E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transformimi i Parkut të Liqenit, gati projekti

Nga Ermelinda Hoxhaj
Nisja e punimeve për Parkun e Liqenit është shumë afër. Kjo është konfirmuarnga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama gjatë takimeve për prezantimin e Planit të ri Rregullues 

TIRANE-Transformimi rrënjësorë i Parkut të Liqenit është shumë pranë. Projekti tashmë është gati dhe pritet të fillojë të implementohet së shpejti. Faza e parë e tij, veç rikualifikimit, asfaltimit të rrugëve dhe ndriçimit, parashikon edhe pastrimin e gjithë kësaj zone nga ndërtimet e paligjshme. Sipas Ramës, Parku i Liqenit do të jetë një hapësirë e madhe brenda kryeqytetit, e cila do të vendoset në funksion të të gjithë atyre personave që duan një hapësirë pa makina, në të cilën të ecet lirisht. Ndërsa në një fazë më të vonë, parashikohet ndërhyrja në liqen për pastrimin e ujit, si dhe krijimi i plazhit urban, ku ndodhet diga e Liqenit.
Projekti
Nisja e punimeve për Parkun e Liqenit është shumë afër. Kjo gjë është konfirmuar edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili gjatë takimeve për prezantimin e Planit të ri Rregullues nëpër njësitë bashkiake, ka thënë se: "Ajo ku dua të fokusohem është rikualifikimi i gjithë Parkut të Liqenit, i cili do të transformohet në një zonë me një mjedis shumë më cilësor, me rrugë të shtruara, me ndriçim, me të gjithë aksesorët e tjerë të domosdoshëm të vendosur dhe me një numër shumë të madh pemësh të reja, të disa llojeve". Ky projekt është tashmë i përfunduar dhe së shpejti do të fillojmë me ndërhyrjen e parë në Parkun e Liqenit, i cili jo vetëm do të pastrohet nga disa ndërtime të paligjshme të mbetura aty, por edhe do të rikualifikohet, duke mos krijuar më as edhe një lloj ndërtimi, ka sqaruar Rama. Ndaj, si pas tij, ky Park të jetë një hapësirë e madhe natyre brenda qytetit, në funksion të të gjithë atyre që duan një hapësirë pa makina, një hapësirë ku do të ecet lirisht, një hapësirë ku të ketë korsi për vrapuesit, korsi për biçikletat, hapësirë për këmbësorët, për të moshuarit, për fëmijët, me kënde pushimi dhe kënde argëtimi. Por të gjitha këto si: korsi për vrapues, për biçikleta, hapësira për këmbësorët, ndriçimi, kënde argëtimi për fëmijët etj, janë vetëm pjesë e fazës së parë të këtij projekti të madh për Liqenin. Kjo pasi në fazën e dytë parashikohet pastrimi i ujit të Liqenit Artificial, pasi është shumë i ndotur për shkak të ujërave të zeza që dredhen në të. "Ne do të ndërhyjmë me një projekt të madh, por tërësisht të mundshëm, të risistemimit të pasqyrës ujore të Parkut të Liqenit, e cila do të ribëhet nga e para, me një infrastrukturë të modernizuar, me plazhin urban që do të bëhet aty ku sot është diga e Liqenit", - ka deklaruar kryebashkiaku Rama. Fazës së parë të këtij projekti i është dhënë "OK" edhe në KRRT-në e Tiranës vetëm një javë më parë dhe pritet që punimet të nisin sa më parë. Ndërsa për fazën e dytë, e cila është dhe një fazë ku duhen investime më të mëdha, ende nuk është përcaktuar ndonjë afat kohe i saktë. Por ky projekt është parësor, pasi parashikohet edhe në Planin e ri Rregullues.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›