E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi në Itali, shirat vrasin 25 persona

 

Shira të forta kanë goditur Italinë, duke shkaktuar përmbytje të mëdha, dhjetëra të vdekur e të humbur. Bilanci i viktimave deri tani është 25, por numri mund të rritet ndërsa skuadrat e shpëtimit gërmojnë nën baltë në kërkim për të mbijetuar. Sipas bilancit të kreut të Mbrojtjes Civile, Guido Bertolaso, 35 deri në 40 njerëz janë të humbur dhe rreth 100 janë të plagosur. Zonat e goditura nga shirat e fortë janë Scaletta Zanclea, Santo Stefano Briga, Giampilieri dhe Messina e jugut, ndërsa moti është zbutur në provincat siciliane si Trapani, Palermo dhe Agrigento. Rrugët janë përmbytur nga balta. Këshilli i Ministrave në Itali ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, tha se në zonën e Messinës ka të paktën 30 të vdekur dhe numri i viktimave mund të shkojë deri në 50. “Unë doja të shkoja, por prania ime do të bezdiste dhe nuk do të ndihmonte”, tha Kryeministri. 500 persona kanë braktisur shtëpitë e tyre për të shpëtuar. Shirat e furishëm nisën të premten dhe koha vazhdon të jetë e keqe. Sipas ndihmës civile duhen 25 miliardë euro për sigurinë në këtë zonë. Presidenti italian Xhorxho Napolitano ka kërkuar nga qeveria Berluskoni një plan të qartë shpëtimi. Qindra njerëzit e larguar nga banesat e tyre janë dyndur nëpër hotele. Në Messina ishte e pranishme edhe Ministrja italiane e Ambientit, Stefania Prestigiacomo. Shkollat në zonën jugore, të goditura nga moti i keq, do të qëndrojnë të mbyllura edhe të hënën. Ndërkohë në shtëpitë e braktisura kanë hyrë njerëz për të vjedhur, që konsiderohet skandal i madh në Itali sa herë që ka tragjedi të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›