E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajner kroat për Tiranën

TIRANË – Ende nuk ka përfunduar gjë, por me shumë gjasa Tirana do të ketë një trajner kroat. Pak ditë pasi “Korrieri” shkroi për një “pazar bardheblu në Kroaci”, burimet fare pranë klubit konfirmuan dje se është piketuar një trajner kroat si pasardhës të Sulejman Memës. Burimet nuk ishin në gjendje të identifikonin se kush do të ishte trajneri, por dinin planin sipas të cilit do të krijohet Tirana e sezonit 2008-2009.

“Trajneri kroat është gjetur, edhe me këshillat e një njeriu të klubit që di serbo-kroatisht dhe është plani që ai të sjellë me vete boshtin e skuadrës së ardhshme”, - thonë burimet. Konkretisht bëhet fjalë për një portier, një qendërmbrojtës, një mesfushor qendre dhe një qendërsulmues, saktësisht ata që duhen për të formuar një bosht skuadre.

Sulmuesi mund të jetë askush tjetër përveçse Pero Pejiç që ka përfunduar kontratën me Dinamon kampione, ndonëse duhet të luajë në Champions. Presidenti Halili është siguruar nga njerëz pranë tij se trajneri kroat mund ta marrë pa problem Pejiçin, golashënuesin e dytë më të mirë të kampionatit shqiptar.

Vetë Halili nuk dëshiron të komentojë, ndërsa në të kaluarën ka lënë të kuptohet se trajneri i ri mund të jetë i huaj, por ndoshta edhe shqiptar. “Do të këshillohem me miq të mi, me specialistë para se të vendos”, - është shprehur Halili. Pasi kanë kaluar disa ditë nga ky deklarim, rrethi është ngushtuar në trajnerin kroat (është menduar edhe slloven), ndërsa më parë mendohej edhe për një trajner shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›