Shqipëria U-17, Ardian Mema: Unë besoj se bëhet“Unë mendoj se mund ta ndërtojmë një ekip të mirë përfaqësues U17, por problemi kryesor është puna e përditshme me lojtarët nëpër klube. Probleme në kontroll të topit, deri dhe në pasime

Bledar KUKA - Në hotelin “Leonardo”, aty në plazhin e Durrësit pranë Shkëmbit të Kavajës, një trajner fare i ri përpiqet të nisë siç duhet një karrierë. Trajneri quhet Ardian Mema, emër dhe (sidomos) mbiemër shumë i njohur i futbollit shqiptar, por tash me një barrë të rëndë mbi supe, atë të një trajneri kombëtar. Dakord, nuk është Ari Han, por drejton skuadrën përfaqësuese të 17-vjeçarëve të Shqipërisë dhe përballë, së pari, do të ketë Malin e Zi.
Ky rrëfim duhet vënë në kohën e shkuar, sepse ndeshja me malaziasit u luajt të dielën e kaluar në një nga fushat e kompleksit të Kamzës dhe u humb 0-1. Mema dhe ndihmësit e tij, Luan Sengla dhe Gud Tafaj, nuk e kanë humbur aspak optimizmin “Ndjej shqetësim, por kam edhe shpresë”, - i thotë së bashku të dyja ndjesitë ish-kapiteni i Tiranës. Shpejt e shpejt nxiton të sqarojë se çfarë ka ndër mend.
“Unë mendoj se mund ta ndërtojmë një ekip të mirë përfaqësues U17, por problemi kryesor është puna e përditshme me lojtarët nëpër klube”. Duke të treguar një foto të ekipit gjatë stërvitjes, Mema qesh dhe thotë: “Njerëzit kur i panë iu dukën si ekipi i Liverpulit, kaq shtatlartë ishin”. Por ç’e do, mërzitia vinte kur lojtarët binin në kontakt me topin. “Kanë shumë probleme në kontroll të topit, deri edhe në pasime, - vazhdon trajneri, - por kuptohet që një problem i madh janë fushat ku stërviten. Ne nuk kemi fusha të mira as për ekipet e para, jo më për të rinjtë”.
Me një përzierje të idealizmit me largpamësinë, trajneri thotë se shumë shpejt këta lojtarë do të arrijnë moshën për në ekipet e para të kampionatit. “Nuk flas për kombëtaren, ajo është maksimumi, por flas për ekipet e kampionatit tonë, - ngul këmbë ai, - pas nja 4 vjetësh këtyre lojtarëve do t’u vijë radha të luajnë aty, por sa po kujdesen klubet tanë për t’i përgatitur siç duhet. Ato defekte që u mbeten me kalimin e viteve të adoleshencës, nuk u ndreqen më”.
Luan Sengla flet me bindje, ndonëse pranon se loja ndaj Malit të Zi nuk ishte ajo më e mira. “Ne do ta bëjmë ekipin”, - thotë ai. Fillimisht, u punua në fazën mbrojtëse, “ajo më e lehta” siç thotë trajnerët, më pas synohet të mësohet ekipi të dalë në sulm. Ndaj Malit të Zi, ata betohen, se ishin të gjitha mundësitë për fitore. “Patëm 6-7 raste për gol, - thotë Mema, - por gabuam. Të paktën jemi të kënaqur që rastet u krijuan, kurse malazezët nuk kishin thuajse asnjë rast”.
Trajneri dëshiron të falënderojë edhe Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) që, sipas tij, e ndihmoi shumë në organizimin e ndeshjes, por edhe në përzgjedhjen e lojtarëve. “Ne punojmë si staf, - shprehet ai, - jo vetëm treshja e trajnerëve, por edhe përgjegjësi i punës sonë (zëvendëspresidenti) Bujar Kasmi dhe pjesëtarët e tjerë të Sektorit Teknik, Hito Hitaj e Astrit Maçi”.
Madje, Maçi ishte edhe organizuesi i ndeshjes, edhe si njohës i gjuhës serbo-kroate, që malazezët e quajnë për veten e tyre, “nashke”. Pasi dështoi ndeshja e parë, planifikuar për në Ulqin, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ajo në Shqipëri u realizua.
Duke u kthyer tek hotel “Leonardo”, shikon se atmosfera që mbretëronte aty në ditët e grumbullimit nuk i linte asgjë mangut asaj që kanë krijuar në vazhdimësi trajnerët e huaj në kombëtare. “Nuk dua të takohem me asnjë nga prindërit, - ishte porosia e prerë e ish-mesfushorit, - natyrisht nuk kam gjë me ta, por si trajner nuk duhet të jem në tavolinë me asnjë prind. Ata mund të ndikojnë tek fëmijët e tyre pa qenë në hotel apo pranë trajnerit”.
Në momentin që lojtarët u grumbulluan para treshes së trajnerëve, Ardi, mbajti një fjalim të vogël, ndonëse gjatë gjithë jetës së tij ka qenë më i zoti për të luajtur me top sesa për të folur. Por ja që kur bëhesh trajner, mëson edhe ligjëratën. “Unë kam përgjegjësi për ju, - u tha ai, - ndaj dua jo vetëm të silleni mirë këtu në hotel, por edhe kur të jeni jashtë tij. Mos harroni se nëse grindeni me njeri, unë jam i detyruar të jem në krahun tuaj, sepse e quaj veten vëllain tuaj të madh. Për këtë arsye, duhet të jeni të kujdesshëm”.
Mema i ri, djali i virtuozit të viteve 60-të Ali Mema, qesh kur kujton se çfarë përshtypje pati ajo fjalë e tij. “Lojtarët e kuptuan se unë kërkoja rregull dhe vinin të kërkonin leje kur donin të takonin prindin”, - tregon. Edhe pjesa që lojtarëve iu mësua në stërvitje e la të kënaqur treshen Mema-Sengla-Tafaj. “Për mendimin tonë, ekipi luajti shumë mirë në fazën mbrojtëse, pavarësisht nga mangësitë teknike. Unë flas për anën taktike”, - thotë “Lushku” (Sengla).
Trajnerët e moshave, nga legjenda Taho, tek Ledio Pano
Në Shqipëri ka trajnerë të zot edhe për moshat. Megjithë klimën aspak ndihmuese për ta, ekzistojnë dhe do të shtohen. Minusi më i madh i trajnerëve të tillë është se klubi i futbollit në kuptimin e plotë të fjalës nuk ekziston aspak. Në gjendjen as shtet, as privat, por edhe me mentalitetin që zotëron kokat e shumicës së njerëzve, do të duhet të jesh natyrë tepër optimiste që të mos biesh në dëshpërim.
Le të jap disa emra. Në Vlorë është “njëfarë” Rrapo Taho, yll i mbrojtjes së Flamurtarit të viteve 80-të, që sipas informacionit që unë kam, po punon vërtet mirë. Nëse kalon në Elbasan, është një trajner me mbiemrin Bashalliu, ekipi i të cilit gjithashtu bie era futboll, pavarësisht se çfarë “brumi” ka. Po vazhdoj tek Partizani, ku janë dy të tillë, Gent Mahmutaj dhe Ledio Pano.
Për legjendën absolute të futbollit shqiptar pas 1945-ës, pra Panajot Panon, është kënaqësi më vete që të shikojë se djali i tij jo vetëm ishte futbollist me vlera, por ka më shumë shanse të lerë emër të mirë si trajner. Mbetet që shefat e klubeve të mendojnë më pak për kushërinj e shokë dhe më shumë për emra e mbiemra që nuk u kujtojnë asnjë shoqëri, asnjë të kaluar, por që flasin me gjuhën e punës.
Skuadra që luajti ndaj Malit të Zi
Degjini, Tuçi (Dema), Duro, Mumajezi (Mujezi), Cuçi, Peposhi Dita (Basha), Tapa, Mezini (Vaskijari), Mata, Luzi (Mola).
28 shkurt 2009
E Hene, 02 Mars 2009