E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni turistik "ngjall" tregtinë në Shën Pjetër

Peshkimi është një tjetër sektor që po shijon frytet e këtij sezoni turistik në këtë zonë bregdetare


Përgjatë aksit rrugor që të çon në këtë zonë bregdetare fermerët po tregtojnë në tezga prodhimet e tyre bujqësore


Sezoni turistik ka gjallëruar zonën bregdetare të Shën Pjetrit në rrethin e Durrësit, e cila prej kohësh nuk ka njohur fluks pushuesish. Fshatarët e zonës tashmë kanë nisur të shesin prodhimet e përgjatë aksit rrugor Maminas-Shën Pjetër, e cila të çon në plazh.


Anash rrugës së re automobilistike, që është rreth 22 kilometra e gjatë nga Maminasi në plazhin e Shën Pjetrit tani kanë filluar të ndërtohen njësi tregtare, të cilat kanë munguar tradicionalisht në zonë për shkak se qarkullimi me rrugën e vjetër ka qënë mjaft i rrallë.


Tashmë në të dy anët e rrugës, banorët e fshatrave të Radës, Manzës, Shkafanes, etj po tregtojnë në tezgat e ngritura rishtazi prodhimet e kopshteve dhe arave të tyre, si shalqiri, pjepri, etj.


Por ringjallja e tregtisë në këtë zonë është shoqëruar me çmime mjaft të kripura. Çmimet e prodhimeve bujqësore që prodhohen nëpër kopshtijet dhe arat e fshatarëve të rriten në mënyre të ndjeshme, madje duke kapërcyer edhe nivelin e çmimeve në qytetin e Durrësit me 5 deri në 30 lekë për kilogram.


Tregtia po lulëzon jo vetëm për fermerët, por edhe për peshkatarët e zonës, të cilët përveç lokaleve të pakta të zonës po gjejnë klientë të rinj mes pushuesve.


Por situata e çmimeve është e njëjtë edhe në këto biznese, megjithëse një zone akoma e re për pushuesit, kjo nuk i ka penguar pronarët e restoranteve të vendosin çmime të kripura për artikujt që shërbejnë në restorantet e tyre.


Një racion me karkalecë shkon deri në 1200 lekë, e po kaq afërsisht edhe një racion kocë apo levrek. Tregtarët e Kepit të Rodonit shesin ngjala, spalca të kuqe, peshkaqen, etj. me 300 lekë kilogramin, barbunin me 700 lekë/kg, spalca bisht zezë dhe dentali nga 2200 lekë kg, cikali 2700 lekë, ndërsa peshku kerr 1200 lekë.


Po sasia e gjithë peshkut të freskët që kapet në këto ujëra, nuk ka mundësi të përmbushë gjithmonë kërkesat e të gjithë lokaleve të zonës, që në këtë sezon kryesisht në fundjava janë të mbingarkuara dhe detyrohen ndonjëherë të "zbusin urinë" me peshk rezervati.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›