E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajnerët e huajt, në skanerin e Hafizit

Leonard Karaj - Doni një mendim eksperti për atë që kanë sjellë në Kombëtare 5 trajnerët e huaj të epokës Duka? Ju jep në vetë të parë në pjesën e fundit të ciklit të intervistave për “Panorama Sport”, Astrit Hafizi. Si ish-trajner i ekipit përfaqësues, shkodrani rreket të jetë sa më i drejtpërdrejtë në analizën që i bën me radhë Dosenës, Brigelit, Bariçit, Hanit dhe së fundmi Josip Kuzhesë. Kritikave të tij i shpëtojnë vetëm italiani Dosena, jo i gjykueshëm sipas tij, për faktin se qëndroi pak në krye të Kombëtares dhe tekniku aktual, puna e të cilit do të matet vetëm pas kualifikimeve të EURO 2012, që do të nisin në fillim të shtatorit të këtij viti.
Një ish-trajner i Kombëtares, që ka drejtuar për tre vjet këtë skuadër ndoshta në kohën më të vështirë, gjatë trazirave të ‘97-ës, si e gjykon punën e pasardhësve të tij në drejtim të këtij ekipi?
Përgjithësisht trajnerët që erdhën pas meje kanë qenë shumë herë më të privilegjuar, pasi shumë gjëra ndryshuan për më mirë. Ndryshuan rrogat, infrastruktura dhe gjithçka u bë më e lehtë, ndaj në gjykimin tim edhe puna në krye të ekipit ka qenë më e lehtë si në konceptin e mundësive që të jepeshin, por edhe të shortit që Kombëtarja ka pasur në kualifikimet e mëvonshme.
Cilin trajner konsideroni si më të privilegjuarin?
Sipas meje Brigel ka qenë më i favorizuar, sepse ka pasur në grup një skuadër më shumë më të dobët. Në kualifikimet e Botërorit 2006 Shqipëria ishte në një grup me 7 ekipe, ku dy prej tyre ishin më të dobëta se ekipi ynë, Kazakistani dhe Gjeorgjia, pra, praktikisht luaje me 12 pikë teorike në xhep. Po kaq skuadra ka pasur më duket edhe Bariç, por Brigelin e cilësoj si më të privilegjuar edhe për faktin se pati më shumë kohë në dispozicion për të krijuar skuadrën që ai dëshironte.  
Me këtë po thoni se rekordi prej 13 pikësh i Brigelit nuk duhet të merret si i tillë?
Pikët e Brigelit janë ato që janë, por fakt është se Shqipëria luajti 12 ndeshje pra, 2 më shumë se në kualifikimet e mëparshme, por edhe të tanishmet. Në ato ndeshje Shqipëria kishte dy skuadra më të dobëta se vetja, Kazakistani dhe Gjeorgjia, ndaj teorikisht i fillonte ato kualifikime me të paktën 10 pikë (3 fitore, 1 barazim) në xhep. Ndaj nuk e konsideroj rekord atë të Brigelit. Pastaj, më thoni ju, duhet të shihet si rekord ai i Brigelit dhe jo ai që arriti Bajko, i cili grumbulloi 8 pikë në një grup me 6 skuadra? Për mua ai është rekord.  
Sipas jush, cili nga trajnerët e huaj ka qenë më i mirë për Shqipërinë?
Asnjëri, përderisa të gjithë u larguan nga drejtimi i ekipit. Dosena mendoj se nuk pati kohë që të provohej. Ai bëri vetëm dy ndeshje, ku mori një barazim me Zvicrën dhe nuk është se mund të gjykohet menjëherë. Por duke u nisur nga fakti se përgjithësisht Italia ka prodhuar trajnerë të mirë, besoj se ishte më i mirë në krahasim me Han dhe Brigel. Holandezi erdhi me idenë për të krijuar një skuadër sulmuese, por në të vërtetë pamë më së shumti një ekip totalisht në mbrojtje. Kurse Bariç kishte goxha bagazh si trajner, por i dha një shkelm gjithçka të mirë që kishte bërë me dy ndeshjet e fundit ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë. Kombëtarja pësoi 4 gola këtu, 6 jashtë dhe trajneri iku plot polemika se gjoja skuadra i kishte shitur ndeshjen. Një trajner me eksperiencë dhe profesionist nuk flet asnjëherë në këtë lloj mënyre, pasi në fund të fundit është ai që mban gjithnjë përgjegjësitë, edhe në rast se një gjë e tillë mund të ketë ndodhur. Pra, çdo gjë e mirë që ai bëri më pas u shpërbë me ato deklarata.
Pse, kur keni drejtuar ju, nuk keni pasur asnjëherë dyshime për shitje ndeshjesh?
Jo, asnjëherë. Kam pasur gjithnjë besim te lojtarët e mi dhe mundohesha që të organizoja sa më mirë para takimit ekipin, në varësi të kundërshtarit.
Cili është mendimi juaj për teknikun aktual, Josip Kuzhe?
Nuk është një trajner me një CV të pasur, por gjithsesi në kushtet ku e mori Kombëtaren nuk duhet gjykuar menjëherë. Mendoj se prova e tij e vërtetë fillon me kualifikimet e Evropianit.
Meqenëse jemi te kualifikimet, si e shikoni shortin për EURO 2012?
Shumë të vështirë. Me Francën, Rumaninë por edhe Bosnjën e shikoj të vështirë të marrim pikë, por ndoshta do të synojmë të luajmë gjithçka kundër Bjellorusisë, për të shkuar një vazo më lart dhe kaq.
Veç Kuzhesë, katër trajnerët e huaj që kanë drejtuar Shqipërinë, më parë kanë përfituar më shumë se 1 milion euro rroga, si e shikon Hafizi këtë gjë në raport me atë që kanë dhënë ata për Kombëtaren tonë?
Ky është një debat i gjatë, që nuk merr fund me një intervistë. Personalisht mendoj se të huajt në krye të Kombëtare kanë ndikuar pak ose aspak. Ndërsa, përsa u përket rrogave, kjo është një zgjidhje e federatës. Unë nuk besoj se FSHF-ja këto para i ka hequr nga një investim dhe ua ka dhënë këtyre trajnerëve. Jo, ka një fond të veçantë që jepet nga UEFA për trajnerët e huaj dhe kaq. Pra, nuk përbën problem rroga që ata kanë marrë, por se çfarë kanë sjellë ata. Unë do të isha i pari që të vija veshin e të dëgjoja dhe të merrja nga eksperienca e tyre, por realisht kam parë se nuk kanë sjellë asgjë të re në Kombëtare. Ecuria e një skuadre matet nga pikët, por nëse Brigel mori 13 pikë, nuk duhet harruar se kishte dy ekipe më të dobëta në grup si Gjeorgjia e Kazakistani, ndaj as ai nuk ka bërë asgjë më shumë se ne trajnerët shqiptarë, që jemi paguar 100 fish a mos më shumë, më pak se ata.
Duket qartë që jeni kundër trajnerëve të huaj në drejtim të Kombëtares....
Shiko, për mendimin tim të huajt duket qartë që vijnë në Shqipëri për anën financiare. Ata marrin një rrogë që s’mund ta marrin diku tjetër dhe lëshojnë tek tuk ndonjë batutë që ekipi do të bëjë përpara. Madje ka pasur edhe nga ata që kanë thënë se do të kualifikohemi. Kjo është një çmenduri, një largim nga realiteti. Nuk mund të kualifikohet një skuadër në rast se nuk ka një vazhdimësi konkrete ndër vite, duke filluar që nga ekipet e moshave e deri te kampionati. Ne nuk kemi kampionat, nuk kemi ekipe zinxhir, nuk kemi futbollistë dhe nga ana tjetër duam të kualifikohemi. Si?! Kjo është utopike. Nuk dëshiroj të jem pesimist në kulm, por ky është realiteti dhe sa më parë të mësohemi me të, aq më shpejt mendoj se do të reagojmë për të punuar dhe krijuar një skuadër që në një të ardhme të afërt me të vërtetë të pretendojë ndonjë kualifikim.
    Burimi: Albania-sport.comE Hene, 15 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›