E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kate Çopin

13/07/2009  Një orë histori

Duke ditur se zonja Mallard vuante nga shqetësimet e zemrës, të gjithë u kujdesën që lajmi i vdekjes së bashkëshortit të saj t’i shkonte në vesh sa më lehtë të ishte e mundur. Ishte motra e saj, Jozefina, e cila ia përcolli këtë lajm me gjysmë zëri, me fjalë të shkëputura.

Bashkë me të ishte edhe miku i bashkëshortit të saj, Riçardi. Ai ishte i pari që shkoi në redaksinë e gazetës, nga u mor vesh lajmi i aksidentit hekurudhor dhe ku emri i Brentli Mallardit kryesonte listën e të vdekurve. Kështu, ai nuk priti gjatë, u sigurua edhe një herë mbi vërtetësinë e lajmit me një telegram të dytë dhe e dërgoi këtë mesazh të trishtueshëm tamam si një mik i kujdesshëm.

Zonja Mallard nuk e përjetoi lajmin e kobshëm ashtu siç do të kishin bërë shumë gra të tjera, pra me pamundësinë për të pranuar të vërtetën. Në çastin e parë ajo qau me dënesë, egërsisht e braktisur në krahët e së motrës. Kur stuhia e pikëllimit ishte shuar vetvetiu, ajo u ngjit lart në dhomën e saj dhe asnjë nuk e ndoqi pas.

Zonja u ul në kolltukun e rëndë të dhomës, përballë dritares së hapur. Lodhja dhe rraskapitja që i mundonte trupin dhe që dukej sikur po i arrinte deri në shpirt, e bëri të harrohej.

Përtej dritares së hapur ajo shikonte majat e pemëve, që ishin lagështuar të gjitha nga vesa pranverore. Ajri

kundërmonte një aromë të këndshme shiu. Poshtë në rrugë një shitës ambulant çirrej duke reklamuar prodhimet e veta. Në vesh i erdhën ca tinguj muzike, por ishte vështirë të dalloje se ç’këngë ishte, pasi tingujt vinin të mbytur. Mbi ulluqet e çative një numër i pafund trumcakësh cicëronin të lumtur.

Përtej dritares ajo dalloi copa qielli blu, që i servirnin asaj pirgun e madh të reve, të cilat qëndronin njëra mbi tjetrën.

Gruaja u ul dhe mbështeti kokën në jastëkun e kolltukut, pothuajse pa ndjenja. Ajo ndihej e gjallë vetëm në rastet kur diçka i ngacmonte fytin dhe e trondiste si të ishte një fëmijë, që qaravitej për të vazhduar gjumin me ëndrrat e tij.

Ajo ishte e re, me një fytyrë të këndshme, të qetë, linjat e së cilës pasqyronin ndrydhje dëshirash e deri diku njëfarë fuqie. Por tani në sytë e saj kishte një shikim të turbullt, bosh, që ishte fiksuar në njërin nga copat blu të qiellit. Tashmë shikimi i saj nuk i kishte më atë moment reflektimi, përkundrazi, tregonte një humbje totale të logjikës. Diçka po i ndodhte dhe ajo e priste atë e fiksuar. ǒtë ishte vallë? Ajo nuk po arrinte ta kuptonte, sepse kjo gjë ishte mjaft e pakapshme dhe dredharake për t’i vënë një emër.

Por gruaja e ndiente atë të rrëshqiste nga copat blu të qiellit dhe t’i afrohej përmes tingujve, kundërmimit dhe ngjyrave që mbushnin ajrin. Ajo ndiente një turbullim dhe iu ngrit kraharori.

Kishte filluar ta kuptonte atë tek po i afrohej ta pushtonte dhe po mundohej ta kthente mbrapsht me një dëshirë po aq të madhe sa ç’ishin të fuqishme edhe duart e saj të bardha dhe të holla. U mundua ta harronte, por dalëngadalë nga buzët i rrëshqiti një psherëtimë. Ajo e përsëriti atë gjithnjë e më shpesh me zë fryme: “E lirë, e lirë, e lirë!...”

Vështrimi bosh e i turbullt dhe pamja e frikësuar që kishin ndjekur këtë fjalë, u larguan nga sytë e saj. Tashmë pulsi i rrihte shpesh, gjaku që qarkullonte në trup iu ngroh dhe i dha paqe dhe jetë çdo pjese të trupit.

Gruaja nuk ndali më gjatë për të kuptuar nëse kjo që ndiente tanimë ishte një gëzim cinik ose jo. Një perceptim i qartë dhe egzaltues i gjërave nuk e lejonte ta shikonte këtë ndjenjë si të parëndësishme. Ajo e dinte se do të qante sërish kur të shihte duart e buta të përqafuara me vdekjen; fytyrën që asaj, kurrë nuk iu duk e ngopur me dashuri, por gjithmonë e ngrirë, gri dhe e vdekur. Pas këtij çasti të hidhur ajo pa një varg të gjatë vitesh që do t’i përkisnin vetëm asaj dhe ia hapi krahët duke i uruar mirëseardhjen.

Nuk do të kishte më askënd për të cilin duhej të jetonte, tanimë ajo do të jetonte vetëm për veten e saj.

Nuk do të kishte më asnjë dëshirë aq të fuqishme, asnjë gjë aq madhore sa ta privonte nga ajo dëshirë e verbër tek e cila burra dhe gra besojnë se kanë të drejtën të vendosin, një dëshirë të tyren mbi një krijesë të re dhe të brishtë.

Gjatë këtij çasti lumturie ajo kuptoi se një qëllim i këndshëm apo një qëllim mizor e bëri këtë histori të mos dukej aspak si krim. Megjithatë, ajo e kishte dashur – ndonjëherë, shpesh, jo!

ǒrëndësi kishte. Për çfarë mundet dashuria, ky mister i pazbuluar, të shërbejë me përballjen e vetëbindjes së plotë, të cilën ajo e njohu si impulsin më të fortë? “E lirë, fizikisht dhe shpirtërisht e lirë!” - vazhdonte të psherëtinte.

E motra, Jozefina, ishte ulur më gjunjë përballë derës së mbyllur me buzët e afruara te vrima e çelësit, duke iu përgjëruar që ta linte të hynte brenda.

- Luiza, hape derën! Të përgjërohem, hape derën! Do të sëmurësh veten kështu. Çfarë po bën, Luiza? Për hir të Zotit, hape derën!

- Largohu! Unë nuk po e sëmur veten. Ik!

Më në fund, përmes asaj dritareje të hapur gruaja po mbushej me ndjenjat e përjetësisë.

Fantazia e saj po vraponte drejt ditëve që e prisnin. Ditë pranvere, ditë vere, ditë dimri, të gjitha llojet e ditëve, tanimë do të ishin të sajat. Mori frymë lirisht dhe mendoi se jeta mund të jetë e gjatë, pasi jo më larg se dje ajo e kujtonte këtë gjë me drithërimë.

U çua më këmbë dhe i hapi derën broçkullave të së motrës. Në sytë e saj Jozefina pa të mbizotëronte një triumf i athshëm dhe ajo e paraqiti veten si një perëndeshë e fitores. E mori motrën për krahu dhe të dyja zbritën shkallën.

Riçardi qëndronte në fund të tyre, duke i pritur.

Dikush hapi derën kryesore me çelës. Ishte Brentli Mallard, që hyri në shtëpi me valixhet e udhëtimit dhe çadrën. Ai kishte qenë larg vendit të aksidentit dhe, për më tepër, as që e dinte që kishte ndodhur një i tillë.

Burri u shtang nga ulërima e gruas së tij, por mbi të gjitha nga fakti që Riçardi u mundua ta fshihte gruan nga sytë e tij.

Por Riçardi nuk ishte treguar i shkathët.

Kur erdhën mjekët, ajo kishte vdekur. Ata saktësuan diagnozën dhe thanë se vdiq nga një sëmundje zemre: “gëzimi që vret”.

Përktheu Eni Lasku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›