Tragjeditë në Shqipëri dhe “odiseja” e dëmshpërblimeve nga qeveria
Banorët nuk kanë marrë shumën që kanë kërkuar për shkak të dëmtime
Eljona Ballhysa
Megjithëse përfaqësuesit e qeverisë kanë garantuar se do të dëmshpërblejnë lekë më lekë banorët e prekur nga përmbytjet në komunat e Shkodrës, historiku i dëmshpërblimeve në vitet e fundit ka treguar se ka qenë problematik. Nëse do t’i referohemi të paktën tri episodeve tragjike të ndodhura gjatë dy viteve të kaluara, do të shikojmë një zinxhir të gjatë problematikash që ka shoqëruar proceset e dëmshpërblimeve. Duke nisur që nga tragjedia e Gërdecit, shembja e pallatit në Gjirokastër dhe tërmeti në Dibër, banorët e këtyre zonave janë ankuar se nuk kanë marrë koston reale të dëmeve, se paratë i kanë marrë me shumë vonesë, se biznesi nuk iu është përllogaritur në zhdëmtim, se një pjesë e parave nuk ka shkuar te personat në nevojë etj. Duket se e njëjta situatë ka për t’u përsëritur edhe me katastrofën e fundit të shkaktuar nga përmbytjet e mijëra hektarëve tokë dhe e qindra shtëpive, duke sjellë dëme marramendëse dhe një kosto të papërballueshme për qeverinë shqiptare. Megjithëse kryeministri Berisha ka premtuar zhdëmtimin e banorëve lekë me lekë, ky premtim duket se do të jetë i vështirë për t’u mbajtur për shkak se numri i personave që kërkojnë dëmshpërblim është tejet i madh dhe kostoja është e papërballueshme për buxhetin modest të Shqipërisë.
Problematika
Procesi i dëmshpërblimit të banorëve të Gërdecit ishte i gjatë, i vështirë dhe shumë problematik. Rreth 30 persona përfunduan në prokurori për t’u hetuar në lidhje me veprimet e kryera për hartimin e listave të banorëve që do të përfitonin dëmshpërblim për banesat e shembura dhe familjarët e humbur. Ndërkaq, shumë banorë organizuan disa protesta radhazi ku protestonin shumën e parave të vënë në dispozicion nga qeveria në formën e dëmshpërblimit. Shumë banorë të pakënaqur zgjodhën rrugën gjyqësore për të fituar shumën e kërkuar të dëmshpërblimit. Madje odiseja e dëmshpërblimit të banorëve të Gërdecit vazhdon edhe sot. Shumë banorë në atë periudhë organizuan protesta. Madje biznesmenët e zonës ku ndodhi shpërthimi i Gerdecit u ankuan se nuk kanë marrë shpërblimin sipas listave të bëra nga grupet e numërimit. Këta banorë janë shprehur se kanë marrë para vetëm për 20% të dëmit të shkaktuar, dhe jo masën 100%, siç ishte premtuar. Grupet e vlerësimit të dëmit, në preventivën e tyre, përcaktuan kompensimin e dëmeve në masën 15 deri në 20 për qind të dëmit që u është shkaktuar atyre nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve. Disa biznese u shkatërruan plotësisht nga ky shpërthim, ndërkohë që dëmshpërblimi nuk ishte në masën 100%. Madje dhe ata që përfituan dëmshpërblim arritën ta merrnin atë pas një periudhe të gjatë kohore. Kjo problematikë u shfaq në menaxhimin e dëmshpërblimeve për një komunë të vendit. Ndërkaq, përmbytjet në Veri kanë shkaktuar dëme në disa komuna dhe kanë prekur rreth 5 mijë banorë që kërkojnë dëmshpërblim jo vetëm për banesat, por për tokat e përmbytura, për bagëtitë dhe për bizneset e ngritura.
Një tjetër shembull ka qenë menaxhimi i dëmshpërblimit të banorëve të pallatit që u shemb në Gjirokastër. Banorët e këtij pallati organizuan një grevë urie disaditore në rrënojat e këtij pallati, duke kërkuar dëmshpërblimet për apartamentet që u shembën. Ky veprim i tyre erdhi pas vendimit të marrë për skemën e dëmshpërblimit. Banorët u shprehën se nuk ishin aspak dakord me vlerat e kompensimit të miratuara nga qeveria.
Nga pallati i shembur u prekën 18 familje që kërkuan dëmshpërblim nga qeveria. Në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, shtatë familje që kishin në pronësi apartamente 1+1 përfituan shumën prej 2,8 milionë lekësh të rinj, shtatë familje të tjera që kishin apartamente 2+1 përfituan shumën prej 3,6 milionë lekësh, ndërsa katër familje që jetonin si qiramarrëse përfituan shumën prej 400 mijë lekësh.
Pak muaj më parë, pikërisht më 6 shtator, një tërmet tronditi rrethin e Dibrës duke shkaktuar dëmtimin e banesave për rreth 1437 familje. Qeveria miratoi për dëmshpërblimin e tyre një fond prej 1,3 miliardë lekësh. Por banorët e këtij rrethi për disa muaj jetuan nëpër çadra për shkak të vonesave në tërheqjen e parave për dëmshpërblimin e tyre. Madje raportimet e asaj periudhe njoftonin se edhe pas gjashtë javësh nga rënia e tërmetit të 6 shtatorit, mijëra banorë në zonën e Gjoricës, ku dhe ishte epiqendra e këtij tërmeti, si dhe të komunave përreth, Zerqan, Shupenzë, Ostren, Fushë-Bulqizë etj., vazhdonin t’i gdhijnë ditët nëpër çadra. Prej një muaji ministri Basha u premtoi në emër të kryeministrit që banorët më të prekur do të dëmshpërblehen brenda 2 javësh. Por, ndërsa kishte kaluar mbi një muaj nga rënia e tërmetit, banorët ende vazhdonin të vuanin pasojat e tij shkatërruese, pasi, siç janë shprehur ata, asgjë nuk është bërë në ndihmë të tyre. Përveç problematikës që ka shoqëruar proceset e dëmshpërblimeve, ajo që ka shoqëruar tragjeditë me kosto për banorët ka qenë dhe mungesa e nxjerrjes së përgjegjësve. Ndërkohë që banorët kanë vuajtur pasojat, askush nuk ka vuajtur dënimet për tragjeditë e shkaktuara.
Ministria e Punës: Familjet e prekura nga përmbytja do të përfitojnë ndihmë edhe pas emergjencës
Ngrihen grupet e punës për identifikimin e nevojave që kanë familjet e prekura nga përmbytjet në Veri në të vendit. Ditën e djeshme, shefi i Kabinetit në Ministrinë e Punës, Klevis Bitro, ka bërë të ditur se kjo ministri, së bashku me Shërbimin Social Shtetëror me grupet e punës në terren, po identifikojnë të gjitha nevojat, ndërkohë që mbetet ende problem ndihma për ata persona që ende nuk janë evakuuar dhe vazhdojnë të qëndrojnë mbi ujë. Aktualisht janë rreth 4800 familje që janë identifikuar në zonat e përmbytura që po marrin ndihma ushqimore dhe që kanë gjetur strehim në ambientet e vëna në dispozicion nga strukturat qeveritare. Por, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punës, kjo është vetëm ndihma përsa i takon situatës së emergjencës, pasi në një moment tjetër do të fillojë dhe ndihma e postemergjencës. Bitro ka deklaruar se Ministria e Financave ka filluar të merret me hartimin e një plani për krijimin e një fondi të veçantë, i cili do të përfshijë çdo ministri. Përveç ndihmave nga brenda vendit, për zonat e përmbytura janë ofruar prej disa ditësh ndihma edhe nga shtetet fqinje. Sipas burimeve, këto do të vazhdojnë deri në kalimin e fazës së emergjencës.
13 Janar 2010