E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia, institucioni i dijes që këshillon politikën

Dr. Albert Karriqi komenton reformimin në Akademinë e Shkencave. Sipas tij, ky institucion u zgjodh dhe drejtohet me konceptin e klanit

“Akademia e Shkencave është institucioni i dijes dhe, si i tillë, ai ka tagrin të këshillojë politikën”, - kështu e koncepton rolin dhe misionin e institucionit më të lartë shkencor në vend dr. Albert Karriqi, teksa komenton situatën në Akademinë e Shkencave. Sipas tij, ajo është modifikuar dhe po ecën me konceptin e klanit, gjë që po e bën këtë institucion të ngjashëm në metodologji dhe filozofi me institucionin e mëparshëm. Karriqi pohon se Akademia duhet të përbëhet nga tri pjesë: Albanologjia, Shkencat ekzakte dhe Shkencat sociale. Sipas tij, të trija duhet të drejtohen nga tre personalitete në fushat përkatëse, ndërsa kryetari duhet të jetë një emër shumë i dëgjuar dhe shumë publik, qoftë brenda vendit, qoftë në arenën ndërkombëtare.

Z. Karriqi, si e mendoni rolin e Akademisë së Shkencave, si institucioni më i lartë akademik në vend, në zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë?

Akademia e Shkencave, në momentet që jemi, ka një detyrë të përbashkët si të gjitha institucionet e tjera si motra, pavarësisht nga forma se si ato janë të organizuar. Por, meqenëse ne jemi një shtet i vogël, ne duhet të kemi një Akademi gjithëpërfshirëse që t’i ketë brenda saj të gjitha fushat. Por, kjo Akademi ka dy drejtime kryesore të përbashkëta me akademitë europiane. E para është kërkimi shkencor. Pra, ASH-ja duhet të krijojë hapësira për studime multidimensionale që janë të karakterit zhvillimor. Së dyti, përderisa jemi në kapitalizëm, me synime “laise fair”, duhet ta shohim me këtë zhvillim. Meqenëse sistemi është social-ekonomik, kjo do të thotë që shkencat e përparësisë duhet të jenë ato sociale dhe ekonomike, jo shkencat e sakta. Aktualisht, shumica e anëtarëve të Akademisë vijnë nga shkencat ekzakte. Ne duhet t’i përgjigjemi, së pari, kërkimit shkencor në makro dhe, së dyti, sistemit ekonomiko-shoqëror ku kemi hyrë. Në të dy rastet e përzgjedhjes, që bëri grupi i autorizuar në Akademinë e Shkencave, është parë jo në këtë formë. Unë them se kjo është bërë nga padija apo nga nxitimi. Mua do të më pëlqente që të ishte padije dhe jo sjellja në formën e klanit.

Pra, ju mendoni se është bërë një zgjedhje jo e duhur e trupës akademike?

Kur na dhanë formularin për të plotësuar, kishte edhe ndarjen e fushave. Edhe aty kishte pasaktësi. Edhe kur u bë përzgjedhja, u bë një kapërcim që ishte shkelje e rëndë morale, por edhe e akteve ligjore. Komisioni nuk ka të drejtë të ndryshojë formularin nga ai që na e kishte dërguar më parë; në fushat sociale dhe politike u eliminuan njerëzit pa u përzgjedhur dhe iu shtuan kuotat disa shkencave të tjera. Kjo është shkelje morale dhe statutore. Komisioni i zgjedhjeve nuk ka të drejtë të ndryshojë procedurat.
Këtë gjë unë e kam marrë vesh me vonesë.

Pra, mesa kuptohet nga ajo që thoni ju, procesi është bërë në mënyrë “klanore”. Ju mendoni se ka qenë i tillë?

Nëse në shkencë përsëriten dhe ndodhin ato gabime që bëhen në politikë, kjo është vrastare. Më konkretisht, ndodhi që kuotat e akademikëve në fushat sociale iu dhanë shkencave të sakta. Unë jam njëri prej viktimave. Unë fitova për të qenë anëtar i Akademisë, por u suprimua fusha sociale, pasi ato i kaluan shkencave ekzakte. Unë nuk e ngre çështjen nëse jam unë në Akademi apo jo, por e shtroj në ndryshueshmërinë e dy makro-zhvillimeve të një kombi: politika dhe akademizmi. Politika ndryshon për shkak të pragmatizmit, kurse në mendimin shkencor nuk ekziston pragmatizmi. Për pasojë, nëse elita bëhet me politikën, kjo sjell një masakër kombëtare.

Tashmë që ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së kandidaturave në ASH, a mendoni se ky korpus akademik e ka kredibilitetin profesional për të mbajtur këto vende?

Në planin moral, nuk ka të drejtë askush të ndikojë ose të japë mendim të kundërt me atë të komisionit që i ka përzgjedhur. Ata janë një grup njerëzish dhe ne kemi të drejtë që të themi se është opinioni i tyre apo i “klanit”. Nëse është opinioni i tyre, ne kemi të drejtë t’i respektojmë ata njerëz për përzgjedhjen që kanë bërë për kuorumin më të lartë kombëtar që ka elita e mendimit. Por, unë shikoj se nuk është vetëm kaq. Pra, do të thotë se po shikojnë interesat e përzgjedhjes në përshkallëzim të akademikut.
Sërish, unë ngul këmbë se edhe te përzgjedhja e akademikëve të asociuar është minimizuar ose hequr fare përzgjedhja nga radhët e shkencave sociale. Pra, kalojmë nga plani moral në atë institucional, sepse, në këtë rast, nuk po mendojmë për sistemin ekonomiko-shoqëror, por vetëm për kërkimin shkencor. Nëse kërkimi shkencor mbetet bosh në planin social, kjo nuk sjell ndonjë boshllëk të madh, sepse për të mendojnë universitetet dhe e bëjnë shumë mirë këtë punë.

Pra, ju mendoni se Akademia nuk do të jetë në gjendje që ta luajë rolin e saj në këtë periudhë tranzicioni dhe nuk do të bëhet e vlefshme për faktorët e tjerë institucionalë në vend?

Ne jemi në fazë emergjence, sepse nuk e kemi kaluar ende tranzicionin. Dhe pa e dhënë mendimin e tyre akademikët në planin social, si mund të prodhojë zhvillim politika?! Politika do ta prodhojë vetëm me kapacitetet më të larta që ka brenda saj.
Nëse e shohim në këtë koncept, Akademia nuk është e strukturuar ashtu siç duhet. Mendimi politik thotë se nëse një njeri merr edhe mendimin edhe veprimin bashkë, bëhet autoritarist. Politika ecën përmes mendimit të këshilltarëve. Këshilltarët kanë pikënisje mendimin akademik. Nëse politika nuk do të ketë pikënisje të tillë, (pra nëse nuk do të ketë shkenca sociale, të cilat janë pararendëse të një zhvillimi politiko-shoqëror), atëherë kush do ta japë këtë mendim? Apo do të përkthejmë të huajt? Ky është problemi që ka Akademia e Shkencave. Pra, duhet t’i japë rëndesë sistemit.

Si kanë vepruar instrumentet politike në realizimin e reformës së deritanishme në Akademinë e Shkencave?

Mendimi im është se edhe në strukturat e dikastereve nuk ka ndërhyrje politike, por klanizim. Klanin e bën titullari. Shqipëria vuan nga klanizimi. Edhe në ASH ky është problemi kryesor. Politika ka bërë një ndërhyrje së fundmi në përzgjedhjen e akademikëve të asociuar, sepse këtu në komision ka një zëvendëskryeministër dhe një ministër Arsimi.
Por, edhe këtu, si kudo, nuk ka ndërhyrje politike, por ka ndërhyrje politiko-klanore.

Pra, kjo do të thotë se tashmë ASH-ja do të drejtohet në mënyrë klanore?

Edhe nëse do ta kishin bërë tamam klanore, kjo është gjysma e së keqes. Sepse ASH-në unë mendoj se duhet ta drejtojnë shkencat albanologjike, për nga vetë rëndësia që kanë ato për integrimin e Shqipërisë dhe fytyrën e saj në rang botëror. Çdo shkencë tjetër mendoj se duhet t’i nënshtrohet përkohësisht kësaj zgjidhjeje. Shkencat bazë duhet të vendosin për sistemin ekonomiko-shoqëror. Ndërsa shkencat sociale duhet të jenë një rëndesë shumë e madhe në Akademi.
Pra, unë them se për efekt kombëtar duhet të kishte një ndarje në tri pjesë, jo në formatin e zakonshëm të shkencave shoqërore dhe natyrore, por duhej të përfshihej edhe shkenca sociale për vetë kushtet që detyrojnë situatat në të cilat kalojmë. Ka ardhur koha që duhet të japim mendimin e formatit të shqiptarit.

Por, realisht ekziston një Institut Albanologjik. Atëherë përse duhet t’i japim kaq rëndësi kësaj fushe në Akademinë e Shkencave?

Çdo shkencë ka institucionet e veta. Ne flasim për koncentrimin e mendimit elitar dhe ky bëhet vetëm në Akademinë e Shkencave. Kjo do të thotë se instituti duhet të ekzistojë për të bërë veprimin rutinë. Veprimin makro duhet ta hapë ???????????????Akademia e Shkencave. Për ta konkretizuar bisedën, le të ndalemi te rasti i Skënderbeut. Janë bërë me mijëra botime për të në të gjithë botën dhe ne nuk i dimë apo njohim të gjitha. Për të dhënë mendimin përfundimtar, duhet të angazhohet dhe të flasë Akademia e Shkencave dhe të mos ua lërë individëve një gjë të tillë, pavarësisht nga statura që kanë. Ky mendim duhet të kalojë në këtë institucion. Fatkeqësisht, ende edhe sot Akademia nuk ka një mendim përfundimtar për Skënderbeun. Deri tani, Akademia ka vepruar në mënyrë të turpshme. Akademia nuk flet dhe flasin e japin konkluzione përfundimtare njerëz të tjerë. Pra, punën e Akademisë nuk mund ta bëjë një Institut, i cili ka për detyrë punën e tij rutinore në zhvillimin e misionit të tij.

Si e shikoni statusin dhe imazhin e akademikut dhe të institucionit të Akademisë së Shkencave? A shihni se ka një bjerrje?

Përshkallëzimi i elitës së mendimit në Shqipëri është bërë nga politika. Njerëzit kanë kaluar në politikë dhe aty kanë pasur mundësinë që të shprehin mendimet e tyre dhe për t’i dhënë ato si përfundimtare. ASH-ja duhet të ndahet në tri pjesë: një për Albanologjinë, një për shkencat e sakta dhe një për shkencat sociale. Duhet të ndërtohet Akademia me këto grupe treshe dhe nuk duhet të përzihen fare me njëri-tjetrin. Vetëm në rastet e njehsimit të termave dhe metodologjisë së punimeve, duhet të koordinojnë së bashku. Sot nuk ka asnjë rendje në ASh për të bërë një ndryshim nga formati i kaluar. Ajo konceptohet njësoj si në të kaluarën, pavarësisht nga emrat që sot janë të ndryshëm. Pra, kjo do të sjellë që këta njerëz do të bëjnë të njëjtën punë, do të operojnë me të njëjtën metodologji. Këta duhet të dalin në tregun e mendimit. Por, sot në këtë treg janë vetëm shkencat sociale. Shkencat e sakta kanë mbyllur gojën dhe nuk i merr vesh askush se çfarë bëjnë. Fusha më e boshatisur e jona është etnopsikologjia. Madje, nuk ka as botime. Së fundi, Akademia duhet të ndahet në tri pjesë, që të drejtohet nga tre personalitete, të cilët janë secili në fushën e tyre personalitete. Aktualisht, ne kemi personalitete në Akademi, por secili duhet ta shohë veten se ku mund të japë më shumë. Unitetin e gjithë kësaj duhet ta bëjë një kryetar, si një emër i përveçëm që është në treg, si një emër që është shumë i dëgjuar dhe shumë publik.

7 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›