E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Krujë, aksidentohen dy punëtorë të fabrikës së çimentos

Dy punëtorë të fabrikës së çimentos janë aksidentuar rëndë në Fushë-Krujë. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, ku teksa ata po punonin, një pllakë betoni i ka goditur. Për pasojë, Shkëlqim Lleshi, 40 vjeç dhe Agron Tonuzi kanë marrë plagë të rënda në trup dhe në kokë. Menjëherë aty kanë shkuar kolegët e tjerë, të cilët kanë bërë transportimin për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Aty, të dy të aksidentuarit u janë dorëzuar bluzave të bardha, ku dhe kanë marrë ndihmën e parë. Menjëherë është lajmëruar edhe policia, e cila ka shkuar në vendngjarje. Pas fillimit të procedurave të para, u ngrit një grup pune, i cili do të hetojë shkaqet e këtij aksidenti. Sipas burimeve të policisë, mendohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik në punë. Megjithatë, ende nuk ka një version përfundimtar në lidhje me këtë ngjarje. Grupi hetimor po punon për të zbardhur sa më parë pasojat e këtij aksidenti, ku mbetën të plagosur rëndë dy persona, punonjës të kësaj fabrike.

Kanë qenë orët e para të ditës së djeshme, ku Shkëlqim Lleshi dhe Agron Topuzi kishin nisur si zakonisht punën në fabrikën e çimentos. Ata ishin duke punuar në ngarkim–shkarkimin e thasëve të çimentos, kur janë goditur papritur nga një pllakë betoni. Ajo u shkëput nga tavani i fabrikës dhe i goditi të dy në trup. Për pasojë, 40 dhe 37-vjeçari pësuan plagë të rënda në trup edhe në kokë. Dëmtimi ndaj tyre ka qenë i rëndë, duke bërë që ata të transportohen menjëherë për në Tiranë, për të marrë një mjekim më të specializuar. Sipas burimeve spitalore, goditja ka qenë e fortë për të dy të aksidentuarit, duke bërë që ata të kenë hematoma në pjesë të ndryshme të trupit dhe në kokë. Bluzat e bardha po punojnë për përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›