Trajneret, kush e ka rradhën?Kësti i tretë i kampionatit do të fillojë vetëm me dy bankina të pandryshuara

Nga AGRON KAJA- Ky treg i çakorduar i trajnerëve në Kategorinë Superiore të futbollit tonë, nga java në javë po luan me kujdes lojën e kungulleshkave: “E ka kush e ka”. Sepse është më shumë se një lojë vazhda e largimeve në formën e dorëheqies, apo edhe largimeve si të padhëshiruarit e presidentëve të skuadrave. Koka e fundit që është “prerë” në këtë treg informal të Superiores shqiptare ka qënë Agim Canaj, për 8 muaj në drejtimin e skuadrës së Vllaznisë.
Sipas deklarimit të tij, dorëheqia është e parevokueshme, por thuhet prapa kuintave se Canajt ia kishin punuar vetë futbollistët, të cilët nuk e deshën më vlonjatin në krye të tyre. Si e tillë, dorëheqia e tij na paska qënë: “Detyrim-përcaktim! Por sido që të jetë kjo dorëheqie, mbi të gjithë duhet thënë se është larguar një trajner që ka punuar 8 muaj në drejtimin e Vllaznisë, luajti me të në Kupën UEFA, në 22 javë kampionat që e la në vendin e parë, si dhe e kualifikoi këtë skuadër në turin çerekfinal të Kupës së 57-të të Shqipërisë.
Pra ndodh edhe kështu, që të dorëzohesh edhe kur je duke e fituar luftën, dhe Canaj ishte i 26-ti trajner i Kategorisë Superiore që morri “librezën e punës” para mbylljes së sezonit. Kush do të vijë pas tij? Natyrisht që do të jetë një emër, të cilit do t’i duhet më shumë ta ketë mirë me futbollistët, sepse puna e bërë deri në këtë periudhë tek Vllaznia kërkon vetëm harmoni në skuadër dhe përshtatje sa më të mirë të vlerave të tyre në fushën e lojës.
Po kush do të jetë “kokëpreri” i rradhës në fazën e tretë? Ndoshta këtu mund të kemi vetëm ndonjë rast që do të na detyrojë të mëndojmë se edhe puna e trajnerëve të futbollit është tërësisht në të zezë, ashtu sikundër shumë sektorë të jetës sonë të përditëshme. Pra, në të tilla forma kavalereske në gjithë hapësirën e futbollit shqiptar, po shohim këtë lojë bajate me këtë emër, e cila ka edhe një arësye që i lejon të livadhisin drejtuesit me emrat e tyre, gjithçka që lidhet me moralin e dobët profesional që kjo kategori bart në përgjithësi, si edhe tek amullia që ekziston në tregun e gjetjes dhe të vendosjes së tyre në drejtim e skuadrave.
Kjo lojë që e informalizon shumë këtë post, por edhe që i zhvesh qartë se sa vlejnë disa prej tyre që prishin edhe tregun, më shumë mbetet një bllof mbi futbollin, një lojë që në sezonet e fundit nuk ka një seriozitet se ku nis dhe ku bitis. Deri tani loja ka vazhduar duke hedhur në këtë treg 26 emra (pritet i 27-ti te Vllaznia), një shiëfr që mesatarisht e çon në tre numrin e trajnerëve të ndërruar në çdo skuadër të Superiores. Por duke parë ecurinë e këtij fenomeni në sezonet e fundit, duhet thënë se Teuta e Shkumbini kanë qënë bankinat më të “fortifikuara”, së bashku me Elbasanin që e prishi “syrin” me largimin e Mirel Josës dy javë më parë.
Në sezonin e kaluar, 2007-2008, Magani te Shkumbini, Lika te Partizani dhe Alimehmeti te Elbasani qëndruan “stoikë” deri në mbylljen e tij ku në përgjithësi u aktivizuan 29 trajnerë, ndërkohë që në fazën e tretë, në javën e dytë të saj, u larguan Josa nga Vllaznia dhe Memushi nga Flamurtari.
Ndërsa në sezonin 2006-2007 ndryshimet ndodhën vetëm në 50% të skuadrave, që do të thotë se duhet parë si referncë positive në këtë treg. Josa te Vllaznia, Lika te Partizani, Canaj te Dinamo, Alimehmeti te Elbasani, Magani te Shkumbini dhe Memushi te Flamurtari I shpëtuan largimeve të tyre në këtë sezon. Parë në këndvështrimin e shifrave, ky sezon 2008-2009, që tashmë është në aktin e tretë të tij, ndoshta nuk do të ketë fatin e keq që të hyjë në rekordin e sezoneve të shkuara, ndoshta edhe për predikimin e shpeshtë se jemi në etapat e hyrjes drejt një futbolli më profesionist ku natyrisht që rregullat nuk janë kaq formalë si deri tani.
Ndërsa duke e parë këtë fenonem në këndvështrimin e emrave, në 90% të rasteve janë të njëjtët nga sezoni në sezon, që me një hamendim të shpejtë mund të thuhet se kjo është loja në këtë treg. Këta trajnerë kemi “laj-thaj”, por që kështu këtë nivel do të kemi “laj-thaj”!
Trajnerët e Superiores / SEZONI 2008 - 2009
SHKUMBINI
Gugash Magani
TEUTA
Sulejman Starova
DINAMO
Slatko Daliç (Jep dorëheqien në javën e 19-të). Në javën e 20-të vjen Shkëlqim Muça.
PARTIZANI
Hasan Lika (Jep dorëheqien në javën e 8-të). Në javën e 9-të caktohet Shpëtim Duro.
ELBASANI
Mirel Josa (Bordi Drejtues e shkarkon pas javës së 19-të). Në javën e 20-të vjen Faruk Sejdini.
TIRANA
Blazh Slishkoviç (Jep dorëheqien në javën e 14-të). Në javën e 15-të vjen Agustin Kola.
VLLAZNIA
Agim Canaj (Jep dorëheqien në javën e 22-të).
APOLONIA
Gerti Haxhiu (Jep dorëheqien në javën e 9-të). Në javën e 10-të vjen boshnjaku Esad Karishik.
BESA
Iljaz Haxhiaj (Jep dorëheqien në javën e 3-të). Në javën e 4-t caktohet Ilir Daja (Jep dorëheqien në javën e 20-të). Në javën e 21-të vjen Ilir Biturku.
FLAMURTARI
Slavko Kovaçiç (Jep dorëheqien në javën e 9-të). Në javën e 10-të vjen Edmond Liçaj. Në javën e 18-të largohet duke akuzuar për shitjen e ndeshjes me Apoloninë, në javën e 19-të vjen Eqerem Memushi.
BYLIS
Faruk Sejdini (Jep dorëheqien në javën e 3-të). Në javën e 4-t skuadrën e drejtoi Dashnor Dume. Në javën e 5-të vjen Hysen Dedja.
LUSHNJA
Artan Bano (Jep dorëheqien në javën e 1-rë). Në javën e dytë caktohet Saimir Malko (Jep dorëheqien në javën e 8-të). Në javën e 9-të caktohet Vasil Bici (Largohet në javën e 17-të, në janar 2009 shkon drejtor i sporteve në MTKRS). Vjen Ilir Gjyla në javën e 18-të.
NË 12 SKUADRAT NË TËRËSI KANË DREJTUAR 27 TRAJNERË
Nuk i kanë ndryshuar trajnerët
1. Shkumbini
2. Teuta
I kanë ndryshuar trajnerët
1. Partizani 2 herë
2. Tirana 2 herë
3. Apolonia 2 herë
4. Dinamo 2 herë
5. Elbasani 2 herë
6. Vllaznia 2 herë
7. Flamurtari 3 herë
8. Bylis 3 herë
9. Besa 3 herë
10. Lushnja 4 herë
E Hene, 02 Mars 2009