Transferohen gardianë në Fushë-Krujë, 13 oficerë të togës së shoqërimit
TIRANE – “Ulen” në detyrë 13 policë të togës së shoqërimit të burgjeve. Edhe pse të gjithë ndodheshin në këtë detyrë prej më tepër se 20 vjetësh, kreu i burgjeve ka firmosur dy ditë më parë transferimin tyre si gardianë në burgun e ri të Fushë-Krujës. Dokumenti që mban në fund nënshkrimin e drejtorit të Burgjeve, Gazment Dibra, u është dorëzuar policëve të transferuar paraditen e së enjtes. Në të është shënuar se punonjësit e policisë së rolit bazë, në grupin e transferim – shoqërimeve dhe sigurisë në Drejtorinë e Burgjeve lëvizen në rolin bazë në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fushë-Krujë. Më tej thuhet se marrëdhëniet financiare ndryshojnë me paraqitjen në detyrë të të transferuarve, ndërkohë në fund të dokumentit është shënuar se urdhri hyn në fuqi menjëherë. Menjëherë sapo janë njohur me të policët kanë reaguar ashpër, duke pretenduar se janë shkelur të drejtat e tyre dhe ligjet ku është mbështetur Drejtoria e Burgjeve për transferimin. Të transferuarit pohuan se thuajse të gjithë ishin efektivë të togës së shoqërimit të të pandehurve prej më tepër se 20 vjetësh dhe se gjatë punës së tyre kishin shoqëruar për në gjykatë, apo transferuar nëpër burgje mijëra të arrestuar e burgosur. Sipas tyre rregulloret dhe ligjet me të cilat funksionojnë këto institucione, policët nuk mund të transferohen më larg se 20 kilometër larg vendbanimit. Disa prej tyre të kontaktuar dje, pohuan se i kishin kërkuar takim krerëve të burgjeve, por ishin ndaluar të hynin në institucionin e burgjeve nga kolegët e tyre që qëndrojnë te dera. Të kontaktuar nga gazeta, funksionarë të lartë të burgjeve pohuan se transferimi është bërë konform të gjithë rregullave. Sipas tyre, lëvizja e efektivëve të togës së shoqërimit është bërë me qëllimin e rregullimit të punëve në burgun e Fushë-Krujës, i cili është burg i ri dhe ka vetëm pak ditë që ka nisur të funksionojë. Transferimi në të i policëve profesionistë është parë si një domosdoshmëri nga ana e krerëve të burgjeve. Në fund, funksionari i burgjeve i kontaktuar nga gazeta, pohoi se për më tepër në dispozicion të efektivëve të burgut të Fushë-Krujës është vënë një autobus, që niset nga Tirana tri herë në ditë, para çdo turni me të cilin udhëtojnë punonjësit e këtij burgu. fa.ma.