E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama tërheq këshilltarët, fsheh fondet e mbartura dhe zhvat qytetarët me taksa anormale

Këshilli Bashkiak, mazhoranca kërkon ndryshime në buxhetin e 2010-ës


Këshilltarët e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës, bojkotuan sot mbledhjen e përcaktuar me diskutime për buxhetin e 2010-ës. Pas debateve të ashpra lidhur me zerat në buxhet dhe sistemin e taksave të aplikuar vitet e fundit nga njësia vendore e kryeqytetit, përfaqësuesit e PS-së dolën kundër reduktimit të taksave, duke e konsideruar këtë si të dëmshme dhe me pretekstin se ul nivelin e investimeve të Bashkisë. Nga ana tjetër këshilltarët e mazhorancës, që kanë mazhorancën në Këshill, PD-LSI, kërkuan me ngulm që kryebashkiaku Rama të japë shpjegime për taksat dhe fondet e mbartura të 2009-ës, të cilat s’janë bërë transparente. Kreu i këshilltarëtve të PD-së në Këshill, Ferdinand Poni propozoi disa përmirësime për buxhetin e vitit 2010, që sipas tij duhet të merren parasysh. Një nga këto propozime është “deklarimi i fondeve të mbartura nga viti 2009”. Poni gjithashtu thekson se këshilltarët e djathtë kërkojnë të dinë “planin e shpenzimeve të bashkisë”, ndërsa shton se “fondet duhet të kalojnë për investime e jo për fushata”. Një tjetër kërkesë e tij është “pajisja me listat e taksave, e padisponuar deri tani”. “Kryetari i bashkisë së Tiranës Rama duhet të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak, pasi ai mund të paditet edhe për shpërdorim detyre”- tha Poni, duke iu referuar mungesës së gjatë të Ramës në një mbledhje Këshilli Bashkiak. Kreu i këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak dhe njëherazi zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni tha se Rama të japë përgjigje se sa përqind e fondeve të buxhetit të 2009-ës janë realizuar dhe gjithashtu të japë shpjegime për taksat e larta. “A mundet të na thoni sa pronarëve të pronave publike nga viti 2001, 2002, 2003 e me radhë sa keni keni shpërblyer? A mund të na thoni se sa kopshte dhe shkolla janë ndërtuar gjatë 2009-ës dhe ku janë fondet e mbartura? Në mënyrë standarde a e kemi blerë në tokën për njësinë bashkiake numër 4 dhe numër 1 për ndërtimin e zyrave dhe pse mungojnë fondet? Do të thoja dhe qindra probleme të tjera. Taksat dhe tarifat, vazhdojnë të rëndojnë qytetarët dhe bizneset, Bashkia e Tiranës vazhdon t’i vjelë ato, por destinacioni nuk dihet. Kryetari i Bashkisë bën mirë të vijë këtu dhe të japë llogari për të gjitha këto”- u shpreh Poni. Gjergj Bojaxhi ngriti si shqetësim të radhës krahas mungesës së transparencës së fondeve dhe taksave të larta, mos ndërtimin e Unazës së Madhe. Këshilltari demokrat, Bojaxhi u shpreh se Bashkia e Tiranës duhet të konkretizojë bashkëpunimin me qeverinë qendrore. “Më shqetësuese është fakti i mungesës së Unazës së Madhe. Disa zona të Tiranës janë zhvilluar së tepërmi, por infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar, Unaza e Madhe duhet të ndërtohet jashtë qytetit. Duke qenë i ndërgjegjshëm që Unaza do jetë një faë bashkëpunimi, do kërkoja që në mënyrë të shpejtë dhe serioze të mbyllej projekti, të mbylleshin çështjet e financimit dhe të ndërtohej Unaza e Madhe”- tha Bojaxhi. Nënkryetarja e Bashkisë Albana Dhimitri tha se Bashkia është gati të fillojë punën, por, tha ajo qeveria qendrore nuk ka dhënë kontributin e duhur. Ndërhyrja e menjëhershme e këshilltares demokrate Suzana Guxholli, ishte se papërgjegjshmëria e Bashkisë ka zvarritur projektin. Duke iu referuar deklaratës së Dhimitrit se Bashkia është gati për projektin, Guxholli kërkoi praninë e Ramës në Këshillin Bashkiak për të prezantuar projektin dhe të inaugurojë punimet. “Zoti Rama të vijë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe të prezantojë projektin dhe më pas ta inaugurojë atë. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të mësojnë rolin e Bashkisë së Tiranës”- tha ajo. Denoncimin për taksat dhe tarifat e larta e vazhdoi dhe këshilltari Njazi Kosovrasti. Ai dënoi politikën e taksave vendore të ndjekura nga Bashkia e Tiranës. Sipas tij, sot mazhoranca ka një tjetër mendim lidhur me taksat dhe tarifat aktuale, dhe se duhet të diskutojë për nivelin e tyre. “Ne kemi një filozofi tjetër. Duhet të jemi korrektë me biznesin dhe qytetarët. Ka forma dhe mënyra që edhe nëpërmjet uljes së taksave dhe tarifave, investimet në qytetin e Tiranës të mos penalizohen. T’i marrim një nga një qoftë për realizimin e të ardhurave ashtu dhe për taksat e njësisë vendore”- deklaroi këshilltari i PD-së, Kosovrasti. Të njëjtin qëndrim mbrojtën edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryetari i këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj e cilësoi buxhetin e vitit 2010 si teorik e aspak real, duke kërkuar kështu edhe një tabelë të plotë të taksave. “Nuk do të miratohet buxheti pa këto informacione të domosdoshme. Niveli i taksave i paraqitur në këtë buxhet është katastrofik”- u shpreh Dervishaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›