Indonezi, mbi 3 000 nën rrënoja pa shpresa
Ndërsa autoritetet indoneziane kanë konfirmuar numrin e viktimave të tërmetit në rreth 1100, mbi 3 mijë njerëz të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, me pak gjasa për të pasur të mbijetuar. Ekipet e shpëtimit kanë arritur në fshatrat e largët të goditur nga tërmeti, ku njoftojnë për qindra viktima të reja. Por në disa zona ata nuk mund të depërtojnë, për shkak të shembjes së rrugëve. Janë në pritje të helikopterëve për të inspektuar zonat. Tërmeti që shkaktoi rrëshqitje toke, rrafshoi të paktën 3 fshatra në perëndim të Sumatrës. Tani në këtë vend ka nisur frika për plasjen e ndonjë epidemie. Sipas BBC, në qytetin më të goditur, Padang, një i mbijetuar ka dërguar nga poshtë rrënojave të një ndërtese një mesazh me telefon celular, ku tregonte se aty disa vetë ishin ende gjallë. Skuadra shpëtimi kanë mbërritur nga Australia, Britania, Japonia dhe Koreja e Jugut. Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Rusia po dërgojnë ndihma.