E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java 21, Dinamo – Besa 1-0

(ALBANIA SPORT) – Dinamo likuidoi 1-0 Besën në supersfidën e sezonit, duke mbyllur përfundimisht çështjen e titullit, pasi diferenca midis dy kryesuesve të Kampionatit të 71-të Kombëtar të Kategorisë Superiore shkoi në +15 pikë për blutë e Shkëlqim Muçës kur duhen edhe 14 javë për tu luajtur nga përfundimi i sezonit 2009-2010.
Golin e artë për 17-herë kampionët e Shqipërisë e shënoi argjentinasi 21-vjeçar Rafael Alfredo Soza në minutën e 33-të nga një goditje këndi. Goli i tij i 5-të  sezonal me blutë e Shkëlqim Muçës. Edhe në takimin e fazës së parë të zhvilluar në Kavajë, Dinamo kishte fituar po 1-0 dhe po me një gol të realizuar po nga Rafael Soza.
Pas përfundimit të ndeshjes së fazës së parë, java e 10-të, Dinamo, 26 pikë, kishte krijuar një diferencë prej 8 pikësh ndaj Besës së vendit të dytë, 18, ndërkohë që pas përfundimit të takimit të fazës së dytë, java e 21-të, Dinamo, me 54 pikë ka krijuar një diferencë prej 15 pikësh ndaj ndjekëses së saj, Besës, 39 pikë, çka dëshmon edhe potencën dhe dominimin absolut të kryesuesve të Superligës.
Gjithsesi, Dinamo e Besa, me stilimin që i kanë bërë renditjes së fazës së dytë, sipas së cilës përcaktohet edhe kalendari i fazës së tretë do të diskutojnë midis tyre edhe ndeshjen e fundit të këtij edicioni, e që ka të ngjarë që blutë ta festojnë 60-vjetorin e krijimit të tyre me titullin e 18-të kampion, të tretin për presidentin Besnik Sulaj dhe të katërtin për Shkëlqim Muçën në karrierën e tij si trajner, duke llogaritur edhe tre titujt e fituar me Tiranën.
Për Dinamon, “violina e parë” e këtij sezoni, kjo ishte fitorja e 17 sezonale në 21 ndeshje (3 barazime, 1 humbje), duke grumbulluar kështu 54 pikë, ose 85.7 për qind të pikëve të mundshme (2.57 pikë për ndeshje).
Besa nga ana e saj pësoi humbjen e katërt sezonale, por gjithsesi mbetet e shkëputur me 7 pikë nga Tirana që mban vendin e tretë me 32 pikë.
Përsa u përket statistikave historike të ndeshjeve midis tyre, për Dinamon kjo ishte fitorja e 66-të e Dinamos në 115 ndeshje me Besën, që nga ana e saj rezulton me vetëm 20 fitore (29 barazime).
Në javën e 22-të e që përkon me ndeshjet e fundit të fazës së dytë, Dinamo do të përballet me Apoloninë e vendit të 7-të në “Loni Papuçiu”, ndërkohë që Besa do të presë në shtëpi fqinjën e saj, Teutën.
Takimet e javës së 22-të do të luhen ditën e diel, pasi të mërkurën, më 17 shkurt, një seleksion B i Kombëtares do të përballet në Prishtinë me përfaqësuesen e Kosovës me rastin e dyvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit më të ri në botë.
Të mërkurën, më 17 shkurt, në Korçë do të luhet ndeshja e prapambetur midis Skënderbeut e Teutës, e vlefshme për javën e 20-të e të shtyrë për shkak të gjendjes së pa përshtatshme të terrenit.
Ecuria e dy kryesuesve
pas ndeshjeve direkte
Pas ndeshjes në fazën e parë
Java 10: Besa-Dinamo 0-1
1    Dinamo      10    26
2    Besa        10    18
Diferenca në pikë: +8 Dinamo
Pas ndeshjes në fazën e dytë
Java 21: Dinamo-Besa 1-0
1    Dinamo      21    54
2    Besa        21    39
Diferenca në pikë: +15 Dinamo

RENDITJA
1. Dinamo 54
2. Besa 39
3. Tirana 32
4. Laçi 31
5. Shkumbini 30
6. Teuta* 29
7. Apolonia 26
8. Kastrioti 26
9. Vllaznia 25
10.Flamurtari 21
11.Gramozi 18
12.Skënderbeu* 15
* Një ndeshje më pak
 Burimi: Albania-sport.comE Hene, 15 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›