Gjatë muajit prill, Ati i Shenjtë i fton besimtarët të luten për të krishterët e persekutuar
Ipeshkvijtë italianë: Qendrimi i Benediktit XVI për abuzimet e priftërinjve, i patundur dhe i qartë
“Transparenca është një pikë që karakterizon ndershmërinë tonë në veprimtarinë baritore.” Këtë gjë nënvizojnë ipeshkvijtë italianë në komunikatën përfundimtare të Këshillit të Përhershëm të Konferencës Ipeshkvnore Italiane zhvilluar ditët e fundit në Romë. Prelatët i shprehin Papës solidaritetin e tyre, duke vënë në dukje qëndrimin e tij të “patundur e të qartë” në lidhje me shkandullin e abuzimeve me të mitur nga ana e disa klerikëve. “Jemi të tronditur”, “na kanë tradhëtuar”, “ndjejmë keqardhje”. Kështu shprehen ipeshkvijtë italianë mbi rastet e pedofilisë në Kishë. Mes tjerash ipeshkvijtë nënvizojnë “qëndrimin e patundur dhe të qartë” të Papës Benediktit XVI i cili me siguri dhe vendosmëri e fton bashkësinë kishtare të sqarojë të vërtetën e fakteve duke ndërmarrë edhe hapat e duhur. Ipeshkvijtë italianë i shprehin Papës “përzemërsinë dhe solidaritetin e tyre të plotë me të” duke e falenderuar për “dëshminë e tij të kulluar të fesë dhe magjisterin e tiij papnor”. Në komunikatë thuhet se ipeshkvijtë “para së gjithash i shprehin viktimave të abuzimeve dhe familjeve të tyre – pjesë e vetë Kishës – keqardhjen e thellë për sa ka ndodhur” dhe janë të një mëndjeje se rreptësia dhe transparenca në zbatimin e normave gjyqësore dhe penale kanonike është rruga që duhet përshkuar për të kërkuar të vërtetën.
Gjatë prillit, Papa na fton të lutemi për të krishterët e persekutuar/Për muajin e prillit, Papa na fton të lutemi për të krishterët e persekutuar. Nga Indonezia, Radio Vatikani merr dëshminë e rregulltarit saverian Atë Silvano Laurenci. “Për të krishterët e persekutuar për shkak të Ungjillit, që të mbështetur nga Shpirti Shenjt, t’i qëndrojnë besnik dëshmisë së dashurisë së Zotit për mbarë njerëzimin”: ky është nijeti apo qëllimi i lutjes së Papës për muajin prill. Këtë nënvizon misionari atë Silvano Laurenci, rregulltar saverian që jeton e vepron në Indonezi. “është qartë që këto janë momente të forta për ne e për bashkësinë e besimtarëve, për t’i përforcuar hapat gjurmëve të Krishtit të vuajtur e të munduar në situata konkrete lokale, përmes vuajtjeve të njerëzve. Kjo do të thotë të ndjekësh Jezu Krishtin, që vazhdon të vuajë e ta bartë Kryqin ende sot. Këto çaste siç është e Diela e Larit, siç është Jave e Madhe e Pashkëve, u japin forcë të gjithë të krishterëve e po kështu edhe ne misionarëve për të vazhduar me angazhimin tonë edhe ndër vështirësi. Vështirësitë janë diçka normale për një misionar, janë pjesë e programit në veprimtarinë e tij, e sikur të mos kishte vështirësi, nuk do të ishin këtu. Pra në realitetin e sotëm duhet të jetojmë me angazhim, me lutje, me durim, me dashuri e dëshmi. Lajmin që njerëzit presin prej nesh, është ai i Pashkëve, i Krishtit të ngjallur, i Krishtit që është jetë e sjell Jetën e vërtetë”.
Kisha është rritur pikërisht ndër vuajtje e persekutimeve, nga gjaku i martirëve të saj kanë lindur shumë dëshmi të reja për Ungjillin e dashurin e Zotit. “Po, është pikërisht kështu. Them një gjë të madhe se kjo është një epërsi, sepse pikërisht ndër vështirësi e në beteja përforcohet ndërgjegjësimi e dëshmia e besimtarëve ndaj Fjalës së Zotit dhe dashurisë së Tij për çdo person. Ne e dimë se Jezusi sjell jetën. Mirëpo na takon neve ta kuptojmë se në çfarë mënyre, kur e ku t’ia ofrojmë të afërmit tonë këtë dhuratë të çmueshme. Si t’ia transmetojmë gëzimin të tjerëve? Ne i këndojmë gëzimit dhe kumtojmë gëzimin, mirëpo shpesh herë në jetën e njerëzve gëzim nuk ka. Prandaj, duhet të zbulojmë gjithnjë e më shumë gurrën e gëzimit, Jezu Krishtin.
Cili është urimi juaj për këtë Javë të Madhe të Pashkëve për bashkësinë e tuaj të besimtarëve? Të përforcohet feja, durimi, dashamirësia, sepse në Indonezi ka kaq shumë sekte që vazhdojnë t’i tundojnë katolikët duke i ftuar ta ndërrojnë Kishën, e atëherë duhet të kemi durim e urti. Angazhimi ynë është ai i të qenurit besnik ndaj Jezusit, e mos ta zhgënjejmë kurrë Krishtin. Jezusi është besnik deri në kryq e edhe ne duam e duhet të jemi besnik ndaj Tij deri kryq.
Mbrëmje lutjeje në Bashkësinë e Shën Egidios në kujtim të Dëshmitarëve të Fesë/Mbrëmje lutjeje në mes të Javës së Madhe të Pashkëve në Romë dhe në botë, për të kujtuar “ata që në këto vitet e fundit kanë dhënë jetën e tyre për Ungjillin”. Këto mbrëmje lutjeje që do të zhvillohen nga Italia në Francë, nga Belgjika në Hollandë, por edhe nga Buenos Ajres në Nju Jork, janë organizuar nga Bashkësia e Shën Egidios. “Në natën që po përjeton bota – thuhet në paraqitjen e kësaj nisme - nuk mungojnë dëshmitarët e fesë që e ndriçojnë rrugëtimin e njerëzimit drejt Krishtit, i cili vdiq dhe u ngjall për ne”.