Trajnerët e huaj pushtojnë Europën
Dash Frashëri
Shqipëria nuk është i vetmi vend në Europë që është në kërkim të një trajneri. Edhe Belgjika është një e tillë, pas shkarkimit të ish-trajnerit Rene Vandereycken, të larguar më 7 prill pas humbjes me Bosnjë-Hercegovinë. Ende pa trajner zyrtar është dhe Maqedonia pas vetëdorëheqjes të Srecko Katanecit.
Emërimi i trajnerit të ri të Kombëtares është çështje orësh. Edhe pse nuk dihet zyrtarisht emri i tij, të paktën dihet se do të jetë njëri nga këta të tre: austriaku Peter Pakult (50 vjeç), kroati Ilija Lonçareviç (65 vjeç) e krotati tjetër Josip Kuzhe (57 vjeç).
Tekniku i ri do të jetë i pesti në shtatë vitet e fundit, cikël që nisi me italianin Xhuzepe Dosena, e vazhdoi me gjermanin Hans-Peter Brigel, kroatin Oto Bariç e holandezin Ari Han.
HISTORI
Tema e trajnerit të huaj në krye të bankinës shqiptare ka qenë vazhdimisht e pranishme në ambientet futbollistike e mediatike, ku argumentet “pro” e “kundër” kanë kundërshtuar njëra-tjetrën, herë me objektivitet e herë me subjektivitet, duke prodhuar e nxitur një debat të nxehtë mbi dobishmërinë e dëmshmërinë e teknikut të huaj.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, (një njeri më shumë i botës së biznesit) ka qenë “kokëfortë” në parimet e tij për të pasur në krye të Kombëtares vetëm një trajner të huaj, e duke përjashtuar në mënyrë kategorike pistën lokale, duke shpenzuar shifra 200-300 mijë euro për një edicion kualifikues, të cilat kurrë nuk do t’ia paguante një trajneri vendas. E njëjta logjikë funksionon përgjithësisht në Shqipëri edhe me presidentët e klubeve kundrejt lojtarëve të huaj që kanë në skuadrat e tyre.
Në fakt, në 64 vite histori të Kombëtares sonë, përpos ndonjë ndeshje të madhe nga trajnerët shqiptarë si Loro Boriçi, Shyqyri Rreli e Medin Zhega, ka dy pika kulmore, që kanë të bëjnë me fitimin dy trofeve në nivel ndërkombëtar nga kuqezinjtë tanë.
I pari është Kampionati Ballkanik i vitit 1946 (aktivitet zyrtar, atëherë nuk kishte lindur Kampionati Europian), ku Shqipëria u shpall kampione e gadishullit, por e drejtuar nga një trajner jugosllav (serb), Ljubisha Broçiç, i cili më pas ka drejtuar në rang kombëtaresh dhe Zelandën e Re, Kuvajtin e Bahreinin, por ka drejtuar edhe skuadrat më të mëdha në botë si Barcelona, Juventusi e PSV Eindhoven.
Momenti i dytë përkujtimor është fitimi i turneut ndërkombëtar “Rothmans”, të fituar në Maltë nga trajneri Medin Zhega në vitin 2000, aktivitet ku morën pjesë Malta, Andorra e Azerbajxhani.
Shqipëria gjatë historisë së saj 64-vjeçare me Kombëtaren ka zhvilluar shumë pak ndeshje që kanë mbetur në histori, nga fitorja e saj e parë me Bullgarinë (1946, Kampionati Ballkanik) dhe te barazimi i madh me Portugalinë (2008, El.Kampionati Botëror 2010), duke futur këtu dhe barazimin me Gjermaninë (0-0, 1967, El.Kampionati Europian 1968), fitorja me Belgjikën (2-0, 1984, El.Kampionati Botëror 1986) e fitorja e jashtëzakonshme me Greqinë (2-1,2004, El.Kampionati Botëror 2006).
Nuk duhet mohuar kurrsesi, se pjesë e rezultateve të mëdha të Shqipërisë në arenën ndërkombëtar kanë qenë pjesë edhe trajnerët e huaj të saj, duke nisur me jugosllavin Ljubisha Broshiç (fitoi me Shqipërinë kampionatin ballkanik 1946), gjermanin Hans Peter Brigel (fitoi kundër Rusisë, 3-1, dhe kundër Greqisë, 2-1, atëherë kampione në fuqi të Europës), kroatin Oto Bariç (dy barazime të forta me Bullgarinë, ku dallon ai 0-0 në Sofje) e përfunduar me holandezin Ari Han (barazimet spektatolare me Suedinë e Portugalinë).
TRAJNERET E HUAJ
Le të shohim se kush kanë qenë më parë katër trajnerët e huaj që kanë drejtuar Shqipërinë, përpara se ata të merrnin në dorëzim përfaqësuesen tonë. Italiani Xhuzepe Dosena (kampion bote me Italinë në Spanjë, në fakt nuk luajti asnjë minutë), gjermani Hans-Peter Brigel (kampion bote me Gjermaninë), holandezi Ari Hani (dy herë nënkampion bote me Holandën) na u imponuan me emrin e madh si lojtar.
Xhuzepe Dosena, kur u zgjodh nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kishte drejtuar Ganën në Afrikë dhe kishte qenë ndihmës i Cezare Maldinit në bankinën e Paraguajit në një kampionat botëror (2002), një “pasaportë” e bukur kjo.
Brigel përpara se të pasonte italianin e larguar “fshehurazi”, kishte pak eksperiencë si trajner. Pas disa eksperiencave modeste në Gjermani e Turqi (Beshiktashin, Trabzonsporin), Shqipëria ishte trampolina e madhe e karrierës së tij. Nuk pranoi të drejtonte për një edicion të tretë Shqipërinë (për shkak të klauzolave në kontratën e paraqitur nga FSHF) dhe dështoi më pas si trajner i Bahreinit, ashtu dhe si me Ankaruguçy në Turqi (është në gjyq me klubin turk). Brigel është dhe trajneri rekordmen me Kombëtaren shqiptare, 13 pikë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2006.
Bariç përpara se të merrte drejtimin e Shqipërisë, kishte drejtuar një duzinë skuadrash në rreth 2000 ndeshjesh, teksa me Shqipërinë në humbjen e hidhur kundër Rumanisë (6-1) kompletoi numrin e 100 ndeshjeve si trajner i kombëtareve të Kroacisë, Austrisë e Shqipërisë. Ende sot konsiderohet si “mentori” i duhur për të futur në shinat e duhura “trenin” e kombëtares shqiptare.
Për Ari Hanin, Shqipëria ishte Kombëtarja e tretë që ai drejtonte pas eksperiencave në Kinë e Kamerun, por e parë në Europë, të cilën dëshironte ta përdorte për “gjuetinë” e një ekip më të madh e më shumë para.
Dy kroatët kandidatë për vendin vakant të Kombëtares kanë në “CV”-të e tyre një të kaluar me kombëtare afrikane, Longareviç ka drejtuar më parë përfaqësuesen e Libisë, ndërsa Kuzhe atë të Ruandës, por pa pasur ndonjë sukses të dukshëm me to.
TENDENCË
Anglia konsiderohet djepi i futbollit modern, por ka fituar vetëm një herë në kompeticionet e mëdha ndërkombëtare, pikërisht Kampionatin Botëror të vitit 1996, kur në finale mundi 4-2 Gjermaninë Perëndimore, por me një gol që sot edhe kësaj dite ende diskutohet se kishte kaluar vijën e portës apo jo. Ndër 16 trajnerët që kanë drejtuar Anglinë, që nga viti 1946, vetëm dy janë të huaj: suedezi Sven Goran Erikson dhe italiani Fabio Kapelo, aktualisht në detyrë e me misionin e madh për të fituar Botërorin e Afrikës së Jugut. Kapelo rezulton deri tani edhe si trajnerin me përqindjen më të lartë të suksesit për ndeshje: 77%, të dytët janë Alf Ramsej (61%) e Glen Hodëll (61%).
Për t’u ndalur edhe në një tjetër argument në ishullin britanik: Mançester Junaitid (në finale të Ligës së Kampioneve), Liverpuli, Celsi e Arsenali, katër ekipet e mëdha angleze drejtohen nga trajnerë jo-anglezë: respektivisht nga skoceci Ferguson, spanjolli Benitez, holandezi Hidink e francezi Venger. Në Premier League të paktën në njëzet vitet e fundit ka dy kampionate brenda saj, një për katër ekipet e lartpërmendura dhe një tjetër për 16 skuadrat e tjera.
Rusia është një tjetër fuqi europiane në futboll. Si Bashkimi Sovjetik ka fituar Kampionatin e parë Europian 1960. Pas tetë trajnerësh të “pastër” rusë (nga 1992), më në fund Federata Ruse i ofroi një kontratë pune gjeniut të taktikës, holandezit Gus Hidink, i cili drejton që nga viti 2006, por që më parë ka drejtuar përveç Holandës edhe Korenë e Jugut dhe Australinë.
Kur Greqia fitoi Kampionatin Europian 2004 (në Portugali) në median helene e ndërkombëtare u tha se kjo mund të përsëritet një herë në 1 mijë vjet. Arkitekti i kësaj super-arritje ishte gjermani Oto Rehagel, i cili drejton Greqinë që nga viti 2001. Gjatë historisë moderne të Kombëtares greke (nga viti 1966) kanë drejtuar 16 trajnerë e midis tyre janë tre të huaj: irlandezo-veriori Billi Bingam dhe rumuni Angel Jordanesku, e së fundi “mbreti” Rehagel.
STATISTIKA
Shqipëria nuk është e vetmja skuadër në kontinent që u drejtua (së fundi nga holandezi Ari Han) e do të drejtohet në tri vitet e ardhshme nga një trajner i huaj (kandidatë: Longareviç, Kuzhe, Pakult). Panorama europiane e 53 ekipeve përfaqësuese që aderojnë në zonën europiane, UEFA, jep një statistikë: 18 trajnerë drejtojnë ekipe kombëtare të ndryshme nga kombësia e vendit të tyre.
Duke i hedhur një sy 53 ekipeve kombëtare të zonës UEFA, ia vlen të publikojmë disa statistika. Përgjithësisht vendet e vogla me futboll në zhvillim e sipër kanë në krye të ekipeve përfaqësuese trajnerë të huaj.
Andora drejtohet nga spanjolli David Rodrigo, Armenia nga danezi Jan P.Poulsen, Azerbajxhani nga gjermani Berti Vogts, Bjellorusia nga gjermani tjetër Bernd Stange, Qipro nga greku Angelos Anastialidis, Ishujt Faroe nga irlandezi Brian Kerr, Finlanda nga anglezi Stjuart Bakster, Kazakistani gjermanin Bernd Stork, madje edhe Gjeorgjia, me të cilën do të zhvillojmë një ndeshje miqësore, më 10 qershor drejtohet nga argjentinasi i njohur Hektor Kuper.
Kjo ndodh edhe me dy ekipe të grupit tonë eliminator: Hungaria ka për trajner holandezin Ervin Koeman, ndërsa Malta, çekun Dushan Fitcel. Të mos harrojmë se Polonia e Irlanda, dy ekipe me emër në Europë drejtohen respektivisht nga holandezi Leo Benhaker e italiani Xhovani Trapatoni.
Pesë trajnerë gjermanë drejtojnë jashtë atdheut të tyre, duke mos përfshirë këtu Joakim Lëvin, i cili drejton Kombëtaren e vendit të tij. Holandezët janë të dytët më të kërkuar: tre të tillë drejtojnë në Europë, më pas italianët (2), spanjollë (2).
EKIPET KOMBËTARE NË EUROPË
Trajnerët me kombësi ndryshe nga ekipi
Vendi Trajneri Kombësia
Shqipëria vakant i huaj
Polonia Leo Benhaker Holandë
Rusia Gus Hidink Holandë
Zvicër Otmar Hitcfeld Gjermani
Greqia Oto Rehegal Gjermani
Finlanda Stjuart Bakster Angli
Qipro Angelos Anastialidis Greqi
Ishujt Faroe Brian Kerr Irlandë
Gjeorgjia Hektor Kuper Argjentinë
Hungaria Ervin Koeman Holandë
Irlanda Xhovani Trapatoni Itali
Kazakistani Bernd Stork Gjermani
Lihteshtejni Hans-Peter Zaug Zvicër
Malta Dushan Fitcel Ceki
Andora David Rodrigo Spanjë
Armenia Jan P.Poulsen Danimarkë
Azerbajxhani Hans-Hubert Vogts Gjermani
Bjellorusia Bernd Stange Gjermani
Trajnerët me kombësi të njëjtë nga ekipi
Vendi Trajneri Kombësia
Austria Dietmar Constantini Austri
Belgjika vakant vakant
Bosnjë-Herc. Miroslav Blazeviç Bosnjë
Bullgaria Stanimir Stoilov Bullgari
Kroacia Slaven Biliç Kroaci
Cekia Frantisek Steka Ceki
Danimarka Morten Olsen Danimarkë
Anglia Fabio Kapelo Itali
Estonia Tarmo Rutlu Estonia
Maqedonia vakant vakant
Franca Rajmond Domenek Francë
Gjermania Joakim Lëv Gjermani
Islanda Olaf Johaneson Islandë
Izrael Dror Kashtan Izrael
Itali Marçelo Lipi Itali
Letonia Aleksander Starkovs Letoni
Lituania Hoze Kouseiro Portugali
Luksemburg Gi Helers Luksemburg
Moldavi Igor Dobrovolski Moldavi
Mali i Zi Zoran Filipoviç Mali i Zi
Holanda Bert van Marvijk Holandë
Irlanda V. Nigel Uorthington Irl.Veriut
Norvegji Egil Olsen Norvegji
Portugalia Karlos Kueiroz Portugali
Rumania Razvan Luçesku Rumani
San Marino Xhampaolo Maca San Marino
Skoci Terri Batçer Skoci
Serbia Radomir Antiç Serbi
Slovakia Vladimir Veis Slovaki
Slovenia Matjazh Kek Sloveni
Spanja Vinsente del Boske Spanjë
Suedi Lars Lagerbak Suedi
Turqi Fatih Terim Turqi
Ukrainë Oleksij Mihaliçenko Ukrainë
Uellsi Xhon Toshak Uellsi
16 Maj 2009