SHBA, dhuratë Shqipërisë pajisjet për kapjen e materialeve radioaktive
Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dorëzuar shtetit shqiptar aparatura, të cilat do të shërbejnë për të kapur materialet radioaktive, që do të tentojnë të futen në territorin shqiptar. Ka qenë i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së, Steve Cristina dhe shefi i Misionit të SHBA-së për Asistencë në Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurisë së Kufijve (EXBS) Mathew Jones që i ka dhuruar gjatë një ceremonie drejtorit të Doganave, Përparim Dervishi, drejtorit të Policisë Kufitare, Pëllumb Nako dhe shefit të Zyrës për Mbrojtjen nga Radioaktiviteti, Rustem Paçi, këto aparatura. Cristina theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet shqiptare për forcimin e kontrollit dhe sigurisë së kufijve, si mjeti për të mundësuar sigurinë e shqiptarëve si dhe më gjerë. Pajisjet e siguruara nga EXBS do të përdoren në pikat kufitare të Shqipërisë, për të parandaluar kalimin e paligjshëm të materialeve nukleare ose teknologjive me përdorim të dyfishtë. Vlera totale e projektit, përfshirë pajisjet dhe trajnimet përkatëse, shkon në 400 mijë dollarë. Dhurimi i pajisjeve u parapri nga një trajnim në Shkodër dhe në pikën e kalimit të kufirit të Hanit të Hotit. Njëzetë e dy oficerë të doganave dhe Policisë Kufitare u trajnuan në përdorimin e pajisjeve dhe teknikave të kërkimit në pika kufitare nga dy instruktorë të doganave dhe Policisë Kufitare të SHBA-së. Që nga fillimi i aktivitetit në Shqipëri në 2005-n, EXBS ka organizuar 20 trajnime për më tepër se 130 oficerë të doganave, Policisë Kufitare dhe Zyrës së Mbrojtjes nga Radioaktiviteti. EXBS punon ngushtë me doganat dhe Policinë Kufitare shqiptare, për t’i ndihmuar në arritjen e standardeve të kërkuara të sigurisë në pikat kufitare. Pajisjet e dhuruara do të shërbejnë për të bërë një kontroll edhe më të sigurt të kufijve të vendit.