E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatet e forta shtynë ligjin, ndërhyri edhe OSBE

Parlamenti kishte parashikuar që të votonte projektligjin në sesionin parlamentar të verës që u mbyll në muajin korrik. 

Por debatet pa fund mes socialistëve dhe demokratëve për këtë çështje dhe mosdhënia e konsensusit bëri që ky projektligj të shtyhet. Në Kuvendin e Shqipërisë prej dy vitesh gjenden katër projektligje, të cilat janë depozituar nga Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Demokristiane dhe së fundi një projektligj i hartuar nga deputeti Aleksandër Biberaj. Pas shumë debatesh dhe diskutimesh në Komisionin parlamentar të Ligjeve, demokratët paraqitën një projekt të ri, por që u kontestua nga ana e socialistëve, për shkak se u cilësua si një ligj që synon lustrimin dhe jo hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit për qytetarët. Kërkesa për hapjen e plotë të dosjeve u bë prezent nga deputeti socialist, Arben Isaraj, i cili është edhe relatori i çështjes së tre ligjeve të paraqitura. “Hajde ulemi për ligjin, të hapim arkivat, të hapin dosjet për të gjithë, jo t’i kthehemi legjislacionit të mëparshëm për lustracionin. Prandaj duam konsensusin tuaj, nëse ulemi nen për nen, atëherë ne nuk bëhemi pjesë e këtij diskutimi si grup i PS-së”, është shprehur Isaraj në një nga mbledhjet e fundit të Komisionit të Ligjeve. Po një gjë të tillë për deputetët demokratë e kanë cilësuar si një pjesë e luftës që mund të hapet ndërmjet familjeve. “Është debat tjetër nevoja për të hapur dosjet për të gjithë shoqërinë, por duke parë specifikën e shoqërisë shqiptare dhe mënyrën kapilare se si është përhapur Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunëtorët, debati moral që ka ekzistuar ishte që të mos krijohen probleme sociale në fshat në zona me njerëz, që në bashkësi vazhdojnë jetën e tyre modeste”, u shpreh Bumçi. Në debatin për hapjen e dosjeve u përfshi edhe OSBE-ja. Kreu i prezencës së OSBE-së, Robert Bosch, deklaroi në një prononcim për mediat se, “rihapja e vazhdueshme e kësaj çështjeje do të ishte në dëm të zhvillimit të Shqipërisë. Prezenca e OSBE-së dëshiron të përsërisë edhe një herë qëndrimin e saj, se i gjithë legjislacioni me rëndësi të veçantë për publikun, veçanërisht kur ka të ngjarë që të krijojë kundërshti, duhet të miratohet në mënyrë të atillë që të lejojë kohë të mjaftueshme për konsultim me ekspertë, grupe të interesit dhe publikun e gjerë. Veç kësaj, duhet të lihet hapësirë kohore për debate të gjalla në Kuvend”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›