E Diel, 1 Nëntor 2026

PE, Fajon: Të shembet “muri i vizave” për qytetarët shqiptarë

Raportuesja për vizat në Parlamentin Europian Tanja Fajon ka përpiluar draft- rezolutën mbi propozimin legjislativ të Komisionit për të transferuar dy vendet e rajonit nga Aneksi I, që liston ato vende ku shtetasit detyrohen të kenë një vizë për të kaluar kufirin e vendeve anëtare, në Aneksin II, që përmban listën e vendeve të treta që përjashtohen nga ky detyrim.
“Bashkimi Europian ka përgjegjësinë politike për të përfunduar këtë proces. është paradoksale që pas më shumë se 20 vite nga rënia e murit të Berlinit, ne ende kemi “murin e vizave” ndaj fqinjëve tanë të drejtpërdrejtë”- thuhet në draftin e hartuar nga Fajon.
Në notën shpjeguese, europarlamentarja bën thirrje për trajtimin e procesit liberalizues si “çështje urgjente”, në bazë të angazhimit të përbashkët të shprehur nga Këshilli dhe Parlamenti vitin e kaluar.
“Liberalizimi i vizave ka një impakt të rëndësishëm psikologjik në mendjen e njerëzve. Dhe këtu nuk flasim për politikanet, biznesmenët apo njerëz me para. Ata kanë mënyrat e tyre për të udhëtuar jashtë vendit. Ne jemi të shqetësuar për studentët dhe ata njerëz që duhet të mbajnë radhën, në rreshta të gjatë, përpara konsullatave”- u shpreh deputetja Fajon.
Drafti kërkon që ligjvënësit europianë të ndërmarrin gjithë hapat e nevojshëm për miratimin e shpejtë të propozimit të Komisionit.
“Një garanci që Bashkimi Europian do të lëshojë regjimin e lirë të vizave ndaj të dy vendeve, veçanërisht ndaj Bosnje-Hercegovinës, në fillim të vjeshtës 2010, do të ulte risqet për një paqëndrueshmëri më të madhe etnike e politike, forcon bashkëpunimin ekonomik e politik në rajon dhe rrit mbështetjen popullore për BE-në dhe perspektivën e integrimit europian, zgjeron horizontin e njerezve dhe frenon forcat ekstremiste dhe anti-europiane”.
Një vend të posaçëm, në draft-rezolutën mbi heqjen e vizave ndaj Shqipërisë dhe Bosnjes, zë dhe Kosova. Në të kërkohet që Parlamenti t’i bëjë presion Komisionit dhe Këshillit për të gjetur mënyrën për liberalizimin e vizave ndaj qytetarëve të saj, duke respektuar statusin e Kosovës dhe diferencat mes vendeve anëtare mbi deklaratën e pavarësisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›