Trajneri Levi me dorë të hekurt, u qep gojën lojtarëve
Nuk do të ketë asnjë deklaratë për mediat jo vetëm nga trajneri i ri, por as nga futbollistët deri të shtunën, pas Kamzës
Vetëm 24 orë në drejtim të Skënderbeut dhe trajneri i ri i kampionëve, Stanislav Levi, ka vendosur pa ardhur mirë rregullin e ri në klubin juglinor. Deri të shtunën pas ndeshjes me Kamzën nuk do të ketë asnjë deklaratë për shtyp, qoftë nga stafi teknik, apo edhe nga futbollistët. Kjo do të thotë se njëshi i stolit korçar u ka qepur që në fillim gojën të gjithëve.
Të gjithë gazetarët, dje, rreth orës 15:30 të pasdites, 30 minuta përpara fillimit të procesit stërvitor, kanë qenë prezentë në stadium për të marrë intervistat me stafin apo futbollistët, por urdhri ishte i prerë: Askush nuk do të flasë. Mësohet se kjo heshtje e të gjithëve deri të shtunën do të ndodhë pasi Levi nuk i njeh as futbollistët, as mediat, nuk njeh as ambientin dhe deri në ambientimin e plotë, që do të thotë deri të shtunën në mbrëmje, ai ka vendosur këtë rregull.
Këtë heshtje dje e komunikuan për mediat edhe drejtuesit e klubit, ndërkohë që premtuan se të shtunën pas Kamzës trajneri do të jetë gati dhe do të flasë gjerë e gjatë për këtë Skënderbe. Pas të shtunës do të ketë edhe një rregullore të re, ndoshta njësoj si paraardhësi i tij, Duro, pasi futbollistët dhe stafi do të flasin me radhë dhe në ditë të caktuara. Gjithsesi, ky është një vendim që vjen nga vetë trajneri dhe të gjitha mediat do ta respektojnë këtë vendim, ndërkohë që qoftë ky një ndryshim pozitiv për këtë Skënderbe.
Stërvitja Ndoshta çeku Levi ka menduar të ndryshojë mentalitetin që ditën e parë të punës së tij, ndërkohë që dje Stanislav Levi ka veshur edhe tutat, duke dalë në stërvitje. Në orën 15:50 minuta, Levi së bashku me ndihmësin e tij, Lorenc Hysi, i janë drejtuar aneksit të stadiumit Skënderbeu, të dy të veshur me uniformat e reja të Skënderbeut, uniforma që për herë të parë i provojnë.
Pas mbërritjes në aneksin e stadiumit, në mesin e fushës, Levi ka mbledhur futbollistët, teksa u ka shpjeguar mënyrën e stërvitjes për dje. Më pas skuadra ka kryer stërvitjen e radhës, një stërvitje që të paktën është dukur me ritëm të lartë në të gjitha ushtrimet që kanë kryer lojtarët. Është sigurisht shpejt për të gjykuar Levin në një stërvitje, pasi dje ishte vetëm fillimi.
Qoftë një start i mbarë për të në drejtimin e Skënderbeut, por heshtja në media e lojtarëve dhe stafit të Skënderbeut është ajo që nuk pëlqehet nga të gjithë, pasi edhe tifozët duan të dinë diçka më shumë rreth ekipit të tyre, por duhet të presin deri të shtunën në mbrëmje për të mësuar ndonjë fjalë nga stafi dhe futbollistët.
