E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri i Kombëtares Ari Han, presion kuqezinjve

Ari Han ka paralajmëruar lojtarët e Kombëtares se duhet të jenë seriozë gjatë grumbullimeve të Kombëtares, duke lënë të kuptohet se është në dijeni të “shthurjes” së kuqezinjve në dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve të Euro 2008.

“Pashë derbin se aty luanin disa lojtarë të Kombëtares dhe doja të sigurohesha për formën e tyre. Ishte një ndeshje e pëlqyeshme. Kam parë disa lojtarë. Duro nuk ishte në ditë të mirë, lojtarët e tjerë që unë i kisha në zborin e Turqisë, luajtën ashtu si e prisja. Dhëmbi dhe Bakaj luajtën në pozicione jo natyrale, Dhëmbi mund të luante më në mbrojtje. Për grumbullimi e muajit maj, duam të njohim njëri-tjetrin. Duam të kuptojmë çfarë duhet të përmirësojmë. Mënyra se si fillova punën këtu nuk është e thjeshtë, sepse pezullimin nuk e kishte menduar askush. Përsa i përket miqësores, duam kundërshtar të fortë, aty shihet më mirë niveli i skuadrës”. Ari Han është pyetur edhe për përshtypjet e tij për Lorik Canën. “Shpresoj që Cana të japë atë që ne presim, sepse ai është shtyllë e skuadrës. Nëse nga ai apo nga ndonjë tjetër që janë shtyllat e skuadrës do të ketë një tjetër rendiment, atëherë kjo mbetet për t’u diskutuar. Unë dua që të gjithë lojtarët kur të vijnë në Kombëtare të kuptojnë se duhet të japin maksimumin, sepse aty nuk është vendi ku mund të vijnë të bëjnë vizita dhe të argëtohen. Këtë duhet ta harrojnë, sepse unë do të kërkoj gjithnjë seriozitet dhe impenjim maksimal”, përfundoi Ari Han.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›