E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitorimi, në Tiranë, uji i ndotur me fekale

Gjysma e kryeqytetit ka konsumuar ujë të ndotur gjatë muajit korrik. 

ZIRINA LLAMBRO

Kjo ka rezultuar nga monitorimi i Institutit të Shëndetit Publik. Ndonëse gjatë verës niveli i klorit duhet të rritet për të evituar epidemitë, duket se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Plot 23 pika në Tiranë kanë rezultuar me ujë të ndotur.  “Monitorimi i ujit të pijshëm, i kryer nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik tregoi se pothuajse i gjithë kryeqyteti pati ndotje të ujit me mikrobin E. koli, mikrobi infektiv që gjendet në ujërat e zeza”, sqaruan specialistët e ISHP. Sipas raportit të këtij institucioni bulevardi “Zogu i parë”, rruga e Elbasanit dhe bulevardi “Zhan d’Ark”, mbajnë rekord për ndotjen e ujit të pijshëm nga ujërat e zeza. Nga të dhënat vërehet se gjatë korrikut rreth 15 herë u vu re ndotje në bulevardin “Zogu i parë”, 11 herë në rrugën e Elbasanit dhe 10 herë rezultoi ujë i ndotur në bulevardin “Zhan d’Ark”. Por ndotje është evidentuar edhe në pikat e ujësjellësit të bulevardit Dëshmorët e Kombit, rreth 5 herë gjatë muajit, rruga pranë Stacionit të trenit, 6 herë e ndotur në korrik, Rr. Vaso Pasha, Rodi Shkurti, Kombinati, rruga e Durrësit, rruga e Dibrës, rruga e Kavajës. Kjo hartë e ndotjes së ujit e përcakton muajin korrik si më problematikun krahasuar me muajt e tjerë. Por si gjithnjë në të tilla raste përplasen të dhënat. Drejtoria e Shëndetit Publik, e cila ka për detyrë të monitorojë përditë ujin e pijshëm në Tiranë, nuk konstaton të njëjtën gjë. Për këtë drejtori, problemi i vetëm i pandryshuar mbeten shpimet e puseve, të cilat për shkak të mungesës së klorit rritin sëmundshmërinë infektive. Bazuar mbi të dhënat e përjavshme nga qytetet e vendit, në raportin e ISHO nënvizohet se për muajin korrik është evidentuar  mungesë e theksuar e klorit në disa ujësjellës të qyteteve të ndryshme. Gjatë monitorimit u kapën pika pa klor në ujësjellësin e Hasit, Burrelit, Selenicës, Kuçovës, Vlorës dhe Tiranës. Sipas ISHP, mungesë e theksuar klori është vënë re dhe në ujësjellësin e Poliçanit, i cili nuk është klorinuar në oraret e lëshimit të ujit për qytetarët. Për këtë arsye janë marrë masa administrative ndaj ndërrmarjes së ujësjellësit të këtij qyteti. Muajin e shkuar, si pasojë e ndotjes së ujit, banorët e Poliçanit u prekën nga dizenteria.  

Zonat e ndotura

Bulevardi “Zogu i Parë”
Rruga e Elbasanit
Bulevardi “Zhan d’Ark”
Qyteti Studenti
Rruga pranë stacionit të Trenit
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Rruga “Vaso Pasha”
Rruga “Todi Shkurti”
Zona e Kombinatit
Rruga e Durrësit
Rruga e Dibrës
Rruga e Kavajës
Rruga “5 Maji”
Rruga “Kristaq Cipo”
Rruga “Dhimitër Kamarda”
Rruga “Ali Demi”
Rruga “Muhamet Gjollesha”
Rruga “Komuna e Parisit”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›