E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimi i studimeve, dokumentet që kërkohen

Kërkesat për të transportuar studimet nga fakultete të ndryshme, drejt Universitetit të Tiranës

Institucioni më i lartë arsimor në vend ka përcaktuar procedurat dhe afatet për transferimin e studimeve nga një universitet tjetër, në Universitetin e Tiranës. Të interesuarit duhet të paraqiten në Rektoratin e universitetit nga data 27 gusht 2010, deri më 18 shtator 2010, me dosjen me dokumentet e mëposhtme.

Dje, Rektorati i Universitetit të Tiranës ka publikuar të gjitha modalitetet e nevojshme për përgatitjen e dosjes me të gjitha kërkesat e nevojshme. Koha e vendosur në dispozicion është plot dy muaj, më pas specialistët e Rektoratit të Universitetit të Tiranës do të kryejnë verifikimet, si dhe do të shpallin publikisht listën e fituesve. Ata të cilët kanë të drejtë të transferojnë studimet nga universitetet jashtë shtetit, apo ato private, drejt njërit prej fakulteteve të UT-së, duhet të kenë të plotë dosjen e dokumentacionit, deri në muajin gusht. Sipas UT-së, bëhet fjalë për transferimin e studimeve për sistemin me kohë të plotë, njohur ndryshe si “ditën”.

Kriteret

Të interesuarit duhet të depozitojnë një kërkesë me shkrim për transferim, me shkrim dhe firmë të të interesuarit, si dhe me adresën përkatëse. Nevojitet si pjesë e procedurave përmbajtja e planit dhe programit të studimit. Studentët që duhet të transferojnë studimet duhet të përgatisin listën e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara pranë Institucionit të Arsimit të Lartë përkatës. Rektorati i Universitetit të Tiranës kërkon kopje të noterizuar të indeksit të notave, librezës së studentit, për institucionet që kanë indeks, si dhe kopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së mesme. Për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit dokumentacioni duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri. Të gjitha dokumentet duhet të jenë të certifikuara nga institucioni që i lëshon. Pjesë e modaliteteve për konkurrimin e transferimit të studimeve duhet të jenë fotokopje e kartës së identitetit, si dhe mandat arkëtimi i njëmijë lekëve. BANKA CREDINS Nr: 589007. “Këto dokumente pranohen në zyrën e protokollit në Rektoratin e UT-së nga data 27.08.2010, deri më 18.09.2010”, sqaroi dje zyrtarisht administrata e Rektoratit në Universitetin e Tiranës.

Transferimet e studimeve

Secili fakultet, në bazë të kapaciteteve dhe hapësirave që disponon, mund të mirëpresë studentë të cilët, për shkak të ndryshimit të banimit apo arsyeve të tjera objektive dhe alternative, kërkojnë të vazhdojnë studimet e mbetura pranë njërës prej degëve të Universitetit të Tiranës. Shpesh herë kërkesat më të shumta për transferim kanë qenë për degët më të kërkuara, si ekonomik, juridik e shkenca sociale.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›