E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transparenca e zyrtarëve, domosdoshmëri

Inspektorati i pasurive merr mbështetje nga Presidenti Topi dhe Kryeparlamentarja

Presidenti Bamir Topi dhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, u zotuan dje se në një tryezë të përbashkët, institucionet që ata drejtojnë do të japin kontribut maksimal për mbështetjen e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Kjo u bë e ditur gjatë një tryeze që ILDKP mbajti për të iniciuar krijimin e Rrjetit Ndërkombëtar të agjencive të Europës Juglindore, që kanë si objekt të punës së tyre parandalimin e konfliktit të interesave. Në fjalën e tij, Presidenti Topi theksoi se në luftën ndaj korrupsionit duhet të angazhohen të gjitha institucionet e vendit dhe ajo nuk mund të jetë detyrë e një institucioni të vetëm. “Lufta kundër korrupsionit nuk është ekskluzivitet i institucioneve tuaja, barra për të evidentuar dhe luftuar korrupsionin dhe abuzimi me detyrën nga funksionarët e shtetit nuk është përgjegjësi vetëm e një institucioni”, iu drejtua Presidenti përfaqësuesve të ILDKP-së. Sipas Topit, transparenca e pasurive të politikanëve është e domosdoshme, sepse të gjithë duhet ta dinë se kush i qeveris dhe çfarë modeli kanë si alternativë.

“Qytetarët duhet ta dinë me hollësi se kush i drejton, kush i qeveris, çfarë modeli zyrtarësh përfaqësojnë ata që takojnë në zyrat e shtetit, që nga komunat e deri te Presidenti”, deklaroi Topi. Por, tha kreu i shtetit, është akoma më i rëndësishëm distancimi i qartë i shtetit nga çdo zyrtar, i çfarëdo rangu politik e shtetëror, që ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga posti që mban. “Kjo është fryma e shtetit ligjor, ky është shpirti i demokracisë, kjo është edhe sfida kryesore e institucioneve tuaja në raport me publikun”, nënvizoi Presidenti. Nga ana tjetër, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi se Parlamenti ishte i vendosur për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

“Parlamenti mbështet tërësisht ILDKP-në dhe institucionet anti-korrupsion, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mësojnë se sa i vërtetë ka qenë në deklaratën e pasurisë një politikan, një parlamentar, një kryetar bashkie, dhe nëse rezulton se s’ka qenë ashtu, natyrisht fillojnë problemet dhe aty ku fillon evidentimi i këtij problemi, fillon dhe zgjidhja e problemit”, deklaroi Topalli, duke shtuar se rastet e shumta të kallëzimit në prokurori tregojnë për seriozitetin e këtij institucioni. Nga ana e tij, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP-së, Adriatik Llalla, në cilësinë e bashkorganizatorit, e cilësoi takimin si një provë të qartë të institucioneve pjesëmarrëse për vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit. “Angazhimi i Inspektoratit të Lartë në ndëshkimin me forcën e ligjit ndaj zyrtarëve që kanë abuzuar me pushtetin publik ka forcuar performancën institucionale, si edhe ka krijuar besimin e publikut të gjerë e shoqërisë civile, të cilët tashmë janë aktivë në denoncimin e rasteve të dyshuara korruptive”, theksoi Llalla.

Në fund të sesionit të parë, takimi u përshëndet edhe nga Vesna Ratkoviç, drejtuese e Sekretariatit të Iniciativës Rajonale Anti-korrupsion, e cila e cilësoi takimin e sotëm në Tiranë si një forum me rëndësi shumë të madhe për krijimin e strukturave bashkëpunuese ndërmjet institucioneve homologe në rajonin e Europës Juglindore.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›