Edi Luarasi - Si e sfidova botën...për dashurinë
Arta marku
PARALAJMERIM
Fati jep sinjale. Paralajmëron. Por ka një gjuhë të vetën, që njerëzit vështirë ta kuptojnë, ndaj s’i kapin sinjalet. S’është fjala për të ndryshuar rrjedha të pamundura. Por së paku për të bërë një farë parapërgatitjeje. A mos ndoshta kjo i lehtëson vështirësitë? Mundet po, mundet jo. Aherë, ç’vlen kapja e sinjaleve? Në të tillë përsiatje hyra kur Edi, më rrëfeu përballjen e parë me burrin e saj të ardhshëm. “Sa e përshtatshme kjo vajzë për Luizën...”. Regjisori i sapo kthyer nga studimet në Hungari, ecte në rrugë me një aktor të Teatrit Popullor, teksa Edi çapkëne, përshëndet aktorin, duke e shpërfillur Luarasin. S’e njihte në të vërtetë. Regjisori që po përgatitej për të vënë në skenë “Intrigë dhe dashuri” duket, u josh nga tiparet fizike të vajzës. Brunen me tipare ekspresive, për një çast e mendoi si një zgjidhje ideale për rolin. “Por unë s’isha aktore” dhe në fytyrë i skicohet shprehja e habisë, krejt siç kish ndodhur atëherë kur miku aktor ia transmetoi fjalët e regjisorit. Asokohe, e habitur nga propozimi, e interpretoi të gjithën një shaka dhe e shpërfilli. Veten s’e përfytyronte as aktore, e as gruan e ardhshme të regjisorit të ri. Aq më pak mund të profetizonte të ardhmen dramatike të jetës së saj. Takimi nga afër me regjisorin do të ndodhte me vonë. Drama në jetën e të dyve, akoma më vonë. E ku ta dinte vajza me nishanin në faqe, se dashuria e saj, pak rëndësi ka për hir të një intrige apo jo, pasi do të ndizej flakë, do të rrezikonte të fikej dhunshëm. E si mund ti shkonte ndërmend që ta interpretonte si sinjal Luizë Milerin apo dramën e dashurisë së saj. A thua të jetë një lidhje mistike këtu?
...Gjithsesi, Luizë Mileri s’u bë dot shkak i shndërrimit të Edi Mirditës në Luarasi. Dhe ndoshta prandaj dashuritë e të dyja grave kanë funde të ndryshme. Edhe pse drama e Luarasit mund të krahasohet në peshë me atë të rrëfen Shileri. Ama, kjo s’do të thotë, se sot, teksa Mihallaq Luarasi, ka mbushur plot 80 vjet, e shoqja të mos e jetë e gatshme të bëjë të njëjtën jetë, thellësisht të trazuar, mbështjellë nga errësira e një tuneli pa fund, ku nuk shquhej as më e holla fije drite, veç që të jetë me të. ...Ndoshta ia vlen, qoftë edhe për pjesën e bukur të dashurisë. Apo për atë që erdhi pas lirisë, apo për zbulimin tek vetja të forcës për të dalë mbi ujë, dhe për ti rezistuar provave, të një gruaje dikur të brishtë e me plot gojën të përkëdhelur...
NJOHJA
Sa histori fillojnë kështu. Ndoshta shprehja e armiqësisë nuk është tjetër, veç një mënyrë e maskuar për të deklaruar të kundërtën. Sa për Edi Luarasin, ajo di të thotë vetëm se e shpërfillte burrin që ishte si një magnet për bashkëmoshataret e saj. Hej dreq. Por çfarë i tërhiqte ato? Ai s’ka qenë modeli i burrit bukurosh. E megjithatë vajzat josheshin. Edit i kujtohet që një ditë ti ketë rrëfyer t’ëmës për djaloshin e diplomuar jashtë që kushedi ç’i dukej vetja... Ajo? Aspak s’donte t’ia dinte për të. E megjithatë nuk harron të shtojë: “kishte një shikim... Të hidhte përtokë ai shikim”. Edhe aq e pavëmendshme nuk duhet të ketë qenë. Sepse, pas 60 vjetësh ajo mban mend mënyrën se si ai lidhte shallin, pangjashëm me asnjë prej burrave të Tiranës së asaj kohe. E megjithatë, i ikte shikimeve të tij, i ikte qëndrimit të afërm me të. Por, sharmi i djaloshit dalëngadalë, do të bënte efektin e vet. Pastaj, përderisa kish bërë të bien në kurthin e tij aq shumë vajza, pse jo edhe Edi Mirditën? Ndoshta hyri në lojë edhe përvoja e tij... Një ditë u nis për në Korçë ku Edi me grupin ishin në një turne. Vajza e kuptoi se magneti ishte ajo vetë. E ndjeu me intuitën femërore, dhe i pëlqeu. Ndaj, edhe propozimi, në dhomën e tij të hotelit, ai shtrirë në shtrat e ajo në këmbë ballë tij, nuk e gjeti krejt të papërgatitur. Kish një pipëz në gojë, sa i vjen për të qeshur me këtë gjë kaq fëminore, por nuk po nxirrte më tinguj. Se mbeti pa frymë. S’mund të thoshte “jo”. Përkundrazi, tha “po” dhe ia mbathi me vrap, sado çapkëne që ish. Por edhe më vonë, për një kohë të gjatë, nuk bëri çfarë mund të mendohet. E kish thënë “po-në e saj, e prapë i rrinte larg të vluarit, i cili nuk e kish të lehtë ta pranonte distancën fizike që i ndante. Ai donte ta prekte, ta puthte, ta bënte të vetën. Por ajo i ra shkurt: “Hajde në shtëpi”. A thua se donte ta vinte në provë, përpara se ti dorëzohej. Por ai ishte gati, dhe u nis për të takuar zonjën Mirdita, pa i shkuar ndërmend se ç’e priste atje. –A e do ti Edin? Pyetja e parë ishte e pritshme, edhe përgjigja pozitive, gjithashtu. –Po Edi, a të do ty? Përgjigja përsëritet.- Po a e di ti se Edi të thotë sot po e nesër jo? Sigurisht pas kësaj pyetjeje-konstatim, përgjigjja është e vështirë. E ç’të thoshte? Pastaj, befasia, gjithnjë të gjen të papërgatitur. Djalit me përvojë, nuk i shkoi mendja se po e refuzonin në këtë formë. Një regjisor, sado i suksesshëm, nuk qenkësh pretendimi ideal për gruan. “Në mos një konsull... të ishte së paku një inxhinier”. Sot, më e madhe në moshë se asokohe nëna e saj, Edi buzëqesh me pretendimet që e ëma i thoshte më zë të lartë. Gjithsesi, të tilla profesione ishin më të vlershme për gruan. Te të tilla profesione duhej ta kërkonte burrin e jetës e bija... Por, meqë s’mendonte si e ëma, iu desh ti drejtohej të vetmes zgjidhje që kishte në dorë. T’ia mbathte. Ia mbathi sërish, por jo nga një dhomë hoteli pas një propozimi dashurie. Ia mbathi nga shtëpia, që të ishte e lirë ta shprehte më në fund dashurinë e saj...
RREMBIMI
-Asokohe quheshin rrëmbime, apo jo? –Po, unë jam rrëmbyer. Ama, nuk se pas kësaj gjërat rrodhën vaj. Ime më mbajti qëndrim, nuk më pranonte të shkoja e ta takoja, të flisja me të, dhe unë e vuaja shumë këtë pamundësi. Dhe zgjati plot një vit. Mesa duket kjo ishte sakrifica e parë që iu desh të bënte Edi Luarasit. Por, kaq e lehtë krahasimisht me të tjerat. E lehtë, sepse gjithçka do ti kthehej normalitetit. Vajza e rrëmbyer e ndjente se edhe nëna vuante njëlloj. I ishte cenuar sedra ... ç’ti bësh. Çështje mentaliteti. Por muri do të bjerrej. Veç duhej hedhur një hap. E hodhi Edi. Gjeti një zgjidhje çapkëne, si ajo vetë asokohe. Shkoi në shtëpinë e një shoqeje të nënës, priti t’ëmën të vinte, e la të hynte brenda, u sigurua se e zonja e shtëpisë e mbylli derën me çelës, dhe i doli nënës përpara. Sa e kotë mbyllja e derës me çelës. Krejt e kotë, por vajza donte të sigurohej... E shijoi thellësisht rikthimin e nënës në jetën e vet. Dhe sërish nuk e vrau mendjen të merrej me hamendësime, apo sinjale të koduara të fatit. Edhe një herë, si në kohën e historisë me Luiza Milerin, apo si në kohën kur u rrëmbye me burrin, nuk e vrau mendjen se ndoshta nënkuptimet donin të thoshin, se për të, gjërat s’mund të bëheshin lehtë. Se dashuria për të kushtonte shumë. Se destini i saj ishin sakrificat... Sakrificat, njëra pas tjetrës, në rend progresiv.
FEMIJA I PARE
...Me lajmin e mirë i mbërrini edhe thirrja e mjekut për një sakrificë. Pas 7 vjetësh e martuar, më në fund fëmija brenda saj i lajmëroi ekzistencën. 7 vite që e ëndërronte, gati- gati po besonte se nuk do të mund të bëhej nënë. E ëma i thosh, me një besim të brendshëm: asgjë për tu shqetësuar, do të vijë. Edit i pëlqente kjo thënie e nënës, por kaq. Po bëhej gati ti lutej së motrës e të birësonte një prej fëmijëve të saj. Aq shumë donte Edi të kishte një fëmijë. Dhe kur ai lajmëroi, kërkesa e mjekut për sakrificë s’ishte asgjë për gruan: regjim shtrati, ca pak lëvizje të vogla, të kontrolluara. Në teatër? As që bëhej fjalë. Për 9 muaj të plota nuk do të luante. E çë pastaj? Ishte fjala për fëmijën e saj. Ishte sakrifica e radhës. E kuptoi që ishte e tillë, jo menjëherë. Ndodhi një ditë, i kujtohet si të ketë ndodhur dje, kaloi andej, shtyu portën e oborrit të Teatrit, mandej të brendshmen, hyri në sallë, iu afrua skenës... dhe gati sa s’iu morën mendtë, nga malli. Nga mungesa që ndjeu, nga boshllëku. Në mbrëmje i tha të shoqit: “Nuk do të mund të jetoja pa teatrin. Sa mirë që është situatë e përkohshme”. Teksa më tregon, duket sikur aty për aty, zgjohet, shkëputet nga e shkuara brenda qarkut virtual të së cilës është përfshirë dhe ngul bërrylat fort në tryezën e kafenesë ku jemi ulur. Me gishta grimcon një copë letër të zarfit të zbrazur nga sheqeri. Dhe më drejtohet: “Njeriu nuk e njeh veten sa pa u vënë në provë”. Ajo me siguri do të kish preferuar mosnjohjen e vetes se sa përballjen me ato prova egërshane para të cilave e ka vënë jeta. E megjithatë, ka rastin të artikulojë konkluzione përvojash të pazakonta, nga ato që nuk i takojnë kujtdo. Dhe më thotë se, nëse njeriu nuk jeton dot pa praninë e diçkaje, së paku është në gjendje të mbijetojë, në boshllëkun e krijuar nga mungesa... Në fillim s’kish nga ta dinte, se edhe në mungesë të skenës, do të ekzistonte gjithsesi, do të frymëmerrte. Duke kapërcyer, çdo mëngjes e pasdite, derën e rrobaqepësisë, me sharmin e firuar të gruas së dikurshme që hynte e dilte nga porta e Teatrit Popullor, ajo zhvlerësoi (e imponuar) diçka e vlerësoi tjetërçka. Zhvlerësoi pasionin për skenën por ia doli të ruante më të shtrenjtën (qe zgjedhja e saj): familjen dhe dashurinë që e kish pjellë atë. Dhe mbijetoi. Por deri sa ta kuptonte këtë gjë, do të duhej të kalonin edhe 9 vite të tjera.
DËNIMI
Atë ditë po hekuroste. E ndjeu të bijën që iu afrua, që iu ul përballë, mbështeti bërrylat në tryezë ku nëna kish palosur batanijen e hekurosjes, dhe i nguli sytë.- Ma... Pauzë, sepse mesa duket fëmija, që s’ishte më shumë se 9 vjeç s’e kish të lehtë të shprehej. Por edhe nuk kuptonte mirë. Kish dëgjuar një refren që përsëritej nëpër shtëpi, sa herë hynin e dilnin njerëz. Dhe ndihej konfuze. Donte t’i fliste të ëmës. –Ma... Pse të thonë lëre babin? E ç’ përgjigje mund të jepte gruaja? A thua s’i mjaftonte pesha që i kish rënë mbi supe? Një kor zërash i çirrej: ndahu nga burri, lëre, kërko divorc... Edhe kjo duhej. Kjo vajzë e vogël... donte përgjigje. Të atin e kish në burg. -Lea, po ja... (pauzë e tejmbushur me tension). Babai ka bërë një gabim... Ti s’mund ta kuptosh në këtë moshë... Çfarë mundimi për Edi Luarasin për të artikuluar këto fjalë. Por i duhej të përballej. Sytë e të bijës u mbushën me lot -Mirë. Lëre ti. Por unë do të iki të jetoj te tezja. Do pres babin të dalë nga burgu. Do të hyjmë në punë të dy dhe do të blejmë gjëra... Lea, kish gjetur tek tezja të vetmin njeri që nuk kish mprehur shpatën duke i thirrur t’ëmës: lëre burrin. Dhe e kish fiksuar mirë. Por, s’e dinte se s’do të ish e nevojshme të bënte çfarë i kish shkuar në mendjen e saj prej fëmije. -Jo shpirt.- e qetëson e ëma- Unë nuk do ta lë babin, por ti, mos ia thuaj njeriu. - Mirë ma, ata që të thonë lëre babin, nxirri jashtë... Dialogu mbaroi, vajza u qetësua. Por jo e ëma... Sikur të ishte kaq e lehtë.
Në të vërtetë në një çast Edi Luarasi u tundua nga ideja e divorcit. Të gjithë ia sugjeronin si të vetmen zgjidhje. Sepse besonin se një divorc ishte zgjidhja. “Por unë e doja. Edhe sikur të mos ishte dashuria në mes, nuk mund ta konceptoja dot divorcin pikërisht në atë moment të vështirë për tim shoq”. Kështu besonte. E megjithatë, një mëngjes u nis në gjykatë. Përpara saj një dajë i ri. -Pse ke ardhur? -Për tu ndarë nga burri. Ai u ul para një makine shkrimi dhe u bë gati të shkruante. Kurse gruaja e re u shkreh në vaj. S’mundte dot të fliste. –Ik më mirë, dëgjoi zërin e njeriut përballë. –S’mund të bëhet kjo punë duke qarë. Mendohu më mirë. Dhe Edi iku. Për të mos u kthyer kurrë më në gjykatë. Tashmë po fillonte të bëhej e vëmendshme ndaj sinjaleve. Ama ishin sinjale njerëzorë, të shprehura, edhe pse jo drejtpërsëdrejti, me fjalë... A nuk ishte një sinjal, që e mori pikërisht në Ministrinë e Brendshme, sado paradoksale të tingëllojë? Emrin e njeriut s’e mban mend, por i është ngulitur fort në kujtesë ç’i tha ai: -Ke ndërmend ta lësh Mihallaqin? Edi s’pipëtinte, veç e shihte ngultas burrin që e pyeste. –Si ke shkuar me të? -Shumë mirë, u përgjigj. -...Martesa është me të mirat e të këqijat e saj. Kaq deshi ajo. Veç këtë frazë, që e lexoi siç duhet. Dhe u kthye në shtëpi e bindur në idenë e vet. (Sikur ta kujtonte kush ishte ai njeri, që e ndihmoi psikologjikisht). Pas kësaj, nuk do të lëkundej më. “Dhe bëra mirë-, më thotë e bindur, me filxhanin e kafesë në dorë. -Fëmijët e Luarasit do të vazhdonin të kishin të njëjtin mbiemër edhe po të divorcohesha. E pse ta bëja atëherë? Ata që u divorcuan nuk shpëtuar aspak prej ndëshkimit”. E thotë me zë të ultë, a thua se një përgjues të jetë i instaluar nën mbulesën e tryezës së barit. Ama me zë të thellë, të vendosur. Përfytyroj që me të njëjtin zë duhet t’i jetë përgjigjur edhe nëndrejtorit të Teatrit të asaj kohe. –Jo. Nuk ndahem. Edhe kërcënimi që i bëri ai duke i treguar se kësisoj s’kishte rrugë tjetër veçse të bëhej portiere në Teatër, nuk duhet t’ia ketë cenuar thellësinë e zërit. Edhe kur e pa veten me të vërtetë portiere, nuk bëri tjetër veçse vazhdoi të ecte përpara në idenë e saj. Kishte kohë që sakrificat kishin filluar të bëheshin pjesë e qenies. Përfundimisht, i pranoi. Dhe i përballoi. Nga Teatri në rrobaqepësi, e kështu për vite të gjata, priti me durim, kthimin e të shoqit, e mandej, bashkë me të mbërritjen e vitit 1990. “Sepse diktatura ka cakun e vet”, i pëshpëriste i shoqi pranë veshit që të mos e dëgjonte askush. Në të vërtetë, optimizmi tij nuk ishte ngjitës për gruan. Ajo e kish humbur gjallërinë, nuk besonte më, por mbijetonte ama. Ia dha vetes dhe ia doli. U forcua, u ashpërsua, por ia doli.
MESAZH
-Nuk desha ta kujtoj,- më thotë sërish- po ju gazetarët... Por vazhdon të më rrëfejë gjithsesi. Dhe sidomos këmbëngul të më bindë se s’është penduar për asgjë. –A mundesh ta përfytyrosh veten në pozicionin e kundërt?- I hedh në tryezë një pyetje hipotetike. Dua të di, nëse beson se i shoqi do të kish bërë për të, të njëjtën sakrificë? Por Edi as që do të përgjigjet. –Nuk e kam menduar, nuk dua ta mendoj... I mjafton bindja se bëri gjënë e duhur. Më vonë Mihallaq Luarasi do ti rrëfente për të tjerët si ai, të dënuar, të burgosur që merrnin rrugën për në gjykatën e çështjeve civile, për të zgjidhur martesën, më kërkesë të grave. Sa herë njëri prej burrave nisej drejt gjykatës civile, të tjerët jepnin nga një kontribut për imazhin e të divorcuarit të ardhshëm. Që ai të dukej sa më mirë, sa më dinjitoz. Dikush ofronte xhaketën, dikush këmishën, secili më të mirën. E në këto përgatitje mashkullore, regjisori e gjente veten duke pritur radhën. Por, për fatin e tij të mirë, radha s’i erdhi kurrë. Mjafton kaq për Edi Luarasin. Qysh atëherë, ajo donte t’ia jepte këtë siguri të shoqit. S’dinte se si. Por, një çast i vetëtiu ideja gjeniale. Po afronte ditëlindja, si tani, në shtator... Gatoi një kek. Para se ta vinte në furrë, në mes të brumit, futi një lule. Burri përtej hekurave, do ta kuptonte mesazhin, siç edhe e kuptoi... Ai nuk do të kishte fatin e pjesës me të madhe të të dënuarve si ai. Sa mirë. Ndoshta do ta kuptonte të shoqen edhe po të kish vepruar ndryshe. Por ja që fati s’e vuri atë përballë kësaj prove...
Në 80-vjetor
Pak ditë më parë Mihallaq Luarasi festoi 80 vjetorin e lindjes. E shoqja, në krah, buzëqeshte, i shtrëngonte krahun... Sakrifica ia kish vlejtur. Me të vërtetë, pak janë gjërat e bukura të jetës së Edi Luarasit. Por kjo mund të thuhet për bukuritë e jashtme. Tjetërsoj duhet gjykuar e vlerësuar jeta që fati paracaktoi për të... Sakrifica për ta nxjerrë një perlë nga deti, padyshim ia shton vlerën asaj...
“Ç’është hidhërimi? Një oqean i tërë... po gëzimi? Një perlë në këtë oqean, që kur mundohem ta nxjerr, më thyhet në dorë”. Ishte si një frazë prezantuese. Edi Luarasi, e njëjta grua elegante që të gjithë e njohin, me të mbërritur në takim, e përpiktë në orar, sikur ma përshkroi gjithë jetën e saj me këtë shprehje të vetme. E kam kaq të vështirë t’i kthehem të kaluarës, më tha. I dhemb mesa duket, edhe pse ka kaluar kaq kohë. Gjurmët, s’ka gjë pse syri e ka krejt të pamundur ti pikasë, i janë gërvishtur në lëkurë. Janë skalitur thellë në qenien e saj. Harresa, ka të ngjarë, nuk ekziston. Së paku, në raste të veçanta si ai i Luarasëve, nuk mund të ndodhë. Anipse gruaja, ka prirjen për të harruar, përpiqet, rezultati nuk është veçse një gjasmim. Tek e fundit, është jeta e saj. Por... le të fillojmë nga gjërat e bukura. Kurse ajo më nguli një vështrim depërtues dhe mërmëriti: Po janë kaq pak...
* * *
Duket gati e pamundur të besosh se pas flokëve të verdhë, të prerë shkurt nga një dorë thellësisht profesioniste, si për të treguar formën e përkryer të kohës, syzeve të errëta e të mëdha, shallit të mëndafshit të hedhur shkujdesshëm rreth qafës, unazës së madhe me gur të zi të dorës së majtë, çantës lëkurë leopardi kasten të kombinuar me shallin e hollë... “fshihet” një grua me një dramë të madhe. Gati e pamundur të besosh se pas elegancës dhe dukjes së brishtë, nuk është aspak një grua e llastuar. Aq më pak duket e lehtë të mendosh se është pikërisht ajo që ka sfiduar botën përqark, që ka bërë një sakrificë që pakkush e ka përsëritur. Dhe që mandej, sakrificën thjesht e ka bërë, pa pretenduar gjë në këmbim, duke e ditur aq mirë se çmimi që duhej të paguante ish fort i lartë... Epo, ja që është. Dukja shpesh nuk thotë asgjë, për çfarë fsheh përtej. Dhe ndodh shpesh kështu, që të gënjehesh së jashtmi. Kurse Edi Luarasi është mishërim i kundërshtisë mes së brendshmes dhe së jashtmes së një njeriu. Edhe pse nga koha në kohë, përputhja mund të ketë ekzistuar.
...Ose më mirë, dikur, përputhja ka ekzistuar. Kohë më parë kur Edi, ose, ashtu siç të gjithnjë e njihnin asokohe, njëra prej motrave Mirdita ishte mishërim i gëzimit, energjisë, lumturisë, rinisë... Ishte e bukur, gazmore, e hedhur. Krejt njëlloj jashtë edhe brenda. Kornizathyese, që nuk deshi e nuk deshi të imitonte modelin e zonjushave të kohës, figura të ngurta të parapërgatitura nga “të tjerët”. Edi, 17 vjeçare, s’donte t’ia dinte. Donte të shijonte jetën, të vraponte, të këndonte, të vishej si djalë, të priste flokët shkurt, të qeshte me zë të lartë... Dhe kështu bënte. E gjithë qenia e saj rrezatonte lumturinë e moshës, harenë e një të reje që jo vetëm duket sikur e ka fatin ngjat, por ka edhe mjedisin e përshtatshëm për tu përkëdhelur prej fatit. Kur gishtat e së motrës që, e kishte pothuaj gjithmonë në krah, i shtrëngonin bërrylin a e tërhiqnin egërsisht për mënge... “kujdes, mos qesh kaq shumë, mos lëviz kaq shumë”, Edi e përqeshte. Dhe për kundërpeshë, sa herë ishin në skenë duke kënduar, ishte kjo që i tërhiqte pa rënë në sy, mëngën së motrës, dy vjet më të madhe, si për ti thënë: jo kaq statike, lëviz pak. Fundja ritmi i muzikës ta imponon një gjë të tillë. Ritmi i muzikës, që Edi e kishte brenda vetes, që i lëvrinte me gjakun... Po, kështu ishte Edi. Ata që e kanë njohur, e dinë mirë këtë... Mandej, e lodhur nga këshillat e motrës, vraponte tek e ëma, për ta dëgjuar tek përsëriste: “t’ka mama djalë”. Ajo mund të mos e ketë pasur fjalën thjesht edhe vetëm për temperamentin e bijës së vogël. Ka të ngjarë që mamaja të ketë artikuluar një lloj pengu tipik shqiptar për djalin munguar. Fundja pse jo... por kjo bijës çapkëne nuk i interesonte...
* * *
Por, gjithë ç’ka të bëjë me vajzën gazmore, i takon një të shkuare. Nga koha e haresë ngjitëse që buronte prej Edi Mirditës, kanë rrjedhur shumë ujëra. Ajo buzëqesh në fakt, edhe tani. Dhe, është kaq e aftë, të transmetojë mirësi, s’ka gjë se jo hare, edhe kur rrëfen copëza të vështira, të egra, dramatike të jetës së saj. Nuk është njeriu i mbështjellë me dramë. Nuk është viktima që ti ke përballë. Asaj as që i pëlqen kjo gjë. E ka mbledhur të shkuarën e vet të vuajtur dhe e ka futur në një cep të nënvetëdijes. Ama, as do e as mundet ta bëjë të paqenë. Ndaj dhe nuk është më ajo e dikurshmja. Përvoja e ka forcuar. Dhe kjo është mirë. Por njëkohësisht e ka ashpërsuar, dhe kjo nuk do të kish dashur ti ndodhte. I vjen keq, qe brishtësisë ia ka zënë vendin ashpërsia. Dikur më i vogli emocion, ia rrëmbushte sytë. Kurse tani e ka kaq të vështirë të qajë. A thua se lotët mbaruan, u derdhën të gjitha, fillimisht për kapriçio rinore e mandej, viteve të gjata në të cilat fati e mbështolli me vuajtje, ku ta dish për hir të ç’vendimi nga lart. “Kujtimet e bukura janë kaq pak”, më përsërit... Kështu i ka ndodhur asaj.
Takimi special në burg
Shkonte të takonte të shoqin në burg. Rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por duhej bërë. Takimi me familjen ishte një lloj shkarkimi psikologjik për të dënuarin. Mbi të gjitha i duheshin çuar ushqimet. Por veç takimeve rutinë, edhe dy tri takime speciale. Nga ato, kur gruaja ka të drejtë të kalojë një natë më burrin, në një mjedis special, të izoluar. Burrit andej hekurave dhe gruas këndej hekurave, u mjaftonte fakti që ishin bashkë, gjatë një nate të tërë, të bardhë, të pagjumë. Me fjalë e pëshpërima. Në vesh, nën jorgan, të terrorizuar nga ideja se i përgjonin. Ku ta dish, ndoshta edhe i përgjonin. Në fakt çifti nuk thoshte ndonjë fjalë a mendim të rrezikshëm. S’ishte as vendi, as koha. Veç ca shprehje dashurie. Ama edhe ato nën zë... Do të duhej kohë që të shpëtonin nga ideja e përgjimit gjithandej pasi i ishte bërë natyrë e dytë...
Edi Luarasit i është gdhendur në kujtesë një episod. Pasdite, ftohtë, dimër. Kish marrë lejen e takimit special. Mbërriti me ditë, por duhej të priste orën gjashtë. Para kësaj ore nuk lejohej hyrja. Ndaj bënte ecejake të shpejta me shpresën për tu ngrohur. Por dalëngadalë i ftohti po i hynte në palcë. Nuk rezistonte dot më, dhëmbët po i kërcëllinin. Dhe mblodhi të gjithë copat e lartave dhe gazetave që vizitorët e deriatëhershëm, kishin lënë pas. Bëri një grumbull të madh, nxori shkrepësen që e kishte gjithnjë me vete për në ndezur cigaren e shndërruar në shok të ngushtë, dhe u vuri flakën letrave. Iu duk sikur u ngroh. Por nuk e lanë ta shijonte. Gjuhët e flakëve alarmuan rojet që vrapuan për të shuar zjarrin... që do të shuhej gjithsesi, shumë shpejt.