E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shkozeti” prangos dy trafikantët e “beretave” dhe “zastavave”

Sekuestrohet një arsenal armësh dhe municionesh në Durrës e Mamurras. Policia arreston Fatmir Ramajn dhe Fisnik Gashin. Hetim për linjën e trafiku

DURRËS – Zbulohet një çerdhe trafiku armësh në rrethin e Durrësit, fare pranë portit më të madh të vendit, ku dy ditë më parë policia sekuestroi një sasi pistoletash tip “Berreta” dhe “Zastava”, si dhe arrestoi dy persona. Burimet zyrtare të policisë së qytetit bregdetar bëjnë të ditur se për kapjen e tyre u organizua operacioni i koduar me emrin “Shkozeti”, i cili nisi në Lagjen Nr. 14 në Durrës dhe përfundoi në qytezën e Mamurrasit. Sipas tyre, mbrëmjen e së mërkurës janë arrestuar shtetasit Fatmir Ramaj dhe Fisnkik Gash. Këtyre personave iu janë gjetur dhe bllokuar nga forcat e rendit një arsenal luftarak armësh të llojeve të ndryshme si; pistoleta, granata dore difensive që përdoren nga trupat e këmbësorisë dhe 2 armë automatike. Të arrestuarit akuzohen për veprat penale të “të trafikimit të armëve luftarake” dhe “të mbajtjes pa lejë të armëve e municioneve luftarake”.
Aksioni
Gjatë operacionit policor të organizuar në Lagjen Nr. 14, në shtëpinë e shtetasit Fatmir Ramajt policia bllokoi 3 copë pistoleta tip “Berreta” të nikeluara, të kalibrit 7. 65mm, me nga një krehra me 5 copë fishekë, 5 copë pistoleta “Zastava” të kalibrit 6.35 mm, me nga një krehër me 4 copë fishekë, 1 automatik kallashnikov, prodhim kinez me qytë metalike të përkulshme, model 56, i kalibrit 7.62 mm. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë, së bashku me këtë armatim, u sekuestruan edhe 3 krehra automatiku me nga 30 fishekë secili. Dy prej karikatorëve ishin të lidhura 2-she për të rritur tempin e shpejtësisë luftarake të qitjes me armë në rast përdorimi. Në një çantë tjetër u gjenden 260 copë fishekë model 56 të kalibrit 7.62 mm, si dhe 4 krehra pushke gjysmë automatike, të njohura si karabina vetëmbushëse model 56, me nga 10 copë fishekë secili. Gjatë kontrollit u gjetën edhe 3 copë granata dore defensive, 2 prej të cilave të taposura, jashtë gatishmërie luftarake, ndërsa njëra me ndezës të montuar, e gatshme për t’u aktivizuar në çdo moment. Pas përfundimit të kontrolleve në Durrës, një grup i gatshëm është nisur me urgjencë drejt Mamurrasit, pikërisht në banesën e 26-vjeçarit Fisnik Gashi. Policia lokale bën të ditur se atje u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pushkë automatike 20-she, prodhim shqiptar, si dhe 1 krehër me 20 fishekë.
Linja e trafikut
Ky rast, por edhe rastet e kaluara, që janë zbuluar nga policia, tregojnë se qyteti bregdetar është kthyer në një pikë transiti e trafikimit të armëve të llojeve të ndryshme. Burimet në grupin hetimor që po merret me operacionin “Shkozeti” pohojnë se trafikimi i pistoletave “Zastava” dhe “Berreta” në Durrës realizohet përmes lidhjeve nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Sipas të dhënave paraprake dhe nisur edhe nga modeli i pistoletave të kapura ka gjasa që pistoletat ne fjalë të jene të ardhura nëpërmjet Malit të Zi, pasi specialistët mendojnë se janë prodhim i ish-republikave jugosllave. Pistoletat “Zastava” janë identike me kopjet e pistoletave “Miniblow” prodhim turk, me patentë amerikane, të cilat qarkullojnë edhe në Shqipëri. Vetëm në qytetin e Durrësit në zonën e plepave Plazh, para 2 viteve, janë kapur në një rast të vetëm rreth 156 copë të tilla. Një sasi e madhe u kap dhe një vit më parë nga punonjësit e specializuar të trafikut në Portin e Durrësit. Pistoletat ishin futur në paretet metalike të shasisë së një mjeti, i cili ishte i gatshëm për të hipur në traget dhe me destinacion final Italinë.

ARMËT E SEKUESTRUARA

3 pistoleta tip “Berreta” të kalibrit 7.65 mm
5 pistoleta tip “Zastava” të kalibrit 6.35 mm
1 automatik model 56, i kalibrit 7.62 mm
3 krehra me nga 30 fishekë, të kalibrit 7.62 mm
260 copë fishekë model 56 të kalibrit 7.62 mm
3 granata dore të llojit difensive
4 krehra pushke model 56 të kalibrit 7.62 mm
1 pushkë 20-she model 56, e kalibrit 7.62 mm
1 krehër me 20 fishekë për pushkë 20-she

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›