Shurdhëria, do ekzaminohen 25 mijë fëmijë të porsalindur
Në çdo 1 mijë lindje një fëmijë është i shurdhër. Shkak për këtë anomali mund të bëhet lindja premature, përdorimi i një grupi ilaçesh, apo sëmundjet infektive që nënat mund të kalojnë gjatë shtatzënisë. Në vendet e tjera, ky lloj handikapi kapet në kohë dhe të vegjlit kanë shanse të rehabilitohen, tek ne ndodh e kundërta. Pasojat sociale ndihen më vonë, kur për shkak të paaftësisë për të dëgjuar është e pamundur që këta fëmijë të mësojnë të flasin e të sillen. Për të mundësuar diagnostikim të hershëm te të porsalindurit Ministria e Shëndetësisë do të vërë në jetë një projekt të ri. Janë rreth 25 mijë të porsalindur që do të diagnostikohen në qytetet me numrin më të madh të lindjeve. Testimi neonatal për aftësitë e të dëgjuarit do kryhet pranë strukturave shëndetësore të qyteteve kryesore si Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër. Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, nënshkroi dje marrëveshjen e bashkëpunimit në shëndetësi me Gianfranco Jacuzzin, koordinator i projektit MAGIS. “Ky bashkëpunim do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijëve shqiptarë”, u shpreh Godo. Me anë të saj synohet reduktimi i handikapit që vjen si rrjedhojë e mos aftësisë së dëgjimit. Në vendin tonë lindin rreth 45.000 fëmijë në vit, prej të cilëve mbi 9.000 vetëm në Tiranë, ndaj vëmendja mendohet të kushtohet në qytetet me numër më të madh lindjesh. Fëmijëve që paraqesin këto probleme do t`u vendosen proteza dhe do të fillojnë të ndjekin një program rehabilitues të përshtatshëm. Sipas mjekëve specialistë duke iu referuar shkaktarëve që mund të çojnë në dëmtim të pjesshëm ose të plotë të dëgjimit, ky problem mund të parandalohet me masa konkrete. Kështu, imunizimi i fëmijëve ndaj sëmundjeve si rubeola, fruthi, shytat, imunizimi i grave për rubeolën gjatë shtatzënisë, testimi për sifilizin dhe infeksione të tjera gjatë barrës, janë disa prej ekzaminimeve parandaluese. Veç tyre, duhet pasur kujdes me mënjanimin e zhurmave të forta dhe zbulimin e hershëm të problemeve me dëgjimin. Sidomos te fëmijët e vegjël kapja në kohë e problemit dhe kryerja e ndërhyrjeve të caktuara për t’u rikthyer dëgjimin, do të shmangte mangësitë në të folur, në zhvillim dhe edukimin shkollor.