E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret veten me armën që plagosi fqinjin

Durrës, viktima dhe autori jetonin pranë njëri-tjetrit. Familjet, të përfshira prej vitesh në konflikte

Një krim i dyfishtë ka tronditur qytetin e Durrësit dhe veçanërisht dy familjet fqinje të përfshira në të. Java ka nisur e përgjakur në Durrës me një të vdekur dhe një të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi dje, rreth orës 14:00, kur një 55-vjeçar është vetëvrarë me armë zjarri, duke menduar se ka vrarë fqinjin, pas një grindjeje të radhës. Fqinji ndërkohë ndodhet i plagosur dhe në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Durrësit, nën trajtim mjekësor. Ngjarja kriminale, që zë fill nga marrëdhëniet e acaruara, që rëndom ndodhin mes fqinjëve, u regjistrua në lagjen 15 të qytetit bregdetar, në Spitallë. Si rezultat i një fqinjësie të keqe mes dy familjeve Dushku dhe Zaimi, viktima, Muhamet Dushku, rreth 55 vjeç, lindur në Librazhd dhe banues në periferi të Durrësit prej disa kohësh, ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi fqinjin e tij. Për pasojë Aleksandër Zaimi ka mbetur i plagosur rëndë në shpatull. Ngjarja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër si pasojë e konflikteve të vazhdueshme që ekzistonin mes dy familjeve që jetojnë në pjesën e ish-kënetës që i përket zonës së Spitallës. Sapo ka parë 35-vjeçarin Zaimi duke rënë në tokë nën një pellg gjaku, i tronditur nga krimi i sapokryer, Dushku është larguar bashkë me të birin me automjetin e tyre tip “Volkswagen Polo”, me ngjyrë gri dhe targa DR 3072 D drejt Shkozetit. Në këtë zonë të Durrësit, Muhamet Dushku është ndarë nga i biri dhe ka ecur në këmbë deri te Kodra e Rrashbullit. Në kushtet e një gjendjeje të rënduar psikologjike, pa mundur të përballet me krimin e kryer pak minuta më parë, ka marrë vendimin për vetëvrasje. Pranë një objekti të vjetër dhe të braktisur, në afërsi të tunelit të hekurudhës, 55-vjeçari ka kryer vetëvrasjen me të njëjtën armë krimi me të cilën plagosi fqinjin. Ndërkohë uniformat blu kanë shoqëruar për në polici djalin e viktimës, ndërsa është bllokuar në cilësinë e provës materiale automjeti që kanë përdorur babë e bir për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë i plagosuri po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe burimet spitalore durrsake bëjnë të ditur se ende nuk mund të thuhet se Zaimi ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë po hetohet për të sqaruar motivet e kësaj fqinjësie të keqe që çoi në plagosjen e njërit prej fqinjëve dhe vetëvrasjen e tjetrit. Për momentin janë marrë dëshmi nga pjesëtarë të dy familjeve, të cilat po kalojnë një moment shumë të vështirë për shkak të humbjes së kryefamiljarit në njërën prej tyre, ndërsa familja tjetër në ankthin që mbart gjendja e rëndë shëndetësore e njeriut të tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›