Histori të jashtëzakonshme sonte, në “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”
Për herë të parë, drejtpërsëdrejti nga studioja televizive, Rudina Magjistari në programin e saj të së shtunës së kaluar në Vizion Plus ka dhuruar gjak për talasemikët. Ka qenë historia e 13-vjeçares nga Kavaja, Griselda Stefa, e cila çdo dy javë merr rrugën nga shtëpia e saj për të marrë gjak në spitalin e Tiranës. Për të marrë ushqimin e jetës, Griselda shoqërohej gjithmonë nga nëna e saj. Në bisedë me Rudinën, Griselda ka treguar për vështirësitë e para kur shoqet e saj morën vesh se ajo ishte e sëmurë, për dëshirën e madhe për të jetuar si të gjithë bashkëmoshatarët dhe ka dhënë mesazhin e brishtë ndaj të gjithëve për të dhuruar gjak e për t`i shtuar asaj jetën. E ftuar në studio ka qenë Dhurata Rugji, mjeke në Qendrën e Dhurimit të Gjakut, e cila ka shpjeguar për teleshikuesit nevojën e domosdoshme të të sëmurëve talasemikë për gjak, dhe jo vetëm. Apelin e Rudina Magjistarit ndaj teleshikuesve për të dhuruar gjak e pasoi vetë shembulli i saj konkret në dhënien e gjakut direkt në studio. Mesazhi ishte i qartë: askujt nuk i kushton asgjë që disa herë në jetën e tij të dhurojë gjak e kjo për t`i shpëtuar jetën jo vetëm Griseldës, por edhe kujtdo që ka shumë nevojë për të. Një qenush nga supermarketi Rikiro shënoi dhe dhuratën e programit për vogëlushen 13-vjeçare. Fenomenit të gjakmarrjes dhe mundësive për ta minimizuar këtë plagë Rudina Magjistari iu kthye në retrospektivë, pikërisht në sezonin e parë në “T’kam zemër” me dy inserte mjaft interesante. Një familje në Mazrek dhe të tjera në Shkodër e Poliçan, të cilat dëshmonin për këtë fenomen, rrënjët e së cilës ishin shtrirë thellë në jetën e personazheve, protagonistë të historive të trajtuara. Mbyllja e Qendrës së Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan, e vetmja qendër e cila kishte nën mbrojtje të gjithë fëmijët e ngujuar të zonave veriore dhe arsimimi i tyre në shkollat e këtij qyteti, si mundësi për ta mposhtur këtë mentalitet, ishte tema kryesore e ritrajtimit të këtij problemi. Edhe pse Ervin Kurti, një nga gazetarët e programit të Magjistarit, tentoi të hynte brenda në këtë institucion dhe të verifikonte për numrin real të fëmijëve të ngujuar, realiteti ishte ndryshe. Mentor Spahiu, drejtori i sapoemëruar i këtij institucioni, pohoi se aktualisht në qendër nuk ishte bërë ende asnjë përzgjedhje e fëmijëve që kishin statusin e të ngujuarit dhe se në të po strehohej çdokush që dëgjonte njoftimin në media. Shqetësimi është edhe më i madh: deri kur këta fëmijë do të enden nëpër skuta pa mundur të integrohen në shoqëri si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre, herë për faj të politikës, herë për ironi të fatit e herë prej burokracive, pasojat e së cilës i mban secili prej nesh. Dhe, kur do t’u krijohet këtyre fëmijëve një mundësi e vërtetë për të patur mundësi të arsimohen, si e vetmja formë që shërben për të thyer barrierat e mentalitetit të tyre të egër. Nata vijoi më tej me një personazh mjaft interesant. Ai quhej Denis Agolli, 27 vjeç, nga Tirana. Denisi frekuentonte prej vitesh qendrën sociale të personave me aftësi të kufizuara “Të qëndrojmë së bashku”, në të cilën kishte krijuar shumë miqësi dhe kishte zhvilluar disa nga aftësitë e tij. I shoqëruar nga babai i tij dhe punonjësja e qendrës sociale, ai ka rrëfyer dëshirat, ëndrrat, si dhe pasionet e tij rreth vizatimit, muzikës dhe mbi të gjitha kërcimit. Idhujt e tij ishin Majkëll Xhekson dhe një ndër personazhet më të dashur të roleve të fantazisë ishte “Njeriu merimangë”. Dhe nuk kanë munguar surprizat. Rudina Magjistari i mundësoi falë kompanisë “For party Tirana” personazhin “Njeriu merimangë”, i cili është shfaqur papritmas teksa Denisi ka qenë duke biseduar me Rudinën. Për disa minuta, skena e programit “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” ka qenë vetëm për Denisin, i cili ka performuar në mënyrë të jashtëzakonshme një nga këngët e Majkëll Xheksonit “Billy Jee”, por është surprizuar kur bashkë me të ka performuar edhe sozia shqiptare e Majkëllit, i cili i ka falur Denisit një kënaqësi të jashtëzakonshme. Si dhuratë të fundit, programi social i dhuroi atij një aparat Tring për të parë filmat e tij të preferuar me kartona. Miqësia është një ndjenjë që lind në marrëdhënie mes dy a më shumë personave, por, për disa, kur ajo prishet, vështirë se mund t`i rikthehesh nga e para. Për dy shoqe nga Berati nuk ka ndodhur kështu. Falë programit të Rudina Magjistarit, vajzat i kanë kërkuar falje njëra-tjetrës dhe janë bashkuar sërish si më parë. Fatime Gorezi, nxënëse në vitin e tretë të shkollës së mesme “Kristo Isak”, kishte pasur para tre vitesh një zënkë me shoqen e saj të ngushtë, të quajtur Kleinda Agalliu. Që prej këtij momenti, shoqet nuk flisnin më me njëra-tjetrën. Ishte pikërisht Kleinda, e cila kishte shkuar në programin e Rudina Magjistarit ku kërkonte ndërhyrjen e emisionit për t`i kërkuar falje Fatimes. E ftuar në studio, Fatimja nuk e ka ditur arsyen e kësaj ftese, por me të parë në monitor insertin e ish-shoqes së saj është prekur dhe ka kërkuar që ta takojë atë. Një përqafim që zgjati për minuta të tëra dhe një premtim i bërë publikisht me anë të një zemre të ndarë përgjysmë mes shoqeve të ngushta. Ato do të mbanin secila nga një gjysmë zemre, simboli i së cilës ishte ai i miqësisë së fortë dhe sinqeritetit. Si dhuratë nga programi, shoqet morën një ftesë për të darkuar atë natë te restorant “Gjeli”, si për të rifituar atë kohë kur ato nuk flisnin bashkë. Në sezonin e parë të “T’kam zemër”, Rudina i bëri një vizitë suprizë shoqes së saj më të ngushtë Manjola Gjonit, e cila kishte sjellë në jetë një vajzë të vogël të quajtur Bora. Pas një viti, Bora ishte rritur dhe imazhet e saj përmes videos me prindërit në shtëpi sollën një atmosferë mjaft të gëzueshme për teleshikesit. Manjola, në bisedë me mikeshën e saj, Rudinën, ka rrëfyer disa nga momentet më interesante të njohjes së tyre, vitet e shkollës, ekskursionet, vështirësitë dhe gëzimet e jetës përmes fotove, të cilat i referoheshin viteve të ndryshme. Një marrëdhënie njerëzore, e mbushur me kujtime të bukura e të trishta, vlera e të cilave mban gjallë lidhjen mes shoqesh. Një detaj mjaft interesant i fëmijërisë së Manjolës ka qenë dhe roli i saj si protagoniste te filmi shqiptar “Dy herë mat”, në rolin e Rudinës, e bëri më interesante bisedën. Disa sekuenca nga ky film i risolli në kujtesë Manjolës çdo detaj nga xhirimet e atij filmi. Meqenëse në atë kohë aktorët nuk kishin mundësi të shikon posterat e tyre nëpër ambiente publike, Rudina Magjistari i dhuroi Manjolës një poster ku shfaqej vetë Manjola në rolin e Rudinës i mundësuar nga kompania “Green Advertising”. Një dhuratë që ajo e çmoi në mënyrë të padiskutueshme dhe që i fali atë kënaqësi njësoj si në ato vite kur filmi shënoi suksesin e tij të merituar.
7 Shkurt 2009