E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytja në Shkodër, mekanizmat që sollën hapjen e portave

Deklarata konfuze mes drejtuesve të KESH-it për datën e nisjes së shkarkimeve
Albert Gjoka

Kur kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga përmbytja e Shkodrës, ende nuk është sqaruar zyrtarisht se kush e dha urdhrin me shkrim për hapjen e plotave të hidrocentralit dhe nëse një gjë e tillë është bërë duke u bazuar në rregulloren për hapjen e digave. Situata bëhet më konfuze nëse sheh deklarimet e krerëve të Ministrisë së Energjetikës në media në lidhje me këtë çështje. Vetëm dy ditë më parë, drejtori i Korporatës Energjetike Shqiptare (KESH), Muharrem Stojku, deklaroi në emisionin televiziv “Shqip”, se ai është autor i këtij urdhri. Madje ai thotë se një veprim i tillë është kryer më datë 27 dhjetor. Krejt ndryshe deklaroi drejtori i Divizionit të Prodhimit pranë KESH-it, Robert Niko, në një të përditshme shqiptare. Ai u shpreh se shkarkimet kanë nisur më datë 30 dhjetor, pasi Fierza ishte në kuotat e 289 metrave kub për sekondë. Ndërkaq, mediat dhe disa ekspertë të çështjeve të energjetikës thonë se shkarkimet kanë nisur vetëm më datë 2 janar.

Data e hapjes
Një specialist që ka punuar në strukturat e Ministrisë së Ekonomisë thotë se në vitin 2004 janë hapur portat e Vaut të Dejës vetëm 2 orë, në 04-06 të mëngjesit dhe disa zona të Nën-Shkodrës janë përmbytur pa kaluar mesdita. Derdhjet me kapacitete që nuk kalonin sasinë 2800 metra kub për sekondë sollën pasojat e para menjëherë, duke mbuluar me ujë qindra hektarë tokë, në një nivel prej 10 centimetrash të lartë. Por, me urdhrin e ministrit të asaj kohe, u ndërpre shkarkimi në Vaun e Dejës pa kaluar as 120 minuta dhe në vendngjarje shkuan drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës së asaj kohe. Madje, sipas rregullores, është parashikuar që në të gjitha rastet të njofton strukturat e pushtetit vendor, përmes prefektit. Ekspertët e fushës thonë se në rast të hapjes së plotave më datë 27 dhjetor, përmbytja do të kishte nisur të paktën më 28 dhjetor. Edhe në rast se portat e Vaut të Dejës janë hapur më 30 dhjetor, të paktën natën e ndërrimit të viteve do ta kishin kaluar mes ujit mijëra banorë të Dajçit apo Bushatit. Por, banorët e Nën-Shkodrës e panë veten nën ujë vetëm më datë 2 janar, kur të gjithë zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Energjetikës apo edhe strukturave të menaxhimit të sistemit energjetik shqiptar po festonin Vitin e Ri në Shqipëri apo vende të tjera.

Më 27, apo 30?

Gjatë emisionit televiziv “Shqip”, në Top Channel, drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku, pranoi publikisht se ishte ai që dha urdhrin për hapjen e portave të hidrocentraleve. Madje ai sqaroi se zbatimi i urdhrit nisi më datë 27 dhjetor. Një gjë të tillë Stojku e ka bazuar mbi një vendim të marrë gati dy muaj më parë nga grupi i posaçëm që monitoron kaskadën. Ministri Prifti ka deklaruar se i ashtuquajturi Komision i Posaçëm është mbledhur më datë 8 nëntor. Në të njëjtin emision, deklarimi i kreut të KESH-it është komentuar nga inxhinieri Dhimitër Cici. Ai e konsideroi shkelje të rregullores hapjen e portave dy muaj pas vendimit që ka dhënë komisioni që monitoron kaskadën e Drinit. Madje, ai deklaroi se keqmenaxhimi e ka futur kaskadën në një zonë të rrezikshme.
Deklarata e dy ditëve më parë nga zoti Muharrem Stojku bie ndesh me një deklaratë të dhënë nga një tjetër drejtues i KESH-it. Drejtori i Divizionit të Gjenerimit në KESH, Robert Niko, duke sqaruar për një të përditshme shqiptare mënyrën e zbatimit të rregullores, është shprehur se “shkarkimet në Hidrocentralin e Fierzës kanë filluar që më datë 30 dhjetor 2009, kur Fierza ishte në kuotën 289.5 metra”.

Përmbytja
Pasditen e 2 janarit kryeministri Berisha inspektoi zonat e Lezhës dhe Shkodrës, ku pa nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet. Ai bëri të ditur se i ka kërkuar prefektit të Shkodrës që të shpallë gjendjen e emergjencës në komunat e Dajçit, Velipojës, Obotit dhe komunat përreth. Mediat dhe ekspertët pohuan se shkarkimet mund të jenë bërë pas datës 1 janar, duke parë gjendjen kritike në tri liqenet e kaskadës së Drinit.
Madje flitet se të dhënat janë marrë nga KESH-i, ku thuhet se derdhja e ujit nga liqeni i Fierzës ka filluar vetëm në mëngjesin e datës 2 janar. Sipas burimeve, KESH ka shkarkuar nga Fierza rreth 21.6 milionë metra kub ujë me një intensitet 463 m³/sek.

Procedurat administrative
Një ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Energjetikës thotë se në tavolinën e ministrit mbërrin çdo mëngjes informacioni i detajuar për nivelin e prurjeve dhe shkarkimeve nga të gjitha hidrocentralet e vendit, prodhimin e energjisë, turbinat që janë në punë dhe të dhënat e tjera të detajuara. Informacioni vjen nga dispeçeritë e HEC-eve dhe të KESH-it. Kjo procedurë raportimi, e cila bëhet sipas rregulloreve, do të krijonte mundësi për të marrë masa në çdo kohë. Një praktikë e tillë raportimi bën të mundur mbajtjen në korrent të gjendjes dhe për mbledhjen e Grupit të Posaçëm, i cili është autoriteti vendimmarrës për hapjen e portave.

Shkelja e rregullores
Rregullorja për hapjen e portave të hidrocentraleve përcakton qartë procedurat e shkarkimit të ujit nga digat. Madje ajo specifikon edhe rastet, sipas muajve të vitit. Menjëherë sapo Fierza arrin në kuotat e 285 metrave (260 metra relative) në periudhën tetor-shkurt, mblidhet Komiteti i Posaçëm dhe merr vendimin për shkarkimin e ujit dhe mbajtjen në kuotë të nivelit të liqenit të Fierzës dhe dy liqeneve të tjera poshtë tij. Të dhënat zyrtare flasin se Fierza ishte mbi kuotat e lejuara që para datës 27 dhjetor. Madje, një gjë të tillë e konfirmon edhe deklarata e kreut të Ministrisë së Energjetikës, zotit Dritan Prifti, i cili pohon se ka kërkuar mbledhjen e Komisionit të Posaçëm që më datë 8 nëntor. (Për mënyrën e funksionimit të Komitetit të Posaçëm shih rregulloren.) Publikimi në media i të gjithë dokumenteve me vendimet e marra nga Komiteti i Posaçëm dhe strukturat e tjera, deri në KESH apo drejtuesit e hidrocentraleve, do të hiqte të gjitha hamendjet dhe çoroditjet e krijuara për datën e nisjes së shkarkimeve, apo kuotat që sollën përmbytjet masive brenda pak ditësh në ultësirën e Nën-Shkodrës. Pas përmbytjes dhe gjendjes së rëndë që u krijua në kaskadën e Drinit dolën në skenë edhe ekspertët dhe projektuesit e hidrocentraleve. Njëri prej tyre, Farudin Hoxha, pranoi se janë bërë edhe disa gabime në menaxhimin e situatës dhe bëri apel që politika të mos ndërhyjë, duke kërkuar që këtë gjë t’ua lënë në dorë ekspertëve. Ai u shpreh se politika ka ndërhyrë në këtë situatë duke e përkeqësuar, por nuk ka përmendur emra konkretë që lidhen me problemet me të cilat u përball i gjithë sistemi i HEC-ve mbi Drin.

Opozita: Prokuroria të nisë hetimet me administrimin e provave

Menjëherë pasi janë regjistruar përmbytjet e para, kreu i opozitës, Edi Rama, i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet. Madje, këtë apel ai e përsëriti edhe tri ditë më parë, ku i kërkoi zyrtarisht kryeprokurores Ina Rama që të ngrejë grupin hetimor dhe të nisë punën për verifikimin e procedurave në terren. Ai artikuloi qartë kërkesën që organi i akuzës të marrë në administrim të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me procedurat e ndjekura nga strukturat e METE-s për gjendjen në të gjitha hidrocentralet dhe skemën e ndjekur për shkarkimet nga digat e tyre.

Prifti: “Ngrita Grupin e Posaçëm që më 8 nëntor”

Drejtuesi i Ministrisë së Ekonomisë deklaroi pak ditë më parë se ka marrë masat për të përballuar situatën që më 8 nëntor të vitit të kaluar. Zoti Prifti zhvilloi katër ditë më parë një mbledhje me Grupin e Posaçëm të Punës për menaxhimin e situatës së emergjencës në kaskadën e Drinit, i cili është ngritur me urdhrin e ministrit. Pas takimit, Prifti bëri të ditur për mediat rezultatet e “Grupit të Posaçëm, i cili, sipas tij, ka konkluduar që punohet në një skenar, kur prurjet kanë qenë mbi 1100 metra kub ujë në sekondë, kuota e lejuar pas këtyre prurjeve sipas të gjitha akteve ligjore në fuqi është 295.5 metra absolute, pra për Fierzën”. “Kemi vendosur me konsensus të plotë të të gjithë anëtarëve të Grupit të Posaçëm dhe të sekretariatit teknik për të vazhduar një regjim pune”.
Kreu i dikasterit u shpreh se siguria kombëtare nuk është aspak në rrezik dhe se specialistët i kanë bërë një menaxhim të shkëlqyer situatës. “Ishte një konsensus i gjithë takimit që objektivi kryesor i këtij grupi të posaçëm dhe sekretariatit teknik është zbatuar me rigorozitet. Objektivi kryesor i këtij grupi që kam ngritur edhe unë me urdhrin tim që më datën 8 nëntor 2009 është ruajtja e centraleve dhe digave, si edhe garantimi i sigurisë kombëtare nëpërmjet ruajtjes së centraleve dhe digave”, - tha ministri Prifti.

RREGULLORJA
Shkarkimi i plotave

Shkarkimi i plotave në tri hidrocentralet e Drinit është i ndryshëm për periudhën tetor-shkurt, për muajin mars dhe për periudhën prill-maj.

(I) Kur niveli në liqenin e Fierzës arrin kuotën 285.0 m absolute (286.0 relative), krijohet një komision i posaçëm, i cili përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Energjetikës, Ministrisë së Ndërtimit, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore (shërbimit sinoptik), Akademisë së Shkencave (Institutit Hidrometeorologjik), Komitetit të Digave të Mëdha, Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Shkodrës, si dhe nga specialistë të tjerë. Komisioni formohet nga Ministri i Energjetikës dhe kryesohet prej tij. Komisioni ka të drejtat dhe detyrat e mëposhtme:
- të vendosë për ato çështje të veçanta që rregullorja shprehimisht i lë në kompetencë të tij;
- të bëjë interpretim të rregullores në situata të veçanta, të cilat nuk janë parashikuar shprehimisht në rregullore;
- të bëjë ndryshime në zbatimin e rregullores për çështje të ndryshme, kur të dhënat sinoptike janë të tilla, që japin garanci të plotë se këto ndryshime nuk kanë pasoja të rrezikshme ose të dëmshme.

13 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›