Trajner i mirë, por kontrovers

Në stinorin pranveror, Prishtina nuk do të udhëhiqet nga trajneri Ramiz Krasniqi, me të cilin bardhekaltrit pjesën e parë të kampionatit e përmbyllën në vendin e parë.
Drejtuesit e klubit bardhekaltër kanë vendosur që ekipin në pjesën e dytë të kampionatit ta udhëheqë trajneri gjerman, Wolfgang Jerat. Këtë rokadë brenda FC Prishtinës e ka konfirmuar nënkryetari i klubit, Afrim Muçiqi.
“Bordi i klubit e ka mbështetur fuqishëm iniciativën e presidentit Remzi Ejupi, për ta bërë një ndryshim në shtabin teknik. Kështu, më 1 dhjetor do ta zyrtarizojmë angazhimin e trajnerit gjerman Wolfgang Jerat në krye të shtabit teknik. Të paktën deri në fund të këtij kampionati, ai do të jetë trajner i Prishtinës, me mundësi të vazhdimit”, ka deklaruar Muçiqi për Express.
Trajneri 56 vjeçar gjatë karrierës ka drejtuar skuadrën e Kolnit, Wuppertalerit dhe së fundi Bonner SC. Në vitin 2008, Jerat me sukses ka drejtuar Wuppertalerin, por befasisht ishte shkarkuar. Sipas medieve gjermane, Wolfgang Jerat ishte shkarkuar nga ekipi pasi vazhdimisht ishte vonuar në stërvitje.
Jerat njihet si trajner i mirë, por me disa zakone të çuditshme. Ai nuk udhëton me skuadrën kur kanë ndeshje, por me makinën e tij private. Madje shumë herë në vend të ‘hotelit’ ka fjetur edhe në makinë.
Trajneri gjerman shumicën e kohës e kalon me qenin e tij, të cilin preferon ta ketë edhe gjatë stërvitjeve. E ai që e njeh mirë Wolfgang Jerat është sulmuesi kosovar Bekim Kastrati, i cili ka punuar me të te skuadra Bonner SC.
“Wolfgang Jerat është një trajner që do shumë punë, ka një filozofi dhe aplikon lojë ofanzive. Por, ai ka një gjë të veçantë dhe nëse lojtarët arrijnë ta kuptojnë dhe t’i zbatojnë udhëzimet e tij, besoj se Prishtina do të ketë sukses. Është interesante që ish trajneri im të punojë në një klub të vendlindjes time”, ka thënë Kastrati për Express.
Mt: Me Jeratin, Prishtina synon të riorganizohet
Udhëheqësit e Prishtinës besojnë se vendimi i tyre për ta angazhuar Wolfgang Jerat në krye të shtabit teknik do të del shumë i qëlluar. Sipas tyre, trajneri gjerman do ta ndihmojë klubin bardh e kaltër të shkojë drejt profesionalizimit të plotë.
“Bëhet fjalë për një trajner të njohur dhe të respektuar në Gjermani dhe më gjerë. Me ardhjen e tij futbolli kosovar do të popullarizohet më shumë brenda edhe jashtë Kosovës. Klubi ynë do të përfitojë më së shumti, por edhe do të përmirësohet imazhi i futbollit kosovar në përgjithësi . Ai do të kontribuojë në riorganizimin e klubit tonë, duke filluar prej shkollës së futbollit e deri në majat e klubit”, ka thënë Afrim Muçiqi.
Krasniqi, drejtor sportiv
Ndërsa trajneri i deritashëm i FC Prishtinës, Ramiz Krasniq nga e premtja është emëruar drejtor sportiv i klubit bardh e kaltër. “Krasniqi e ka bërë një punë të shkëlqyeshme si trajner dhe ne i jemi mirënjohës. E falënderojmë që e ka kuptuar qartë vendimin e bordit për ndryshim në shtabin teknik, pasi kjo është në favor të klubit. Nuk bëhet fjalë për shkarkim ose largim të Krasniqit. Ai vazhdon të punojë në Prishtinë, por tani si drejtor sportiv, të cilën detyrë ne besojmë se Krasniqi do ta kryejë me shumë sukses”, ka thënë Muçiqi.