Trajektoret e goditjeve të Ronaldos, një anomali fizike
Trajektoret e goditjeve të Ronaldos, një anomali fizike
Në një libër të shkruar nga profesori i Universitetit të Bath (në Angli), Ken Braj, Kristiano Ronaldo vlerësohet për rrezikun që u shkakton portierëve kundërshtarë nga goditjet standarde, për shkak të karakteristikës së veçantë në fluturimin e topit, e cila thyen ligjet e fizikës. Në botimin "Si të shënosh: Shkenca dhe Loja e Mrekullueshme", Braj trajton lidhjet shkencore ndërmjet futbollit dhe ligjeve të natyrës. Aty analizohen trajektoret e topave të disa prej lojtarëve që janë "mjeshtër" të goditjeve të dënimit drejt portës, si Didie Drogba, Devid Bekham dhe Kristiano Ronaldo. "Ekzekutimet e Kristiano Ronaldos janë të veçanta; topi nuk merr thuajse fare rrotullim pasi goditet. Në gjuajtjet e portugezit, topi reagon njësoj si në bejsboll dhe për këtë arsye portierët e kanë të vështirë të shquajnë trajektoren e saktë", tha studiuesi për spanjollen "AS". "Për sytë tanë, kur topi hyn në rrjetë, portieri ka bërë një gafë amatore, por në fakt nuk bëhet fjalë për një gabim. Kur janë në rrezen e portës, goditjet e Ronaldos janë shumë të vështira për t‘u pritur. Askush nuk gjuan si ai: lojtari që i afrohet më tepër është Kieran Riçardson i Sandërlendit. Golat e realizuar nga Ronaldo me goditje dënimi nuk lidhen me fatin".