, i riu vetëvritet me armë në pyllin e fshatit. Sipas burimeve të policisë lokale, një 23-vjeçar është gjetur në një pyll në afërsi të fshatit Damjanec nga banorë të këtij fshati pak para mesnatës së kaluar. Burime të policisë së qarkut të Korçës bëjnë të ditur se viktima është identifikuar si shtetasi Arjet Notoli, 23 vjeç. I riu që fillimisht është dyshuar se e kanë vrarë, sipas policisë e ka inskenuar vetë aktin tragjik të fundit të tij. Sipas kësaj të fundit, në trupin e viktimës ka plagë të shkaktuara nga armë zjarri ndërsa thuhet se ai është vetëvrarë me një pushkë model 54. Arma është gjetur pranë trupit të pajetë të të riut fatkeq, i cili duket se nuk ka qene në gjendje normale, dhe i dëshpëruar nga fundi i një historie dashurie ka vendosur t’i japë fund jetës. Policia tha se nga të dhënat paraprake mësohet se shkaku kryesor i vetëvrasjes dyshohet të jetë gjendja e rënduar psikologjike e të riut. Nga dëshmitë e para mësohet se i riu ishte ndarë nga e dashura prej disa ditësh, pasi familja e vajzës kishte vendosur për një tjetër fejesë dhe jo me Notolin. Në këto kushte ai duket se nuk ka mundur t’i bëjë dot ballë tronditjes, ndërsa ka vdekur, teksa në telefonin celular i është gjetur dhe një thirrje e fundit ndaj vajzës që dashuronte sa nuk mund të jetonte pa të. Ndërsa hetimet rreth kësaj ngjarjeje vazhdojnë, një tjetër ngjarje e ngjashme është regjistruar në qarkun e Korçës. Në orët e para të mëngjesit të së premtes u gjet nga familjarët i vetëvarur Skënder Fejzo, 59 vjeç, banor i fshatit Buçimas të Pogradecit. Akti i vetëvrasjes është kryer në shtëpinë e tij. Sipas të dhënave dhe dëshmive të para të të afërmve të viktimës, ky person kohët e fundit vuante nga depresioni, i cili është bërë shkak në aktin e vetëflijimit. Vetëvrasjet rikthehen sërish frikshëm në juglindje. Në 24 orë regjistrohen dy viktima, ndërsa bilanci tragjik i këtij fenomeni vetëm për këtë vit arrin në plot 30 të vdekur.