Maldini, i ofenduar nga Milani

Pas më shumë se 20 vjetësh mund të përfundojë dashuria mes kapitenin legjendar Paolo Maldini dhe Milanit. Diçka ishte parashikuar, por tashmë ka më shumë detaje. Kontrata e Paolos ka përfunduar dhe për ta rinovuar edhe për një sezon tjetër ai kërkon 3 milionë euro në sezon, ndërsa drejtuesit kuqezinj i ofrojnë atij 1,5 milionë euro. Një rrogë më e drejtë kjo, por që refuzohet nga flamuri i Milanit, duke parë edhe të kaluarën e tij. Maldini tashmë e ka të qartë. Nëse drejtuesit e Milanit duan ta mbajnë vërtet, duhet ta trajtojnë atë si një lojtar të dorës së parë, ose nëse duan ta mbajnë për shkak të së kaluarës së tij, atëherë ai pritet që t’i falënderojë dhe nuk do të pranojë. Për këtë arsye, drejtuesit e Milanit kanë bllokuar shitjen e Dario Simiç. Nëse kapiteni do të largohet, atëherë mbrojtësi kroat me apo pa dëshirë do të qëndrojë në Milanelo. Për momentin Maldini ndodhet në SHBA për të pushuar dhe duket se i ka lënë disi mënjanë çështjet ekonomike, por pas pak ditësh nuk përjashtohet mundësia që ai t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur, dhe të marrë rolin e drejtuesit po tek kuqezinjtë.
Getafe ofertë Kostakurtës
Alesandro Kostakurta ka marrë një ofertë nga Spanja për të zëvendësuar në stolin e Getafes Mikael Laudrup. Këtë e ka bërë të ditur e përditshmja spanjolle “Marca”, e cila shkruan se ish-mbrojtësi i Milanit ka shumë mundësi që të jetë trajneri i ardhshëm i skuadrës spanjolle. Presidenti i Getafes, Angel Torres, i ka dhënë 15 ditë kohë drejtorit sportiv, Toni Munoz, për të gjetur një trajner të ri. Pavarësisht se presidenti i Getafes dëshiron një trajner spanjoll për skuadrën e tij, Munoz ka hyrë në bisedime me Kostakurtën, i cili në sezonin që sapo u mbyll ka qenë zëvendës i Karlo Ançelotit tek Milani. “Marca” shkruan se Munoz ka kontaktuar edhe me Arrigo Sakin, i cili mendohet se i ka dhënë sigurinë maksimale për ish-lojtarin e tij. Tashmë oferta për Kostakurtën është bërë dhe të gjithë janë në pritje të përgjigjes së tij. Billi ka kërkuar disa ditë kohë për të kthyer një përgjigje, pasi dëshiron më parë të pyesë dhe familjen e tij nëse ka dëshirë apo jo të lëvizë jashtë Italisë.