Trajkoviç: Beogradi nuk ka kapacitete për bisedime
"Beogradi, aktualisht, nuk ka kapacitete që të hyjë në bisedime për statusin e Kosovës”, vlerësoi Rada Trajkoviç, politikane serbe nga Graçanica, në intervistën për radion “Evropa e Lirë”. Ajo tha se pret një integrim të heshtur, jo të dhunshëm, të Veriut. E pyetur rreth zgjedhjeve të organizuara nga Beogradi, të zhvilluara kohë më parë në veriun e Mitrovicës dhe në Novobërdë, liderja serbe, e njohur për angazhimet e saj në krahun e ekstremistëve nacionalistë serbë gjatë dekadave të zhbërjes së ish-Jugosllavisë dhe të represionit serb në Kosovë, i tha radios “Evropa e Lirë” se “zgjedhjet është dashur të tregojnë që Serbia po i shpall ato në hapësirën e Kosovës dhe se ajo ende ka ndikim institucional në këtë hapësirë, si dhe përfundimisht të tregojë se pozicioni i saj është mostërheqja nga hapësira e Kosovës”. “çfarë treguan këto zgjedhje?”, pyeti Trajkoviç dhe u vetëpërgjigj: “Para së gjithash mendoj se të gjitha zgjedhjet që mbahen në këtë hapësirë, tregojnë mangësitë me të cilat ne përballemi dhe kjo nënkupton që lojërat me numra të njerëzve, të cilat janë në listat zgjedhore, nuk janë reflektim i realitetit në terren. Fatkeqësisht, ky problem nuk ekziston vetëm sot, por është vazhdimësi e problemit të serbëve dhe shqiptarëve në këtë hapësirë që gjithmonë t’i rrisin shifrat. Unë do të thosha se në veriun e Mitrovicës, zgjedhësit janë ngritur në nivelin gati prej 20 mijë banorë. Ky numër nuk i përgjigjet realitetit, edhe pse shumë analistë do ta shfrytëzojnë këtë shifër si diçka, me të cilën do ta shantazhojnë abstenimin e zgjedhësve serbë në këto zgjedhje”.
#