E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset, zbardhen afatet dhe procedurat për apelimin e gjobave



Jonida Tashi

Zbardhen afatet dhe procedurat që duhet të ndjekin bizneset për të apeluar gjobat e marra nga inspektorët e punës. Konkretisht, komisioni i apelimit do të rishikojë vetëm gjobat që subjektet kanë marrë brenda 30 ditëve të fundit. Me një urdhër të posaçëm, që mban firmën e ministrit të Punës, Anastas Duro, Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP) ka përcaktuar afatet për rishikimin e gjobave. Sipas burimeve zyrtare nga ky Inspektorat, subjekti i gjobitur ka të drejtë të bëjë kërkesë ankimore kundër vendimeve të gjobës së vënë nga inspektori i punës, në Komisionin Rajonal të Apelimit të Gjobave, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit për dënim me gjobë. Nëse subjekti i gjobitur nuk gjen zgjidhje në nivel rajonal, mund t’i drejtohet Komisionit Qendror të Apelimit të Gjobave që është ngritur në Ministrinë e Punës.
Përgjigjja
Ky subjekt duhet të ankimohet kundër vendimit të Komisionit Rajonal në atë Qendror të Gjobave, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit për vendimin e Komisionit Rajonal. Pas marrjes së kërkesës ankimuese për gjobën nga subjekti, Komisioni Rajonal ka për detyrë të marrë vendimin brenda 10 ditëve dhe t’ia paraqesë po brenda këtij harku kohor vendimin subjektit. Ndërsa Komisioni Qendror i Gjobave në Tiranë duhet të shprehet për gjobën e rishikuar brenda 20 ditëve nga marrja e njoftimit të subjektit. Burime nga Inspektorati Shtetëror i Punës bëjnë të ditur se ditën e djeshme, që ishte edhe dita e parë e apelimit të gjobave sipas procedurës së re, pranë këtij institucioni janë paraqitur shtatë kërkesa ankimore për apelimin e gjobës nga subjekte të ndryshme private. Sipas drejtuesve aktualë të ISHP-së, ndryshimi i mënyrës së funksionimit të Komisionit të Apelimit të Gjobave do të jetë më efikas për subjektet.
Urdhri i ri
Sipas urdhrit të ri të ministrit të Punës, në krye të Komisionit Qendror për Gjobat nuk do të jetë më kryeinspektori i ISHP-së, por drejtori i Përgjithshëm i Hartimit të Politikave në Ministrinë e Punës. Ndryshimi i strukturës së komisionit është bërë për të evituar konfliktin e interesit. Kështu, Komisioni i Apelimit të Gjobave, sipas urdhrit të Anastas Duros, është konceptuar të ketë pesë anëtarë, katër prej të cilëve do të jenë nga Ministria e Punës, kurse një anëtar nga Inspektorati i Punës. Ky komision do të bëjë shqyrtimin e gjobave kundër vendimeve të komisioneve rajonale. Për rregullimin e marrëdhënieve juridike të komisioneve, ministri i Punës ka nxjerrë një rregullator të funksionimit për të drejtat dhe detyrimet. Sipas ISHP-së, efekti i këtij komisioni është se procedurat tashmë janë më transparente, pasi subjekti do të marrë pjesë dhe do të dëgjohet për pretendimet që ka gjatë shqyrtimit të gjobës. Madje, tashmë subjektet mund të dorëzojnë edhe dokumente që të vërtetojnë pretendimin që ata kanë. Vendimi për rishikimin e gjobave u bë publik dy ditë më parë nga kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Thoma Melo. Apelimi i gjobave nga bizneset, sipas procedurës së re, nuk do të jetë një praktikë e përkohshme por metoda e re që do të ndiqet në vijimësi për shqyrtimin e tyre.

Emigrantët në Itali, nis informimi për pensionet në vend

Nis informimi falas i emigrantëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë në Itali, lidhur me përfitimet nga skema shqiptare e sigurimeve. Në kuadër të takimeve me synim informimin e emigrantëve shqiptarë lidhur me skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore në Shqipëri dhe pjesëmarrjes në të, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) u zhvillua dje një takim mes drejtuesve të ISSH-së dhe presidentit Kombëtar të ACAI-t, Leonardo Maiolica. ACAI është një Institut i Mbrojtjes, i cili zhvillon veprimtari informimi, asistence, konsulence dhe mbrojtje pa pagesë të shtetasve italianë, emigrantëve dhe imigrantëve, të cilat kanë si qëllim kryerjen e shërbimeve të mbrojtjes, asistencës dhe sigurisë shoqërore, në kuadrin kombëtar dhe ndërkombëtar, ashtu sikurse parashikohet nga ligji italian 152/2001, mbi institutet e mbrojtjes. Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, firmosur në qershor të vitit 2008 në Itali, ACAI merr përsipër përgatitjen falas të informacionit për pagesën e kontributeve dhe skemën e sigurimeve në Shqipëri në të dyja gjuhët dhe e shpërndan atë përmes 263 zyrave që ka në Itali. “Ne kemi nisur menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes informimin e emigrantëve lidhur me skemën e kontributeve në shumë prej zyrave tona, ndërsa shumë shpejt do të hapim zyrën e parë në Torino, ku do të punësohet një shqiptar që ka njohuri në fushën e kontributeve”, - tha Maiolica.

Diplomat e reja, 1600 studentë firmosin një peticion për Bejën

Mbi 1600 studentë të Fakultetit Histori-Filologji dhe atij të Gjuhëve të Huaja i kanë dërguar Ministrisë së Arsimit një peticion për diplomat e Bolonjës. Ditën e djeshme, studentët i janë rikthyer sërish protestave për diplomat e reja. Anulimi i udhëzimit, i korrikut të vitit 2008, që ndryshon formatin dhe përmbajtjen e diplomave, ka qenë sërish kërkesa e tyre kryesore, drejtuar Ministrisë së Arsimit. Por deri tani, askush nga ky dikaster, nuk u ka dhënë një zgjidhje kërkesave të tyre. Për këtë arsye, studentët paralajmërojnë dhe masën më ekstreme, grevën e urisë. “Kemi pasur disa takime me ministrin dhe ai nuk na ka dhënë asnjë lloj shprese për kërkesat tona, për titullin, që është gjëja kryesore. Kemi menduar të vazhdojmë kështu derisa të na dëgjojnë, sepse nuk po marrim ndonjë reagim në të mirën tonë, - thotë një përfaqësuese e studentëve. Një pjesë e studentëve protestues kanë munguar ditën e djeshme në protestë, pasi i janë drejtuar sërish auditorëve, për t’u futur në provime. Protestat e studentëve nisën rreth tri javë më parë, ndërsa para një jave studentët e Histori-Filologjisë dhe të Gjuhëve të Huaja bojkotuan mësimin. Për diplomat e reja të Bolonjës, ditën e djeshme, kanë protestuar sërish edhe studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan.

7 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›