E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajnimet e mjekëve, ministria nis hartimin e specialiteteve

Pas lançimit të projektit për edukimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor, Ministria e Shëndetësisë po zhvillon një anketim me bluzat e bardha për nevojat për trajnime. Prej ditës së djeshme ministria ka hedhur në faqen zyrtare një anketë dy faqesh ku u kërkon mjekëve, infermierëve, laborantëve dhe administratës që përmes saj të përcaktojnë specialitetin ku duan të kryejnë trajnimin. Më pas do të jetë një komision i veçantë i cili do të shqyrtojë kërkesat.
Anketa
Në adresën e Ministrisë së Shëndetësisë moh.gov.al në krah të majtë në fund është publikuar anketa nga ku mund të shkarkohet dhe të plotësohet. Anketa është hartuar duke pasur parasysh të gjithë stafin mjekësor, laborantë, infermierë, mjekë dhe punonjës të administratës. Secili punonjës do të hedhë të dhënat e tij përmes disa pyetjeve, si profili profesional, arsimi, kualifikime shtesë dhe njohuri plotësuese.
Fillimisht, kërkohet plotësimi i të dhënave të personit që po aplikon, duke deklaruar emrin, mbiemrin dhe qytetin. Në seksionin e dytë kërkohet që të plotësohet profili profesional në rast se je mjek, infermier, laborant apo mjek familjeje. Në kutizën në të majtë shënohet një shenjë mbi profilin që zotëroni aktualisht. Ndërsa në institucionin që punoni, duhet të specifikoni qartë: spital universitar, poliklinikë apo qendër shëndetësore. Tek specialiteti duhet të shënoni specialitetin në të cilin doni të kryeni specialitetin. Në pjesën e tretë të anketës duhet të plotësohet vetëm nga infermierët, laborantët dhe pjesa e administratës, aty duhet të deklaroni arsimimin tuaj. Për kualifikimet shtesë anketa kërkon të kuptojë që personi që po plotëson, të dijë trajnimet, specializimet apo titujt që zotëron. Ndërsa pjesa e fundit e anketës hulumton mbi njohuritë shtesë, si zotërimi i ndonjë gjuhe të huaj apo njohja e programit të kompujetarëve. Në kutizën në të majtë duhet të shënoni me shenjë, x apo rrethor në atë nivel njohurie që ju zotëroni. Pas plotësimit saktë të këtyre seksioneve fleta mund të dërgohet me postë elektronike ose në zyrat qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë.
Trajnimet
Tanimë, për të mbrojtur vendin e punës, të gjithë punonjësit e shëndetësisë do t’u nënshtrohen testimeve që vërtetojnë aftësitë profesionale, por edhe procesit të edukimit të vazhdueshëm. Projekti i ministrisë sqaron se kjo do të bëhet përmes certifikimit. Të parët do të jenë mjekët, stomatologët dhe farmacistët dhe më pas do të vazhdohet në nivele të tjera. Ky certifikim do të zgjasë në cikle 5 vjeçare. Gjatë kësaj periudhe një mjek, farmaciste apo dentist duhet të grumbullojë 150 kredite. Këto kredite do të vlerësohen në bazë të punime shkencore, literaturës, work shop-eve brenda dhe jashtë vendit. Në rast të mosplotësimit të këtyre kritereve, punonjësi do t’iu nënshtrohet dy provimeve dhe në rast moskualifikimi, do të përballet me sanksionet që mund të shkojnë deri në heqje të së drejtës për ushtrimin e profesionit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›