E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mike Riley : Do të vija me kënaqësi në ShqipëriIntervistë me gjyqtarin anglez, Mike Riley dhene gazetes shqiptare ne Maqedoni "Lajm"

RESHAT IBRAHIMI  - “Nëse do të më ftonin Shqipëria ose Kosova me kënaqësi do t’i vizitoja këto vende dhe do të ndaja me ata eksperiencat e mia të referimit. Kjo është e mira të jesh një gjyqtar”, tha Rileay. Anglia ka bërë mirë që ka pranuar pavarësinë e Kosovës, por sa i përket asaj që Federata e Kosovës a meriton të jetë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, unë nuk jam kompetent të flas për këtë.” . Gjyqtari kontrovers anglez, Mike Riley gjatë qëndrimit në Shkup në intervistë për gazetën “Lajm” ka folur për eksperiencën e deritanishme, momentet më delikate të referimit të tij si dhe përgjegjësinë e madhe që posedon një gjyqtar. Në karrierën e tij Riley ka referuar në disa ndeshje kryesore si finalja e FA Cup-ës angleze, Arsenal-Chelsea (2:0), Finalen e Carling Cupës, Bolton – Middlesbrough (1:2), në Euro 2004 ka drejtuar takimin Suedi-Bullgari (5:0) etj. Nga fusha e gjelbër mendon të largohet pas katër viteve, kur kalon koha e referimit. Nga viti 1997 gjithsej ka referuar në 378 ndeshje, duke ndarë 1287 kartonë të verdhë dhe 103 të kuq. 

LAJM: Cili është qëllimi i ardhjes suaj në Maqedoni?

Riley: Kam ardhur në Maqedoni për të folur rreth referimit. Kemi një seminar me gjyqtarë ndërkombëtar ku do të bisedojmë për shumë çështje. Gjithashtu do të prezantojmë eksperiencat tona, që është një vazhdimësi e marrëdhënieve shumë të mira.

LAJM: Sa e njihni futbollin në Maqedoni?

Riley: Është hera e tretë që vij këtu. Kam parë dy ndeshje  të kampionatit dhe një të kombëtares. Gjithashtu kam parë mjaft takime edhe nëpërmjet televizionit, sidomos të Kombëtares së juaj, kështu që kam mjaft njohuri për futbollin e këtushëm. Do të ndjek edhe ndeshjen midis Makedonia Gj.P. dhe Renovës.

LAJM: T’i kthehemi pak biografisë suaj. Sa gjatë jeni gjyqtar?

Riley: Sigurisht rreth 30 vite.

LAJM: Keni profesion tjetër përveç referimit?

Riley: Më së shumti i përkushtohem arbitrimit edhe pse punoj si ekonomist, në sektorin e financave.

LAJM: Çfarë është përgjegjësia të jesh gjyqtar në Premier League.

Riley: Është një përgjegjësi shumë e madhe. Aty zhvillohen ndeshje të mëdha dhe sigurisht se duhet të lodhesh shumë për të ia arritur qëllimit. Duhet me përgjegjësinë më të madhe të përkujdesesh që gjithçka të shkojë në mënyrë korrekte. Kështu që referimi në Premiel League është një punë shumë e madhe.

LAJM: Keni ndarë drejtësinë në shumë ndeshje derbi. Mund të na thoni ndonjë moment të keq ose të mirë?

Riley: Gjëja e fundit më mbresëlënëse është kur stadiumi është i mbushur përplot, t’i futesh në fushë, ekziston një atmosferë e mrekullueshme dhe kjo të bën të ndjehesh krenar. Për shembull kur kemi takime si Aston Villa – Liverpool, Manchester – Chelsea etj., vetëm të ecësh nëpër stadium është mrekulli.

LAJM: Po ndonjë moment të keq?

Riley: Sigurisht se ka pasur ndeshje kur vendimet ndoshta nuk kanë qenë korrekte dhe janë shkaktuar situata të vështira. Megjithatë vit pas viti gjithçka shkon mirë e më mirë.

LAJM: Në Premier League ka shumë futbollist të famshëm, që janë yje. A ju ka ndodhur që për shkak të famës së tyre të merrni ndonjë vendim të gabuar.

Riley: Kur futem në fushë nuk i shikoj futbollistët si të famshëm ose jo, por vetëm si futbollist normal. Çdo gjë që bëj është të marr vendimin në mënyrën sa më reale, që nëse është momenti për gjuajtje të lirë duhet të referohet vetëm si e tillë ose edhe me ndarjen e kartonëve.

LAJM: Ju ka ndodhur që futbollisti të ketë merituar karton të kuq dhe ju t’i jepni atij karton të verdhë.

Riley: Ka ndodhur ndonjëherë edhe ndonjë vendim i tillë. Ky vendim është marrë në bazë të ndjenjave. Por pastaj në video ke vërejtur se ke bërë një gabim. Por në raste të tilla duhet të të ndihmojë edhe gjyqtari anësor.

LAJM: A keni pas ndonjë konflikt verbal me ndonjë futbollist?

Riley: Marrëdhëniet mes futbollistëve dhe gjyqtarëve janë të shkëlqyera. Unë referoj për vite të tëra dhe besoj se ka një respekt të veçantë.

LAJM: A ka ndonjë lojtar që është më problematik?
Riley: Ne kemi një Ligë profesionale e cila ka organet e saja që e udhëheqin atë. Çdo skenë e cila ka të bëjë në lidhje me referat mbikëqyret nga ata. Në tre katërt vitet e fundit kanë ndryshuar gjërat dhe ka filluar të zbatohet një program i respektimit.

LAJM: I keni referuar ndonjëherë Paul Gascoignes. Ka qenë lojtar problematik?

Riley: I kam referuar dy-tre herë. Është lojtar i madh që e do shumë futbollin. Kur futej ai në fushë çdonjërin e bënte ta donte atë. Bënte gjeste interesante.

LAJM: Tifoz i cilit klub jeni?

Riley: Unë jam tifoz i “Uothrum Junajted”, klub i divizionit të katërt, që është nga vendi ku vij unë.

LAJM: Po në Premier League?

Riley: Nuk jam tifoz i asnjë klubi në Premier League.

LAJM: Atëherë, cili klub ju pëlqen?

Riley: Puna ime është e tillë që nuk lejon të jem tifozë i ndonjë skuadre. Unë jam profesionist dhe më interesojnë rezultatet e gjithë klubeve.

LAJM: Cila ngjyrë e fanellës, të kaltrit ose të kuqtë?

Riley: Të kuqtë.

LAJM: Çfarë mendoni për Kombëtaren e Anglisë. A do të kualifikohet në Botërorin 2010?

Riley: Shpresoj se po. Kemi ndryshuar trajnerin, është italiani Fabio Capello që po bën një punë të mrekullueshme. Punët janë duke shkuar mirë. Kemi një grup të vështirë, sërish është aty Kroacia, por besoj se do të kualifikohemi.

LAJM: A bëri Anglia zgjedhjen e mirë me Capellon?

Riley: Për mendimin tim, Capello është vendim i mirë.

LAJM: Pse zakonisht trajner i Anglisë nuk bëhet një anglez?

Riley: Nuk e di. Është pyetje për Federatën. Kjo është e natyrshme, ka trajner anglez në plot vende tjera dhe të huaj që punojnë në Angli. Të gjithë lëvizin nëpër botë.

Riley: Me kënaqësi do ta vizitoja Shqipërinë ose Kosovën

“Nëse do të më ftonin Shqipëria ose Kosova me kënaqësi do t’i vizitoja këto vende dhe do të ndaja me ata eksperiencat e mia të referimit. Kjo është e mira të jesh një gjyqtar”, tha Rileay. Anglia ka bërë mirë që ka pranuar pavarësinë e Kosovës, por sa i përket asaj që Federata e Kosovës a meriton të jetë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, unë nuk jam kompetent të flas për këtë. 

E Hene, 02 Mars 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›