Zyrtare, Shumi te Mercedes: Dua të fitoj
Konfirmimi është zyrtar dhe ka ardhur në orën 11:33 të ditës së djeshme nëpërmjet telekonferencës së Braklit, vendndodhjes së skuadrës së re Mercedes GP, ish-Braun GP. Lajmi është dhënë nga Norbert Haug, përgjegjësi i Motorsport Mercedes, i cili kishte pranë Ros Braunin, që mbetet si përgjegjësi i skuadrës së re dhe Majkëll Shumakerit. Dhe, në teori, jo për një vit të vetëm, siç ishte përfolur deri tani, por me vullnetin për të ecur përpara 3 vite. "Po, është programuar që unë të garoj për 3 vite", ka saktësuar vetë Shumaker. Tashmë përfundimisht ish-ferraristi ka shpjeguar arsyet e vendimit të tij: "Ros Braun dhe Mercedes, ky kombinim që nuk ishte parashikuar, më entuziazmon. Në këtë mënyrë mund t‘i dhuroj diçka shtëpisë së makinave nga Shtutgarti dhe nuk mundesha të refuzoja", ka thënë Shumi, duke shtuar se ka folur "natyrisht" edhe me gruan Korina: "Qartësisht që ky ka qenë një argument, por sapo ka parë dritën në sytë e mi, kur i kam folur për këtë gjë, më ka mbështetur plotësisht". Pse rikthehesh? "Në fund të 2006-ës isha thjesht i lodhur dhe nuk kisha më energji. Më pas u karikova sërish me energji, duke garuar me motorë dhe në Go Kart. Prandaj pranova ofertën e Ros Braun. Ndihem si një djalosh 12-vjeçar që do të zbresë në pistë", ka përfunduar ai, duke siguruar se nuk do të pretendojë të jetë numri një i skuadrës: "Këtë se kam bërë kurrë". Rreth formës fizike, ka bërë të ditur: "Nuk kam më asnjë problem në qafë. Verën e shkuar kisha shumë pak kohë për t‘u rikuperuar, por tashmë kisha mjaftueshëm për t‘u shëruar plotësisht. Pas tërheqjes së dhimbshme të vitit të kaluar, kisha akoma një llogari të hapur. Doja të kuptoja nëse mundesha vërtet të rikthehesha në garat e Formula 1. Po, mundem dhe dëshiroj ta bëj. Nuk kam asnjë dyshim që mund të jem në formë fizike për ta zhvilluar këtë sezon dhe për të mundur të garoj për vendet e para". Sot Shumi do të prezantohet në skuadër, gjithnjë në Barkli. Një lloj dhurate për Krishtlindje. Reagimi i parë ka ardhur pikërisht nga kolegu pilot gjerman: "Ai dhe unë do të formojmë një çift shumë të fortë", ka thënë Niko Rosberg, që Mercedes e kishte zyrtarizuar pak javë më parë. "U kënaqa që u rikthye, tha Sebastian Vetel. Të shikojmë nëse mosha do t‘i lejojë të jetë sërish në gjendje të garojë me të rinjtë".