E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transplanti i veshkave në fund të tetorit

Autori i Lajmit: red.
Transplanti i veshkave në Klinikën Urologjike të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë pritet të nisë së shpejti, me përfundimin brenda muajit tetor të rikonstruksionit të sallave të operacionit dhe plotësimin e tyre. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, (MSH), Bardh Spahiu, tha dje se “me përfundimin e rikonstruksionit të sallave, që besojmë se do të jenë gati brenda datës 25 tetor dhe plotësimin me aparaturat e nevojshme deri në fund të muajit tetor, do të realizohet dhe transplanti i veshkës në QSUT”. Sipas tij, problemi i vetëm për kryerjen e transplantit të veshkave, deri tani, ka qenë përfundimi i rikonstruksionit të sallave të operacionit, për të cilin, MSH ka lëvruar fondin për rikonstruksionin, por ka pasur disa vonesa në procedurat e tenderimit dhe ato të rikonstruksionit. Sipas Spahisë, është punuar që të gjitha parametrat në sallën e operacionit, të jenë në përputhje me standardet e vendeve evropiane. "Të gjitha të tjerat janë gati tashmë, duke përfshirë dhe trajnimin e stafit mjekësor dhe infermieristik, ndërsa jemi në përfundim dhe të laboratorit imuno-histokimik", u shpreh Bardh Spahiu. Objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë është realizimi i transplantit të veshkës brenda afatit të përfundimit të programit INTERREG III, i financuar nga Komuniteti Evropian, nëpërmjet rajonit të Puglias (Itali) për Shqipërinë.
Ky lajm është publikuar: 23/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›